Shefi i FMN-së: Buxheti s’i përballon pensionet e veteranëve të UÇK-së

Prishtinë, 31 gusht 2017 – Ruud Vermeulen, Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, ka thënë se Kosova s’do ta arrijë asnjë marrëveshje ndërkombëtare apo donacion financiar derisa nuk formohen institucionet.

Në një intervistë për Gazetën Express, Vermeulen ka kërkuar urgjentisht kompletimin e reformave për çështjen e pensioneve të veteranëve të luftës.

Ai ka theksuar se Qeveria e ardhshme mund të rrisë paga brenda rregullores së faturës së re të pagave, që hyn në fuqi vitin e ardhshëm

 

Intervista e plotë me z. Vermulen:

 

Express: Kosova tani e një kohë është duke u munduar ta formojë qeverinë e re. Kjo që është tani është vetëm qeveri në detyrë dhe s’ka shumë kompetenca të marrë vendime, ndërsa Kuvendi i Kosovës ka kohë që nuk është funksional. Si është duke e parë tërë këtë proces FMN?

 

Vermeulen: Ne nuk komentojmë çështjet e proceseve politike, veçanërisht kur vonesat lidhen vetëm me matematiken zgjedhore dhe dispozitat e kushtetutës. Prandaj, Kosova duhet të vazhdojë rrugën e reformimit, dhe sa më gjatë të zvarritet formimi (i institucioneve), aq më shumë pasiguri do të ketë dhe vendimet e rëndësishme do të shtyhen edhe më shumë.

 

Express: A është duke e rrezikuar Kosova ndonjë marrëveshje ndërkombëtare me moskrijimin e institucioneve?

 

Vermeulen: Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, asnjë marrëveshje e tillë nuk mund të ratifikohet pa një parlament funksional, përfshirë çfarëdo marrëveshje financiare me donatorë bilateralë apo ndërkombëtarë.

 

Express: A do të ketë pasoja në të ardhmen moskrijimi i institucioneve për Kosovën?

 

Vermeulen: Sipas pikëpamjes sonë, do të jetë e rëndësishme të ruhen politikat financiare dhe fiskale gjatë kryerjes së reformave strukturale për ta përmirësuar konkurrencën e Kosovës dhe prospektet e rritjes ekonomike. Si pjesë e kësaj, ne mendojmë se është e rëndësishme që qeveria e ardhshme t’i përmbushë reformat e pakompletuara të pensionit të veteranëve të luftës, në mënyrë që të ruajë qëndrueshmërinë fiskale. FMN është e gatshme të angazhohet me autoritetet e reja për ta përkrahur zbatimin e politikave dhe reformave të forta, të cilat do ta mbështesin progresin e arritur në vitet e fundit dhe të sigurojnë rritje të fortë dhe gjithëpërfshirëse për të cilën Kosova ka nevojë.

 

Express: A do të mund të ketë rritje te pagave qeveria e ardhshme në mandatin 4 vjeçar?

 

Vermeulen: Po, presim se do të ketë hapësirë për rritje mesatare të pagave brenda limiteve të rregullores së faturës së pagave e cila do të futet në fuqi vitin e ardhshëm. Rregullorja parasheh që fatura e pagave në sektorin publik nuk mund të rritet më shpejt se GDP-ja formale. Brenda këtyre limiteve, ne besojmë se rritjet e pagave janë të qëndrueshme; mbi këto limite, atëherë i futemi problemeve duke e komprometuar buxhetin dhe ekonominë.

 

Express: Veteranët e UÇK-së dhe skemat sociale kanë qenë problem i qeverisë së kaluar. A do të këtë telashe me këto kategori edhe qeveria e ardhshme?

 

Vermeulen: Ligji për buxhetin e vitit 2017 përfshin një kufizim të hollësishëm për shpenzimet në pensionet e veteranëve të luftës për t’u siguruar se shpenzimet e tilla nuk do ta vënë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale. Thirrja për riklasifikimin e veteranëve të luftës në ligjin e ndryshuar për veteranët e luftës pritej t’i ulte shpenzimet në një nivel të qëndrueshëm, por një gjë e tillë ende nuk ka filluar. Prandaj, në mungesë të përshtatjeve në nivelet e pensionit apo numrit të përfituesve, buxheti nuk mund t’i mbulojë kostot e kësaj skeme. Me lejoni të jem i qartë, nuk na takon neve të vendosim se kush ka kontribuar e kush jo në luftë, por kompletimi i reformave në pensionet e veteranëve të luftës është diçka që duhet të bëhet urgjentisht për t’u siguruar se veteranët, të cilët kanë nevojë dhe i meritojnë ato, t’i marrin pensionet e tyre.

/Gazeta Express/

Comment

*