Sfidat e shtetit në dekadën e parë të pavarësisë

Prishtinë, 2 janar 2017 – Viti që lamë pas ishte një ndër vitet më të ngarkuara me zhvillime që pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në vend u mbajtën dy palë zgjedhje, kishte akuza, arrestime e rrahje brutale ndërmjet akterëve politik.

Më 2017-ën nuk u arritë që të përfundohen punët e lëna pezull tash e një kohë, si ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, liberalizimi i vizave, luftmi i krimit e kurrupsionit dhe çështje të tjera.

E fare i lehtë nuk pritet të jetë për vendin as 2018-a, vit në të cilin Kosova mbush dhjetë vjet shtet i pavarur.

Ky vit është paralajmëruar të jetë si një ndër vitet më të vështira për Kosovën.

Lideri i partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Isa Mustafa në urimin e tij për Vitin e Ri ka deklaruar se 2018-a do të jetë ndër vitet më sfiduese për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Uroj të gjejmë rrugën tonë më të mirë të përbashkët e të na prijë arsyeja! Të jemi të lumtur të gjithë ne!”, kishte shkruar Mustafa në Facebook, ditë më parë.

Kuvendi i Kosovës pritet që së shpejti të përballet me temën aktuale kohët e fundit fundit, atë të Demarkacionit.

Qeveria kishte proceduar në fund të 2017-ës këtë marrëveshje në legjislativ, duke mos u siguruar se ka votat e nevojshme.

Mosratifikimi i kësaj marrëveshje do të konsistone me zvarritjen e mëtejme të liberalizimit të vizave për Kosovën, i cili është shteti i vetëm në rajon që nuk mund të udhëtojë lirshëm nëpër botë.

Në fund të vitit 2017, iu dha një goditje edhe më e ashpër miqësisë së Kosovës me aleatët ndërkombëtarë. 43 deputetë të Kuvendit, tentuan që të shfuqizojnë Ligjin për Gjykatën Speciale, marrëveshje të cilën vetë e votuan kohë më parë.

Lidhur me këtë çështje pati shumë reagime, që pritet ta përcjellin skenën politike kosovare edhe gjatë vitit të ri.

Për të gjitha këto sfida, thotë se është i vetëdijshëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Ai është zotuar se nuk do t’i zhgënjejë qytetarët.

“Jam i vetëdijshëm se Atdheu ynë, Republika e Kosovës, ka përpara shumë sfida, por zotohem se nuk do t’ju zhgënjej, sepse do të përballem me tërë fuqinë e mendjes dhe shpirtit me problemet e vendit dhe së bashku me ju qytetarë kosovarë – me forcën e ligjit – do ta bëjmë një Kosovë të jetueshme, për vete dhe brezat që vijnë pas nesh!”, ishte shprehur Haradinaj në urimin e Viti të Ri.

Edhe pse Qeveria Haradinaj, në 100 ditëshin e saj njihet për shkarkime të bordeve e komisoioneve, emërimet enorme të zëvendësminitrave dhe veçanërisht për rritjen e pagave për kabinetin qeverisës, po synon që këtë vit të arrijë sukese të mëdha.

Vetë kryeministri një ditë më parë ka deklaruar se Kosova këtë vit do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Republika e Kosovës po e bën të duhurën në zbatimin e plotë të MSA-së dhe që këtë vit të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE. Besojmë palëkundshëm në mbështetjen bullgare në këto procese”, ka shkruar Haradinaj.

Viti 2017 e karakterizoi Kosovën edhe më dështimet e mëdha për të mos arritur të jetë pjesë e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare si UNESCO dhe INTERPOL.

Sfidë e madhe për vendin pritet të jetë edhe mundësia që këtë vit Kosova të bëhet me Ushtri të mirëfilltë.

Zotimit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi që vitin e kaluar do të ndodhte transformimi i Forcave të Armatosuar të Kosovës, i është shtyrë afati.

Të njëjtim premtim, Thaçi e ka bërë edhe për 2018-ën.

“Vitin tjetër duhet që pa humbur kohë të kryhen punët e tjera të rëndësishme si ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, për t’i dhënë fund izolimit dhe për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian. Do të përfundojmë tranformimin e FSK-së dhe do t’i themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës”, ka theksuar ndër të tjerash presidenti.

(Emirjeta Vllahiu, AktivPress)

Comment

*