Sharlota- më shumë se një emër mbretëreshe

Albana M. Lifschin

Dëshira për t’u vendosur në Charlotte NC , na lindi gati 10 vjet më parë gjatë një udhëtimi turistik që ndërmorëm nga Nju Jorku në Florida. Na pëlqeu shumë ky qytet. Na bënë përshtypje natyra e bukur dhe monumentet kulturore e historike të tij. Qyteti ka hapësirë të madhe të gjelbër. Sharlota quhet ndryshe edhe “qyteti i pemëve”, ose “Qyteti i parqeve”. Thuhet që është vëndlindja e “shelgjeve lotues”. Dikur i kishim përreth liqenit tonë, lart tek kodrat e Tiranës.

U ulëm në stolat pranë kryqëzimit të rrugëve Tryon dhe Trade me një ndjenjë kënaqësie.

Në Sharlotë nuk pamë njerëz që ecnin “në turmë” duke nxituar për të kaluar nga një trotuar në tjetrin (si në Manhattan). Këtu portetete kalimtarëve nuk shprehnin stress. Nuk dëgjuam buri makinash-shprehje padurimi e tjetrit pas timonit. Në Nju Jork i kishim me shumicë.

Vëren shpesh grupe turistësh. Një qytet i sjellshëm në paqe dhe në dritë. Më kujtohet një udhëtim në Boston, kur shoferi i autobuzit turistik u kthye nga ne dhe na pyeti papritur: Nga Nju Jorku jeni ju? Po,-nga e kuptuat? Ai vuri buzën në gaz: “Ah you, rude people of New York!” Nuk e dinim që ne, banorëve të NYC, na kishin vënë këtë nofkë . Vërtet ishim të pasjellshëm?

Dëgjojmë të thuhet që sa më shumë i largohesh Nju Jorkut aq më miqsorë, më të sjellshëm janë njerëzit. Sharlota na e vërtetoi këtë gjë. Tek “Walgreens” apo tek “Food Lion” të përshendesnin me një portret të qeshur, a thua se ishin duke të pritur prej kohësh. Dhe kudo nëpër dyqane. Këtu nuk dëgjova atë fjalën “e frikshme”: Next! Next! që dëgjoja shpesh në Bruklin tek prisja në radha.

Katër statuja bronxi gjigande që janë ngritur në katër qoshet e rrugëve janë domethënëse, – Janë historia e saj. Statuja e minatorit të floririt, gruaja tekstiliste nënkupton zhvillimin e industrisë,statuja e e ndërtuesit të hekurudhës nënkupton zhvillimin e transportit në Sharlotë dhe statuja e një nëne duke ngritur lart foshnjën e saj përfaqson shpresën për të ardhmen e r qytetit. Sa banorë kishte Sharlota në vizitën tonë të parë? Ndoshta rreth 200 -300 mijë. Sot ka 1milion e dyqind mijë banorë dhe gjithnjë në rritje. Qyteti pret shumë miq. Sipas statistikave, në 2014 vizitorët i sollën këtij qytetit $4.9 billion dollarë me shpenzimet që bënë në vendet më atraktive, hotelet, restorantet,parqet, etj.

Më pat mbetur në mendje emri i qytetit. Jemi mësuar me emrat që kolonistët e parë u vunë vendeve ku zbarkuan në Amerikë. Ishin të mbartura nga vendet e Evropës, prej nga erdhën, duke i shtuar mbiemrin “ i ri” si New Jork, New-Jersey, New Orleans, etj. Edhe pse kishin ikur nga ato vende për shkaqe të ndryshme persekutimi, përsëri emrat e vendlindjeve mbetën ngjitur në shpirt. Për të mësuar për emrin e qytetit me të cilin ramë në dashuri, hapa librat. Charlott-a, ishte emri i një princeshe gjermane, e lindur në Meclenburg – Strelitz, (Gjermani) . Mësova, se kjo ndarje administrative ku banojmë sot është quajtur “Princess county” për nder të saj. Kur u martua me mbretin e Anglisë, Xhorxhin e III, atëhere qyteti u quajt “Queen city”. Sharlota si qytet u themelua në vitin 1775 dhe shpalli pavarësinë e saj, një vit përpara shpalljes se pavarësisë së Amerikës nga Britania e madhe. Ky qe një fakt interesant, të cilin nuk e kam ditur më parë. Madje liderat e Sharlotës e firmosën deklaratën e pavarësisë pikërisht këtu, në “Princess county”.

