Serbia voton sot për presidentin e ri të vendit

Beograd, 2 prill 2017 – Rreth 6.7 milionë votues serbë do t’u drejtohen sot (e diel) kutive të votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Këto zgjedhje konsiderohen si një test për ecurinë e mëtejshme të Serbisë.

Kryeministri Aleksandar Vuçiq, i cili konsiderohet favorit, karshi 10 kandidatëve të tjerë të opozitës së copëtuar. Sipas rezultateve të sondazheve, Vuçiq pritet të fitojë mbi 50 për qind të votave dhe ta fitojë mandatin e presidentit që në raundin e parë të zgjedhjeve.

Kritikët e tij paralajmërojnë se Vuçiqi, i cili është fuqizuar shumë, synon ta kopjojë autokracinë e Vladimir Putinit në Rusi. Madje, ai e ka marrë edhe mbështetjen e Putinit.

Vuçiqi ka një avantazh të fortë ndaj rivalëve të tij për shkak të mbështetjes së partisë së tij, Partisë Progresive Serbe dhe të partive të koalicionit qeverisës, ndër të cilat janë edhe Partia Socialiste e Serbisë dhe Partia Socialdemokrate e Serbisë.

Asnjë kandidat tjetër nuk gëzon mbështetje nga partitë kryesore serbe, kurse disa prej tyre nuk kanë asnjë parti që t’i mbështesë.

Rivalët e kanë akuzuar Vuçiqin për baltosje të rivalëve të tij, për kontroll të mediave dhe për frikësim të votuesve.

Partia e tij, të enjten bleu faqet e para të pothuajse të gjitha gazetave të përditshme të Serbisë, për të reklamuar logon Vuçiqit.

Megjithëse shumica e analistëve thonë se tashmë triumfi i Vuçiqit është i paracaktuar, disa prej tyre shprehin shqetësime rreth aktiviteteve parazgjedhore të cilat i shohin si tregues të një procesi zgjedhor të manipuluar.

“Mendoj se këto janë zgjedhjet më të parregullta nga pikëpamja e fushatës elektorale”, ka thënë Cvijetin Milivojeviq, analist mediatik në agjensinë “Pragma”, një kompani për marrëdhënie me publikun, me seli në Beograd.

“Do të shohim se si do të jetë situata me numërimin e  votave”, ka shtuar ai.

Rasha Nedelkov nga Qendra për Transparencë, Studime dhe Llogaridhënie ka thënë se fushata elektorale është zhvilluar në një sfond korrupsioni të shfrenuar, frikësimi të votuesve, rryshfetesh dhe baltosjesh.

“Mund t’ju siguroj se kur nuk ka kontroll, kur nuk ka vetëndërgjegjësim që zyra e prokurorisë të reagojë kundër korrupsionit, kur votuesit përjetojnë frikësim dhe influencim nga eprorët për të votuar një kandidat të caktuar, kur u bëhet presion që të marrin pjesë në tubime politike, dhe kur e di që askush nuk do të më kontrollojë apo më arrestojë për këtë, atëherë unë si kandidat mund të bëj çdo gjë”, i ka thënëNedelkov shërbimit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës.

“Situata na tregon se kushtet për të patur zgjedhje demokratike janë minimale. Nëse nuk ka sistem kontrolli, atëherë mund të presim që pjesëmarrësit mund të ndërmarrin veprime që komprometojnë cilësinë e procesit zgjedhor”, ka shtuar ai.

Fushata zgjedhore ka gjasa të mbahet mend për një përfaqësim jo të drejtë në media të kandidatëve presidencialë. Sipas një organizate joqeveritare, zoti Vuçiqi ka marrë 56 për qind të hapësirës televizive nga Radiotelevizioni i Serbisë, i vetmi transmetues publik. 10 sfidantët e tij kanë ndarë bashkërisht 44 për qind të kohës së mbetur televizive.

Edhe në mediat komerciale, përqindjet ishin bindshëm në favor të Vuçiqit.

“Kemi pesë kandidatë të opozitës që janë hedhur poshtë. Fatkeqësisht, shumica dërrmuese e votuesve serbë besojnë në atë çfarë shohin në kanalin publik RTS ose në kanalin Pink”, ka thënë Milivojeviq.

“Pink” është kompani mediatike e tipit tabloid, e cila është në pronësi të një manjati serbi, i cili e është i afërt me Vuçiqin dhe e mbështet atë publikisht.

“Sipas programeve të këtyre kanaleve televizive, kandidatët e opozitës nuk janë të kualifikuar as për t’u përmendur dhe jo më që të shikohen si kundërshtarë seriozë. Ky lloj disklualifikimi nuk është parë as gjatë periudhës së Millosheviçit ose, të paktën, jo në këto përmasa”, ka thënë Milivojeviq.

Nedelkov i ka thënë “Zërit të Amerikës” se Autoriteti Regullator i Mediave Elektronike të Serbisë njoftoi se nuk do të monitoronte transmetimet televizive gjatë fushatës dhe se statuti i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve mbetet i diskutueshëm.

Ai ka shtuar se edhe Agjensia Kundër Korrupsionit e Serbisë ka njoftuar se nuk do të monitorojë plotësisht votimin. (r.m.)

Comment

*