Sherifi: Thaçi e pranoi se do t’i bëjë lëshime Serbisë

Prishtinë, 22 maj 2018 – Kryetari i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka shprehur qëndrim shumë kritik ndaj qëndrimit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me fazën finale të dialogut me Serbinë.

Sherifi, në një postim në Facebook, e ka akuzuar Thaçin se ende pa filluar dialogu ka treguar se “është duke përgatitur koncensione të dëmshme në favor të Serbisë”.

Ai ka ardhur në këtë përfundim nga raportimet se, në Forumin e Sigurisë në Mal të Zi, Thaçi ka thënë se “marrëveshja përfundimtare (me Serbinë)bdo të jetë e vështirë për Kosovën”.

“Është pranim publik nga ana e Hashim Thaçit se është duke përgatitur koncensione të dëmshme në favor të Serbise, sepse edhe vet e pohon se ‘do të jenë të vështira për Kosovën’”, ka theksuar Sherifi.

“…e ndjej për obligim të deklaroj se unë shoh një rrezik për ardhmërinë e Kosovës”, ka theksuar Sherifi.

Nisma Socialdemokrate ka qenë konsistente në qëndrimin e saj që Hashim Thaçi të mos udhëheqë fazën finale të dialogut midis Kosovës e Serbisë.

Partnerët kryesorë të Nismës në koalicionit qeveritar, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, pajtohen që bisedimet t’i udhëheqë Thaçi.

 

Postimi i plotë i Bilall Sherifit:

KONCESIONE TË REJA NDAJ SERBISË RREZIK I RI PËR KOSOVËN!

Sot, mediet e ndryshme të Kosovës informuan se presidenti Hashim Thaçi në fjalën e tij në Forumin e Sigurisë të mbajtur në Mal te Zi deklaroi se: “Marrëveshja përfundimtare, që duhet të jetë obligative, do të jetë e vështirë për Kosovën, por nuk do të jetë e lehtë as për Serbinë”!!!

Pohimi në një forum të tillë se “Marrëveshja përfundimtare do të jetë e vështirë për Kosovën” është pranim publik nga ana e Hashim Thaçit se është duke përgatitur koncensione të dëmshme në favor të Serbise sepse edhe vet e pohon se “do të jenë të vështira për Kosovën”. Pas pranimit publik se në bisedimet përfundimtare është i gatshëm të nënshkruaj vendime “që do të jenë të vështira për Kosovën” e ndjej për obligim të deklaroj se unë shoh një rrezik për ardhmërinë e Kosovës. Përveç deklaratës për vendime të “vështira për Kosovën”, Hashim Thaçi deklaroi se “Marrëveshja përfundimtare nuk do të jetë e lehtë për Serbinë”!

Secili qytetar i Kosovës e shtron pyetjen ndaj një deklarate aq të papërgjegjshme se çka “nuk do të jetë e lehtë për Serbinë”, që:

-Të pranojë krimin e gjenocidit që ky shtet kreu në Kosovë?

-Të pranojë riparimin e dëmeve të luftës?

-Të pranojë kthimin e mjeteve dhe fondeve të plaçkitura nga Kosova?

-Të pranojë dënimin e të gjithë atyre që vranë, dhunuan, plaçkitën dhe rrëmbyen edhe kufomat e shqiptarëve për të fshehur gjurmët e gjenocidit?

-Apo çka tjetër nga ajo që është tepër e rëndë për shqiptarët “nuk do të jetë e lehtë për Serbinë”?

Edhe sikur mos të kishte asnjë arsye tjetër, kjo deklaratë e tij do të mjaftonte të mos i jepet besimi për të udhëhequr më procese të tilla të rëndësishme për vendin, pa marrë parasysh funksionin që ka aktualisht në kuadër të institucioneve të Kosovës. Kjo është e vetmja rrugë që të parandalohet nënshkrimi i vendimeve të “vështira për Kosovën”!

(r.m.)

Comment

*