Mbretin Xhorxh III, e njohim nga historia e Amerikës. Ishte pikërisht ai mbret, gjatë kohës së të cilit kolonitë amerikane, u bënë bashkë e deklaruan shkëputjen e tyre nga kurora britanike. Pikërisht atë ditë për ironi të fatit mbreti shkruante në ditarin e tij: 4 korrik 1776. Asgjë me rëndësi për t’u shënuar. Tani t’i përgjigjem një pyetje vajzërore kureshtare: A ishte e martuar Sharlota me Mbretin e Britanisë me atë kohë? Po. Por kjo martesë nuk i solli ndonjë favor Sharlottes- qytet, dhe as mbretëreshës Sharlotë. Nga librat mësova që mbreti ia bëri të qartë, që në fillim të martesës, që nuk do të dëshironte që ajo të ndërhynte në punën e tij (dmth të mbretërisë) status me të cilin mbretëresha ra dakort. (Ku ta dinte mbreti që do sëmurej nga një sëmundje mendore e gjatë dhe për 30vjet punët e mbretërisë do mbeteshin në duart e mbretëreshës e vendimet do kalonin nëpërmjet mençurise së saj) Sharlota la një fjalë që u bë e njohur: Mënçuria vendos heshtje.

Kjo fjalë e vogël ”heshtja”

ka qenë shpesh mikesha ime në nevojë,

dhe u bë shoqëruesja ime e vazhdueshme “.

Mbretëresha ishte rritur si një vajzë me kulturë dhe e edukuar me muzikën e Bahut dhe të Hendell. Në prill 1765, Moxarti ishte 8 vjeç kur i dedikoi asaj 6 sonata ( Opus 3)

Mretëresha Charlotte ka patur miqësi të ngushtë më Maria Antuanetën e Francës, madje qe përgatitur ta merrte në Angli në rast së punët keqësoheshin shumë në Francë. Tronditja qe shumë e madhe kur mësoi fundin e mikeshës së saj. Ndoshta përfytyronte një fund të njejtë edhe për veten e saj. Këtë tronditje të rëndë pësoi dhe Ekaterina e madhe e Rusisë atë kohë.

 

* * *

Karolina e veriut i dha SHBA-së presidentin Xhejms Polk. Nga një djalë shëndetlig në moshë të njomë që kaloi përmes operacioneve kirugjikale,u bë presidenti i fuqishëm i SHBA. Rast që të kujton presidentin Teodor Ruzvelt. Xhejms Polk përkrahu zgjerimin e Amerikës drejt kufirit me Paqsorin. SHBA qe një përkushtim jetëdhënës për të. Në vitin 1844 kur u ngrit problemi i kufijve të Oregonit, të cilën Anglia e donte për vete, presidenti Polk i vuri alternativën: Ose 54/40. Ose luftë. Kjo do të thoshte që në qoftëse Britania e madhe do të kundërshtonte kufirin e Oregonit të vendosur në paralelin 54/40 Amerika do të hynte në luftë me të. Anglia pranoi. Presidenti Polk i mbilodhur nga puna e përkushtuar ditë e natë çështjes së vendit, vdiq në 1849, pikërisht gjatë periudhës së dyndjes së madhe të njerëzve për floririn e zbuluar në Kaliforni. Meqë ra fjala, në Sharlotë zbulimi i floririt ndodhi edhe më herët,në 1799, gjë që padyshim i dha impuls rritjes e zhvillimit të qytetit. Popullsia u shtua shpejt .

Kur Sharlota u krijua si qytet, askush nuk parashikoi se një ditë ajo do të bëhej vend i bankave të mëdha . I ngjashëm me Nju Jorkun sot qyteti është bërë qendra e dytë financiare më e madhe e SHBA. Këtu gjendet “Bank of America”, banka më e madhe e Amerikës. Do shënuar që një faktor që kontribon në suksesin e Sharlotës si qendër financiare është NASCAR.

Në vitin 2008 Sharlota u konsiderua vëndi më i mirë për të jetuar në Amerikë, bazuar në kriteret e mundësive për t’u punësuar dhe shtëpive me çmime të favorshme dhe shkollave të mira. Këto të verteta e bënë ata më të dashur e më tërheqës për ne atë ditë që morëm vendimin për t’u bërë qytetarë të saj.

Charlotte, NC

Tetor 2017

Comment

*