SHBA, Mike Pompeo konfirmohet si sekretar i shtetit

Uashington, 26 prill 2018 – Senati amerikan konfirmoi të enjten zotin Mike Pompeo në postin e sekretarit të shtetit, me gjithë kundërshtimet e demokratëve, të cilët kanë vënë në pikëpyetje disa qëndrime të tij të vijës së ashpër në politikën e jashtme dhe disa deklarata rreth grupeve të pakicave.

Sekretari i ri Pompeo do të zëvendësojë zotin Rex Tillerson, i cili u shkarkua muajin e kaluar nga Presidenti Donald Trump.

Republikanët ishin të bashkuar në mbështetjen për zotin Pompeo, ndërksa demokratët, përveç katër prej tyre, kishin njoftuar se do të votonin kundër konfirmimit.

Demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Menendez i Nju Xhersit, tha se dyshonte që zoti Pompeo “do të ishte i gatshëm të tërhiqej nga instinktet më të këqia të presidentit”, siç u shpreh ai.

Senatori Menendez vuri në dukje se aleatët kryesorë amerikanë po pranojnë miliona refugjatë, dhe shtroi pyetjen: “Çfarë do të thotë ai [Pompeo], ndërkohë që kjo administratë po shkurton programin tonë të refugjatëve, dikur një xhevahir në kurorën e politikës sonë të jashtme?”

Ndërkaq, republikanët i përshëndetën arritjet e zotit Pompeo, nga përfundimi shkëlqyeshëm i Akademisë Ushtarake West Point e deri te studimet e juridikut në Harvard si dhe vitet kur përfaqësonte shtetin e Kansasit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Presidenti Trump kohët e fundit dërgoi zotin Pompeon për të zhvilluar bisedime me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, përpara samitit të planifikuar Trump-Kim.

Republikanët theksuan se të gjithë, përveç dy anëtarëve të tyre, votuan për të konfirmuar ish-sekretaren e shtetit Hillary Clinton, në vitin 2009 ndërkohë që të gjithë ata, përveç tre republikanëve të Senatit, mbështetën zotin John Kerry për këtë post në vitin 2013.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*