SHBA çmon angazhimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit

Prishtinë, 16 korrik 2018 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco.

Zyra e Kryeministrit njofton se Haradinaj ka njoftuar për angazhimet e institucioneve të Kosovës në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit ekstrem, duke theksuar përkushtimin e qeverisë për paqen e qëndrueshme në vend dhe rajon.

“Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj që të parandalojë dhe luftojë ekstremizmin në vend dhe ky angazhim do të vazhdojë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka shtuar se anëtarësimi në INTERPOL do të ndihmonte jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe BE-në në fuqizimin e sigurisë dhe se për këtë është e nevojshme edhe ndihma e SHBA-ve.

Ai e ka falënderuar zyrtarin e SHBA-së Marocco për ndihmën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit.

Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, ka shprehur përkushtimin e SHBA-ve për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset e rëndësishme për vendin dhe ka vlerësuar angazhimin konkret të Kosovës në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. (r.m.)

Comment

*