SHBA: Nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh Kosovë – Serbi

Uashington, 26 mars 2020 – Shtetet e Bashkuara bënë të qartë të enjten se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç është dëgjuar këto ditë, dhe se bisedimet ndërmjet dy vendeve duhet të çojnë në njohje të ndërsjellë.

Kështu thuhet në një deklaratë të përbashkët të të dërguarit të posaçëm të presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadorit Richard Grenell,, ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, dhe përfaqësuesit të posaçëm të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Që në krye të deklaratës, e cila është publikuar në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit, theksohet se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah qytetarëve të Kosovës dhe se do të vazhdojnë të punojnë me secilën qeveri që formohet përmes procesit kushtetues.

“Shtetet e Bashkuara qëndojnë përkrah qytetarëve të Kosovës. Ne i vlerësojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të të tjerëve që janë duke punuar shumë, ndonëse me rrezik të madh, për të penguar zgjerimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë pasigurie, i thërrasim udhëheqësit e Kosovës t’u përmbahen Kushtetutës së Kosovës dhe sundimit të ligjit. Ne jemi të përkushtuar të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues.

Po ashtu, u bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të heqin tarifat tërësisht. Besojmë se tarifat po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës, duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19, përfshirë edhe pengimin e hyrjes në Kosovë të furnizimeve të nevojshme dhe duke penguar rritjen ekonomike.

Duam të bëjmë të qartë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as nuk e ka diskutuar kurrë një plan të tillë. Përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur linjën ajrore, linjën hekurudhore dhe autostradën midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se ky vrull do t’i japë energji të re procesit të dialogut që do të çonte në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e ambasadorëve Grenell, Kosnett dhe Palmer.

(r.m.)

Comment

*