SHBA: Rusia ka dislokuar avionë luftarakë në Libi

Komanda e Ushtrisë amerikane për Afrikën tha se Rusia kohët e fundit dislokoi avionë luftarakë në Libi për të mbështetur kontraktorët ushtarakë të sponsorizuar nga shteti rus, të cilët po ndihmojnë forcat që po luftojnë qeverinë libiane të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Avionët luftarakë rusë mbërritën në aeroportin al-Jufra në Libi nga një bazë ajrore në Rusi pas një ndalese në Siri, ku ata u ringjyrosën për të kamufluar origjinën e tyre ruse, tha të martën Komanda e Forcave Amerikane në Afrikë, AFRICOM.

Avionët luftarakë pritet të ofrojnë mbështetje ajrore për kontraktorët ushtarakë rusë të kompanisë Wagner, të cilët po mbështesin Ushtrinë Kombëtare Libiane (LNA) të udhëhequr nga Gjenerali Khalifa Haftar në ofensivën e tyre një vjeçare kundër Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA).

Komandanti i AFRICOM-it, Gjenerali Stephen Townsend kritikoi Rusinë në një deklaratë për shtyp të martën për shtimin e pranisë së saj ushtarake në Afrikë duke dërguar pilotë mercenarë për të “bombarduar libianët”.

“Për një kohë të gjatë, Rusia ka mohuar nivelin e plotë të përfshirjes në konfliktin e vazhdueshëm libian. Tani përfshirja e saj nuk mund të mohohet. Ne pamë se si Rusia fluturoi avionët e saj luftarakë të gjeneratës së katërt në Libi, në çdo hap të udhëtimit të tyre”, tha gjenerali Townsend.

Ai shtoi se as LNA (Ushtria Kombëtare Libiane) dhe as nismat private ushtarake nuk mund të armatosin dhe të operojnë këtë lloj avioni pa “mbështetjen që ata po marrin nga Rusia”.

Në një telefonatë të shtunën, Presidenti Donald Trump dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndanë shqetësimet e tyre për keqësimin e ndërhyrjeve të huaja në Libi, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Turqia ka siguruar mbështetje ushtarake për qeverinë libiane të njohur ndërkombëtarisht dhe ka paralajmëruar se sulmet nga forcat e gjeneralit Haftari do të kenë “pasoja të rënda”.

Kritikët e përfshirjes ruse në Libi thonë se mbështetja e Moskës për zotin Haftari ka rritur paqëndrueshmërinë rajonale dhe ka ndihmuar në nxitjen e krizës së imigracionit në Evropë.

Komandanit i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe Afrikë, Gjenerali Jeff Harrigian paralajmëroi të martën se Rusia po krijonte kushtet për “shqetësime reale të sigurisë” për Evropën Jugore në të ardhmen e afërt.

“Nëse Rusia pushton bazat në bregdetin e Libisë, hapi tjetër logjik është dislokimi i aftësive të përhershme ushtarake për të mohuar qasjen në distancë të largët në zonat përreth”, që përdoren për të parandaluar udhëtimin e kundërshtarëve nëpër zonën që mbrohet nga arma, tha ai në një njoftim për shtyp. (Carla Babb/VOA)

Comment

*