SHBA-të ndëshkojnë Sirinë pas përdorimit të armëve kimike kundër popullatës

Pentagoni ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë goditur me 59 raketa Tomahawk një bazë ajrore të ushtrisë siriane, për të cilën zyrtarët amerikanë besojnë se është përdorur për të kryer sulmin vdekjeprurës kimik

Anadolu Agency (AA)

Të dhënat fillestare të Pentagonit flasin se janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar aeroplanë sirianë bashkë me infrastrukturën mbështetëse dhe pajisjet që ndodheshin në aeroportin ushtarak Shayrat.

Raketat ishin shkrepur nga dy shkatërruesit e SHBA-ve në Mesdheun lindor dhe goditën bazën ajrore ku për objektiv kanë pasur avionët, strehimoret e avionëve, naftën dhe logjistikën, bunkerët për furnizim me municion, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe radarët.

“Për të realizuar këtë goditje paraprakisht janë marrë masat e nevojshme për të shmangur rrezikun ndaj personelit në aeroport”, deklaroi kapiteni Jeff Davis i cili tha se sulmi ishte një “përgjigje proporcionale ndaj aktit keqbërës të Asadit.”

Përveç për ruajtjen e avionëve, aeroporti Shayrat është përdorur edhe për të ruajtur armët kimike, tha më tej Davis, sipas të cilit sulmet kanë përfunduar, përveç nëse merret një vendim për sulme tjera.

Rusia, e cila është një përkrahëse e qeverisë së presidentit sirian Bashar al-Asad, ishte informuar për veprimet ushtarake para sulmeve, në mënyrë që të shmanget një mosmarrëveshje eventuale.

“Planifikuesit ushtarakë amerikanë morën masa për të minimizuar rrezikun për personelin rus apo sirian, që ndodheshin në aeroport”, ka thënë Davis.

Presidenti amerikan, Donald Trump, u tha gazetarëve se sulmet janë në “interes jetik për sigurisë kombëtare të SHBA-ve dhe kërkoi nga “kombet e qytetëruara” të bëhen bashkë me Washingtonit për t’i dhënë fund masakrës dhe gjakderdhjes në Siri.

“Duke përdorur një agjent vdekjeprurës nervor, Asadi ka vrarë njerëz të pafajshëm, gra dhe fëmijë. Madje edhe bebe të bukura u vranë mizorisht në këtë sulm shumë barbar”, tha presidenti Donald Trump.

Media shtetërore siriane e quajti sulmin e së enjtes “një agresion i kryer nga SHBA-të”.

Aksioni ushtarak ka tërhequr lëvdata nga ligjvënësit më të lartë republikanë, John McCain dhe Lindsey Graham të cilët thanë se i njëjti ka dërguar një “mesazh të rëndësishëm” se Shtetet e Bashkuara nuk do të “qëndrojnë më duarkryq përderisa Asadi i ndihmuar dhe i mbështetur nga Rusia e Putinit, vret sirianët e pafajshëm me armë kimike dhe bomba fuçi “.

Por jo të gjithë anëtarët e partisë së presidentit kanë mbështetur këtë veprim. Rand Paul shkroi në Twitter se Trump ka nevojë për autorizimin e Kongresit për sulme, siç kërkohet nga Kushtetuta.

Comment

*