SHBA, përgatitjet për uraganin e fuqishëm Florence

Amerikanët janë duke u përgatitur për një stuhi tjetër të fuqishme, ndërsa ende po rimëkëmben nga ato që goditën vendin vitin e kaluar. Uragani Florence po fuqizohet dhe po vazhdon rrugën drejt bregut lindor të Shteteve të Bashkuara. Karolina e Veriut pritet të marrë goditjen më të rëndë nga stuhia, pasi ajo të arrijë në tokën amerikane, por erërat e forta, shiu, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme edhe në Karolinën e Jugut si dhe në Virxhinia. Zyrtarët federalë të emergjencës dhe ata të sigurisë njoftuan Presidentin Donald Trump të martën mbi përgatitjet që po bëhen për stuhinë.

Administratori i Agjencisë qeveritatare për emergjencat (FEMA), Brock Long dhe Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen e informuan Presidentin Trump të martën mbi përgatitjet që po bën qeveria për të mbrojtur njerëzit, kur uragani Florence të arrijë në bregun lindor.

“Ne nuk kursejmë asgjë, jemi plotësisht të përgatitur, kemi bërë përgatitje maksimale”, tha Presidenti Trump.

Metereologët thonë se kjo mund të jetë stuhia më e madhe në dekada dhe parashikojnë miliarda dollarë dëme nga erërat, shiu, përmbytjet, dhe rrëshqitja e dheut që do të rezultojnë në shkatërrimin e ndërtesave dhe infrastrukturës.

“Zonat në rrezik më të madh do të jenë Virxhinia, Karolina e Veriut dhe Karolina e Jugut. Këto zona nuk kanë parë një stuhi kaq të fuqishme në 25 deri 30 vjet. Është një stuhi jashtëzakonisht e madhe dhe e lagësht”, tha Presidenti Trump.

Florence pritet të jetë stuhi e kategorisë 3 ose 4 kur të arrijë në tokën amerikane.

“Rreziku më i madh janë dallgët e mëdha në bregdet. Ky është shkaktari kryesor i evakuimeve që po ndodhin tani”, thotë Brock Long, administrator i Agjencisë së Emergjencave (FEMA).

Më shumë se një milion njerëz janë urdhëruar të evakuohen nga zonat që pritet të goditen nga stuhia.

Kjo është hera e parë që banorët e Norfolk-ut në Virxhinia marrin këtë lloj urdhri, thotë Harry Zhang, profesor në Universitetin Old Dominion.

“Nuk është e zakonshme që ne të evakuohemi, sepse zona jonë është e mirë, mjaft e bekuar nga Nëna Natyrë, por këtë radhë morëm urdhër për evakuim”.

Banorët e zonave bregdetare zakonisht këshillohen të evakuohen në brendësi të vendit, por Zhang thotë se kësaj radhe përmbytjet pritet të përfshijnë edhe zonat më në brendësi për shkak të shiut që parashikohet të vazhdojë disa ditë pas arritjes së Uraganit në tokë.

Në Norfolk ndodhet një bazë e madhe detare e ushtrisë amerikane, ku të martën ushtarët po punonin për të mbrojtur objektet e saj.

Banorët e zonave që pritet të goditen po braktisin shtëpitë dhe po i rrethojnë ato me thasë rëre për të minimizuar dëmet.

Florence pritet të godasë tokën të premten herët. Stuhia që mund të zgjasë disa ditë, do të sjellë deri në 70 centimetra shi dhe do të shkaktojë përmbytje të mëdha. (VOA)

Comment

*