Shala: Serbia asnjëherë nuk e ka respektuar CEFTA-n

Prishtinë, 4 dhjetor 2018 – Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se Qeveria e Kosovës i kushton rëndësi të madhe mbajtjes së një ekonomie liberale, duke respektuar të gjitha rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Ai ka theksuar se është Serbia ajo që nuk e ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-s dhe vazhdimisht ka krijuar barriera për kompanitë kosovare dhe për lëvizjen e mallrave nëpër Serbi.

Ministri Shala i ka bërë këto komente në Javën e CEFTA-s, e cila po mbahet në Prishtinë.

David Cullen nga Komisioni Evropian ka thënë se taksa për mallrat me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnja e ka vënë në hije punën e Kosovës në kryesimin e CEFTA-s. Ai ka thënë se për shkak të kësaj mase në Javën e CEFTA-s në Prishtinë nuk po marrin pjesë të gjitha palët e CEFTA-s , prandaj nuk mund të merren vendime të përbashkëta.

“Më lejoni të jap qëndrimin e KE-së për këtë. Masat e fundit që janë vënë nga Kosova janë kundër rregullave dhe parimeve të CEFTA-s. Mosmarrëveshjet tregtare ndodhin dhe ne e kuptojmë se ka barriera të vërteta me të cilat po ballafaqohet /Kosova. Por, ato duhet të adresohen në forume adekuate që përfshihen edhe në kornizën e CEFTA-s”, ka theksuar Cullen.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë Serbia nuk e ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-s, ndërsa kjo e fundit asnjëherë nuk ka arritur t’i zgjidhë këto probleme.

Rukiqi ka thënë se 60 për qind e bizneseve të Kosovës nuk kanë pasur asnjë përfitim nga CEFTA.

Sipas tij, nuk janë vetëm Serbia dhe Bosnja që kanë shkelur marrëveshjen e CEFTA-s.

Në Javën e CEFTA-s që po mbahet sot në Prishtinë, nuk po marrin pjesë Serbia, Bosnja dhe Moldavia. (r.m.)

Comment

*