Serbisë s’i levërdis të aplikojë masa reciprociteti për produktet nga Kosova

Beograd, 24 korrik 2018 – Maqedonia dhe Serbia janë hidhëruar me Prishtinën për shkak të vendimit që të ngarkojë me 30 për qind doganë 21 produkte bujqësore që importohen në Kosovë.

Ministrat e këtyre dy vendeve janë ankuar se Prishtina e ka shkelur Marrëveshjen e CEFTA-s. Madje, ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Lajiq,  është kërcënuar se Serbia mund t’i përgjigjet Kosovës me të njëjtën masë ose mund të kërkojë që Kosova të përjashtohet nga CEFTA.

Por, ekspertët serbë të ekonomisë thonë se Serbisë nuk i levërdis të ndërmarrë kurrfarë masash reciprociteti, për shkak se ka bilanc shumë të mirë tregtar me Kosovën.

Agro-ekonomisti Milan Prostran ka kujtuar se vitin e kaluar Serbia ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë prej 442.4 milionë eurosh, ndërsa ka importuar nga Kosova mallra me vlerë prej vetëm 21.8 milionë eurosh.

“Këto shifra janë argument i mjaftueshëm se më mirë është të negociohet se sa të fillojë ndonjë luftë tregtare”, është shprehur Prostran.

Ndërkaq, profesori i tregtisë ndërkombëtare, Mllagjan Kovaçeviq, ka thënë se Serbia nuk do të përfitonte asgjë as nga përjashtimi i Kosovës nga CEFTA.

“Në qoftë se Kosova do të përjashtohej nga CEFTA, çfarë nuk besoj, ajo vetë do të kishte probleme me plasmanin e mallrave. Por, as masat tona të reciptocitetit nuk do ta dëmtonin shumë, me që ajo nuk ka ndonjë prodhim as ndonjë eksport”, është shprehur ai, citon gazeta beogradase “Danas”.

Sidoqoftë, Kovaçeviq e pranon se vendosja e taksës për produktet bujqësore do t’i dëmtojë ndërmarrjet në Serbi që kanë eksportuar produktet e tyre  në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë doganore për 21 produkte bujqësore që importohen, me qëllim që të mbrojë prodhuesit bujqësorë të vendit.

Ministrat e Serbisë, Maqedonisë, Bosnës e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës do të takohen nesër (e mërkure) në Beograd, për të kërkuar një marrëveshje lidhur me këtë çështje.(r.m.)

Comment

*