SHBA vazhdon ndihmën për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit

Tërmeti 6,4 shkallë i Rihterit shkaktoi 51 viktima dhe mbi 950 të plagosur në 26 nëntor, ndërsa janë regjistuar të paktën 1400 pasgoditje

Denion Ndrenika

Shtetet e Bashkuara thonë se qeveria amerikane vazhdon mbështetjen për Shqipërinë në përpjekje për të kthyer normalitetin pas tërmetit të 26 nëntorit.

Në një postim në facebook, ambasada amerikane thekson se ekipi i Zyrës për Ndihmë të Jashtme në raste Fatkeqësish si dhe USAID-i, po ndihmon me bashkërendimin e vlerësimit të dëmeve me menaxherët vendas dhe ndërkombëtarë të emergjencave.

Tërmeti 6,4 shkallë i Rihterit, më i forti që nga prilli 1979 në Shkodër, shkaktoi 51 viktima dhe mbi 950 të plagosur në 26 nëntor, ndërsa janë regjistuar të paktën 1400 pasgoditje.

41 persona të tjerë u nxorën nga rrënojat e më shumë se 10 mijë e 200 ndërtesave banesa dhe të tjera të shembura plotësisht, pjesërisht, të dëmtuara rëndë apo lehtë.

Me hashtagun “#ShbaQendronKrahShqiperise”, ambasada amerikane postoi këtë tekst në facebook:

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara vijon të mbështesë përpjekjet për rimëkëmbjen pas tërmetit të 26 nëntorit që goditi Shqipërinë. Ekipi i Zyrës për Ndihmë të Jashtme në raste Fatkeqësish e USAID po ndihmon me koordinimin e vlerësimit të dëmeve, së bashku me menaxherët shqiptarë dhe ndërkombëtarë të emergjencave. Ata po punojnë për të përshpejtuar dhënien e ndihmës aty ku ka më shumë nevojë dhe për t’u siguruar që ekipet të shpërndahen në mënyrë efikase për vlerësimin e dëmeve pas tërmetit. #ShbaQendronKrahShqiperise”.

Comment

*