SHBA parashikon dyfishimin e rasteve të infektimit dhe vdekjeve me koronavirus

Shtëpia e Bardhë po minimizon një raport të qeverisë amerikane që parashikon dyfishimin e vdekjeve të përditshme të COVID-19 në Shtetet e Bashkuara deri më 1 qershor.

 

Nga Zëri i Amerikës

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere ngriti shqetësime të hënën rreth një raporti të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që parashikon gjithashtu rreth 200,000 raste të reja të koronavirusit çdo ditë deri në fund të muajit, nga 25,000 raste që është tani.

Informacioni bazohet në modelin kompjuterit të qeverisë të hartuar në formë grafike nga Agjensia Federale e Menaxhimit të Emergjencave dhe botuar të hënën nga gazeta The New York Times.

Në një deklaratë të hënën, zoti Deere tha se ky nuk është një dokument i Shtëpisë së Bardhë, nuk është paraqitur në grupin e punës për koronavirusin dhe as nuk ka kaluar përmes procesit të verifikimit ndër-institucional. Këto të dhëna nuk janë reflektim i asnjë prej modelimeve të bëra nga ekipi i punës ose të dhënat që ka analizuar ai. ”

Zëdhënësi tha se “shëndeti i popullit amerikan mbetet përparësia kryesore e Presidentit Trump dhe kjo do të vazhdojë ndërsa monitorojmë përpjekjet e shteteve për të lehtësuar kufizimet.”

Sipas gazetës, raporti i qeverisë parashikon se numri i viktimave të koronavirusit mund të arrijë në 3,000 në ditë në katër javë, një rritje e ndjeshme nga shifra aktuale prej rreth 1.750 raste,.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të luftojnë përhapjen e koronavirusit për rreth shtatë javë, por Presidenti Donald Trump i ka dhënë fund direktivave të qëndrimit në shtëpi që mbyllën pjesën më të madhe të ekonomisë amerikane deri në prill.

Guvernatorë të shumtë shtetesh kanë lehtësuar kufizimet në mbylljen e biznesit pasi hyri maji, duke lejuar flokëtoret dhe sallonet e thonjve, palestrat, restorantet dhe dyqanet e shitjeve me pakicë të rihapnin dyert në shtetet e tyre, megjithëse me mijëra biznese mbeten të mbyllura.

Scott Gottlieb, ish-komisioneri i agjencisë së ushqimit dhe ilaçeve të administratës Trump, i tha emisionit “Face the Nation” të kanalit CBS News të dielën se “ndërsa zbutja nuk dështoi, unë mendoj se është e drejtë të themi se nuk funksionoi ashtu siç e prisnim. Ne prisnim që në këtë pikë të fillonim të kishimrënie më domethënëse të rasteve të reja dhe vdekjeve në të gjithë vendin. Dhe ne thjesht nuk po e shohim këtë”.

Gottlieb tha se amerikanët “mund të përballen me perspektivën që 20,000, 30,000 raste të reja në ditë të diagnostikuara të bëhen normalitet i ri”.

Presidenti Trump dikur parashikoi se numri i rasteve të reja të koronavirusit do të binte shpejt, por gjatë muajit të fundit ka patur të paktën 1.000 njerëz me virus, dhe ndonjëherë më shumë se 2,000, vdekje çdo ditë. Më pas ai parashikoi se numri i vdekjeve në Sh.B.A do të ishte mes 60,000 dhe 70,000 njerëzve.


Por në një sallë virtuale debati në mbrëmjen e së dielës në Memorialin Lincoln në Uashington, Trump tha: “Ne do të humbasim diku nga 75, 80 deri në 100,000 njerëz. Kjo është një gjë e tmerrshme.”

Ndërsa Senati përgatitet të rikthehet të hënën, Trump tha se qeveria federale mund të dyfishojë 3 trilion dollarët e tanishëm të ndihmës emergjente. Deri më tani, këto fonde kanë shkuar për të ndihmuar bizneset e vogla të qëndrojnë larg falimentimit, të sigurojnë furnizime për spitalet dhe të vendosin para në duart e taksapaguesve.

“Ka më shumë ndihmë që po vjen”, tha presidenti Trump.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell tha se dhoma e tij po kthehej të vazhdonte punën për COVID-19, si dhe çështje të tjera urgjente.

Drejtuesit në Dhomën e Përfaqësuesve deri më tani nuk kanë njoftuar planet për t’u takuar në Uashington, ndërsa po u kërkojnë mjekëve të Kongresit që të ndajnë udhëzime se si ta bëjnë këtë në mënyrë të sigurt.

Shtetet e Bashkuara udhëheqin botën me më shumë se 1.1 milion raste të konfirmuara dhe rreth 68,000 vdekje.

Zyrtarët e shëndetit publik kanë shprehur shqetësimin për numrin e amerikanëve që nuk po dëgjojnë urdhrat për distancim shoqëror dhe shtetet që po heqin udhëzimet për qëndrimin në shtëpi para se të ketë një rënie të vazhdueshme të numrit të rasteve të koronavirusit.

Këtë javë, më shumë shtete po bashkohen me lehtësimin e kufizimeve të bllokimit, përfshirë lëvizjen e Florida-s për të lejuar restorantet dhe dyqanet të operojnë duke lejuar një numër të caktuar njerëzish që mund të jenë brenda duke filluar nga e hëna.

Deri të martën, më shumë se 30 nga 50 shtetet amerikane do të lejojnë një formë të rihapjes.

Kjo ka qenë një përparësi për administratën Trump pasi aktiviteti ekonomik është ngadalësuar ndjeshëm dhe më shumë se 30 milion njerëz kanë humbur punën e tyre. (VOA)

Comment

*