SHBA dhe aleatët kryen një sulm ajror në Siri

Uashington, Damask, Londër, 14 prill 2018 – Shtetet e Bashkuara, së bashku me Britaninë e Madhe dhe Francën, kryen sulme ajrore ndaj disa pozicioneve të forcave qeveritare në Siri.

Operacioni është përgjigje ndaj sulmit të dyshuar kimik që ka ndodhur javën e kaluar në qytetin sirian, Duma, për çka po fajësohet Presidenti i Sirisë, Bashar Al Asad.

Presidenti amerikan Donald Trump, në një fjalim drejtuar qytetarëve amerikanë, ka njoftuar se ai ka urdhëruar fillimin e operacionit ushtarak në Siri, i cili synon t’i japë fund përdorimit të armëve kimike nga Qeveria e Sirisë.

“Sulmet e ditëve të fundit nga Asadi dhe reagimi ynë i sotëm, është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të Rusisë për të vepruar”, ka thënë presidentit Trump.

Presidenti Trump i ka kritikuar mbështetësit kryesorë të Sirisë, Rusinë dhe Iranin, që nuk e kanë ndaluar regjimin sirian të përdorte armë kimike. Ai e ka kritikuarveçanërisht Rusinë, për shkak se nuk mbajti premtimin e vitit 2013 për të eliminuar armët kimike të Sirisë.

Agjencitë e lajmeve Reuters dhe AFP njoftuan se në kohën që presidenti Trump po njoftonte për fillimin e goditjes ushtarake, në kryeqytetin e Sirisë, Damask, janë dëgjuar shpërthime të fuqishme.

Sipas zyrtarëve të Pentagonit, janë goditur tri objektiva: një laborator kërkimor në Damask, i lidhur me prodhimin e armëve kimike dhe biologjike, një magazinë në qytetin Holms ku mbaheshin armë kimike dhe një magazinë tjetër po në afërsi të Holmsit, ku mbaheshin pajisje për prodhim armësh dhe shërbente si qëndër e rëndësishme komande.

Sipas Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, operacioni ka përfunduar dhe “ai dërgoi një mesazh shumë të fortë”.

Kryeministrja britanike Theresa May ka thënë se veprimi i aleatëve nuk synon “përfshirjen në një luftë civile” në Siri.

“Nuk ka të bëjë me ndryshimin e regjimit. Është një goditje e kufizuar dhe me objektiva të qartë, që nuk synon përshkallëzimin e tensioneve në rajpn dhe bën gjithshka që mundet për të parandaluar viktimat mes banorëve civilë”, ka thënë kryeministrja kritanike, të shtunën.

Televizioni sirian njoftoi se sistemi i mbrojtjes kundër-ajrore iu përgjigj sulmit.

Javën e kaluar të paktën 40 vetë u vranë dhe qindra u sëmurën në qytetin e Dumës, për shkak të asaj që Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera besojnë se ishte një sulm me armë kimike nga qeveria e Sirisë. Qeveria e Sirisë e ka mohuar përdorimin e armëve kimike. (r.m.)

Comment

*