Shala:“Qeveria Haradinaj s’do të mund të jetojë gjatë”

Prishtinë, 27 dhjetor 2017 – Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala, ka treguar se si e sheh ai Kosovën në vitin 2018.

“Si deri këtu, ashtu si do të sillemi, do të jetë edhe vendi. Do të doja që politikisht të silleshim si LDK-ja. Tjerët janë tjerë, janë ndryshe. Secili sillet në mënyrën e vet, secili duhet të garantojë që nëse është pjesë e instituvioneve të sillet në përputhje me rendin kushtetuese të Kosovës”, ka thënë Shala në emisionin “Zona B” në Klan Kosova.

“Politikat nacionale të subjekteve politike duhet të jenë të identifikueshme me politikat nacionale të Kosovës”, ka thënë ai.

Shala e ka komentuar edhe iniciativën e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Ai ka thënë se kjo iniciativë shkon përtej fuqisë politike të Kosovës.

“Nuk mund të shfuqizohet asgjë. LDK-ja e ka menduar (iniciativën) si arbitrare. Shkon përtej vullnetit dhe fuqisë politike, jo vetëm të LDK-së por edhe të Kosovës, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special, e njohur ndryshe si Gjykata Speciale, tani është kategori kushtetuese”, ka thënë ai.

“Atë natë tentohej të shfuqizohej ligji që, maksimalisht, do të mund ta bënte jofunksionale për një kohë atë Gjykatë”, ka theksuar ai.

Sipas Shalës, shfuqizimi i kësaj gjykate do t’i rikthente alternativat e vjetra.

“Do të hapte ose rikthente alternativat e vjetra që Kosova i ka pasur në tavolinë, para se të vendosej kështu”, ka thënë ai.

“Besoj që do të mund të kthehej alternativa e vjetër që puna të vazhdonte me një vendim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do ta kthente Kosovën para datës së pavarësisë”, ka plotësuar ai.

Shala ka thënë se Gjykata Speciale është institucion kushtetues i Kosovës.

“Dhomat e Specializuara nuk është një gjykatë ndërkombëtare. Edhepse shkon përtej vullnetit tonë, është një institucion kushtetues i Kosovës. Ajo gjykatë e njeh rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës”, ka theksuar ai.

Shala e ka komentuar edhe pozitën e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Ai ka shprehur bindjen se kjo qeveri nuk do të qeverisë edhe gjatë.

“Qeveritë varen ekskluzivisht nga shumica. Kjo shumicë, e pjesëtuar politikisht dhe me qëndrime të ndryshme për çështjet themelore që ka në tavolinë, e ka të pamundur të funksionojë”, ka thënë Shala.

“Vështirë e kam të them sa mund të qeveriset kështu, po nuk mund të qeverisë gjatë. Nëse për çështje thelbësore nuk pajtohesh me partnerët, atëherë ata s’i ke partnerë ose vetë nuk je partner”, ka shtuar ai.

Shala ka thënë se janë pak 100 ditë për të vlerësuar punën e një qeverie.

“Njerëzit që kanë përvojë në qeverisje e dinë se janë shumë pak dhe nuk thonë asgjë. Ato nuk japin as tendencë”, ka thënë Shala.

“Duhet një vit që të vlerësohet puna”, ka shtuar ai.

Por, ai ka qenë kritik ndaj raportit të punës së Qeverisë Haradinaj për 100 ditët e para të qeverisjes.

“Kjo qeveri nuk ka arritur që për 100 ditë ta kuptojë fushën e saj të veprimit, as elementarisht. Këtë mendim kam. Nëse duket fyerje kërkoj falje”, ka thënë ai.

Kujtim Shala, i cili është anëtar i Kryesisë së LDK-së, e ka shprehur qëndrimin edhe për koalicionet e mundshme të partisë së vet me partitë tjera, si edhe për “vijat e kuqe”.

“i respektoj qëndrimet dhe vendimet e shumicës, por qëndrim themelor kam që LDK-ja nuk duhet të ndërtojë partneritet qeverisës me kundërshtarin e parë”, është shprehur Shala. (r.m.)

Comment

*