SHBA-Shqipëri mbështesin biznesin, problem mbetet klima politike dhe korrupsioni

Mblidhet konferenca e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë (AMCHAM) – Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të mbeten besnike të AMCHAM-it, ndërsa ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Florion Mima tha se qeveria në Tiranë është kurdoherë e angazhuar për të zgjidhur problematikat

 

Denion Ndrenika

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria shohin me kënaqësi bashkëveprimin e biznesit dhe mbështesin plotësisht Dhomën Amerikane të Tregtisë (AMCHAM) në përpjekjet e saj për rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë përfundim dilet kur vëren se AMCHAM dhe Shqipëria mbeten partnerë korrektë dhe të rëndësishëm në këtë zhvillim. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të mbeten besnike të AMCHAM-it, ndërsa ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Florion Mima tha se qeveria në Tiranë është kurdoherë e angazhuar për të zgjidhur problematikat.
Përfaqësuesit e SHBA-së dhe Shqipërisë i paraqitën pikëpamjet mbrëmë në Tiranë kur u takuan në fillim të konferencës së AMCHAM-it për publikimin e Indeksit të Biznesit 2012-2013 dhe zgjedhjen e presidentit dhe dy anëtarëve të bordit të saj.
Por, në Indeksin e Biznesit 2012-2013 (gjendja 2012 dhe pritshmëria 2013), të hartuar nga AMCHAM vërehet se politikat qeveritare dhe ndikimi i reformave ekonomike nuk kanë patur efekt në klimën e biznesbërjes. Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, ka vlerësim jo të mirë të zbatimit të kuadrit ligjor, rregulloreve dhe taksave si dhe u vërejt nivel i lartë korrupsioni.
Formulari i anketimit online përmbante 44 pyetje për përgjigje në kushte anonimati mbi klimën dhe gjendjen e biznesit në vitet 2012-2013 në Shqipëri. Përgjigjet më të mira janë dhënë ndaj pyetjeve mbi numrin e përgjithshëm të të punësuarve, doganat, autoritetet e tatim-taksave, sigurinë, rendin, marrëdhëniet me pushtetin vendor, pushtetin qendror, investimet dhe furnizimin me energji elektrike.
Kurse, problemet më të mëdha janë ndeshur në çështjet e tjera që lidheshin me gjendjen dhe klimën politike në Shqipëri, nivelin e korrupsionit, performancën e ekonomisë, konkurrencën e pandershme dhe monopolet në tregje.
Ambasadori Arvizu theksoi se AMCHAM duhet të mbetet në kërkim të standardeve sa më të larta dhe të këmbëngulë për rregulla të hapura dhe trajtimin e drejtë në të gjitha agjencitë regullatore. “AMCHAM-i duhet të jetë ndërmjetësues i ndershëm, jopartiak dhe një organizatë që lobon, pavarësisht se cilat qeveri janë në fuqi”-tha zoti Arvizu.
Ambasadori theksoi se Shtetet e Bashkuara kurdoherë do të jenë partnerë besnikë të AMCHAM-it. Zoti Arvizu iu referua gjithashtu një raporti të hartuar pas një pyetësori të AMCHAM-it mbi indeksin e biznesit: “Ky indeks do të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për të përcaktuar përparësitë e Dhomës në të ardhmen dhe është një mjet për të angazhuar në mënyrë konstruktive zyrtarët e lartë të qeverisë. Shpresojmë që kjo të përsëritet edhe vitet që vinë dhe të shërbejë si një mjet i suksesshëm për të vazhduar vlerësimin e ndryshimit të klimës së biznesit”.
Ministri Florjon Mima garantoi sakaq gatishmërinë e qeverisë për të zgjidhur problemet. Zoti Mima kujtoi takimin e muajit të kaluar me përfaqësuesit e AMCHAM-it në ministri ku u njoh me këto problematika si dhe përgjigjen që kishte dhënë në trajtimin e çdo shqetësimi.
“Ju dhashë një premtim të vetëm solemn se do të punoj me mish e shpirt për përmbushjen e kërkesave nga njerëz që krijojnë pune dhe të mira materiale”- tha ministri Mima, ndërsa shtoi se është mirë që dhomat tregëtare të caktojnë personat për bashkëpunim me qeverinë dhe jo qeveria, përveçse kërkesës për përfaqësim të tyre në Këshillin Konsulativ të Biznesit. Pra, sipas zotit Mima duhet që biznesin ta përfaqësojë një njeri i tij dhe jo qeveria.
Roli i AMCHAM-it në Shqipëri si organizatë biznesi e pavarur dhe private, është të ndihmojë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe paraqitjes së biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare.

Comment

*