SHBA dhe BE “duan” largimin e kryeprokurorit

Kur në komisionin e Ligjeve vijon debati nëse duhet të nisë procedura për emërimin e një Prokurori të ri të Përgjithshëm të përkohshëm apo duhet zgjatur mandati i Adriatik Llalles deri në emërimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë vjen deklarata e ambasadorit SHBA dhe e delegacionit të Bashkimit Europian

Deklarata e ambasadorit SHBA; “Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë ligjin” thuhet në deklaratën e shperndare nga ambasada e SHBA-se.

Deklarata e delegacionit te BE: Ligji për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë parashikon dispozita të qarta transitore – siç konfirmohet nga EURALIUS dhe OPDAT në opinionin e tyre në Kuvend. Ne e ftojmë Kuvendin të procedojë në respekt të plotë të ligjit.

Keshilla e EURALIUS E OPDAT: Largoni Llallen, zgjidhni prokuror te perkohshem me shumice te thjeshte

Më 21 nentor ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT bënin një intepretim ligjor ku sugjerojnë që Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla nuk mund të qëndrojë në detyrë përtej datës 7 dhjetor, datë kur i përfundon mandati. Ata sugjerojnë që prokurorin e ri të përkohshëm duhet të jetë një nga prokurorët më me eksperiencë siç parashikon neni 109 i ligji për prokurorinë dhe Parlamenti duhet ta zgjedhë me shumicë të thjeshtë votash.

Sipas ekspertëve, ligji i prokurorisë, neni 109 pika 1 e tij, thotë se prokurori në detyrë qëndron në detyrë deri në fund të mandatit dhe nuk parashikon zgjatjen e mandatit. Po ky nen, në pikën 2 parashikon zgjedhjen e një kryeprokurori të ri të përkohshëm që do të marrë funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sipas arsyetimit të ekspertëve ndërkombëtarë, kriteri themelor i zgjedhjes së prokurorit të përkohshëm është vjetërsia e punës, pra përjashtohen kriteret morale, profesionale dhe organizative të parashikuara nga ligji për prokurorinë, të cilit i referohet neni 109.

Por, prokurori i ri nuk mund t’i shpëtojë Vettingut sipas nenit 22 për Prokurorinë. Ai gjithashtu nuk duhet të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit, të jetë i pastër për sa i përket ligjit të dekriminalizimit dhe të mos ketë qenë i dënuar nga gjykata. Me këtë interpretim dhe me ritmin e tanishëm të procesit të Vettingut, vendi rrezikon të mbetet pa kryeprokuror derisa të përfundojë procesi i rivlerësimit.

Për sa i përket votimit në Parlament, ligji për Prokurorinë nuk e rregullon këtë problematikë përveç nenit 55 paragrafi 1 i rregullores që përcakton se mjafton një votim me shumicë të thjeshtë.  Pra, ekspertët e Euralius dhe OPDAT sugjerojnë që kryeprokurori i përkohshëm të jetë një nga prokurorët më me eksperiencë, të ketë kaluar vetingun, të mos jetë bashkëpunëtor i ish sigurimit,të mos ketë qenë i dënuar dhe të mos ketë marrë masë disiplinore si dhe të ketë tituj shkencorë dhe vlerësime shtesë. Këtë prokuror e zgjedh parlamenti me shumicë të thjeshtë, pra mjaftojnë 36 vota nga 71 deputetë të pranishëm.

/OraNews

Comment

*