Shkarkohet kryetari i Gjykatës së Lartë të Maqedonisë Veriore

Shkup, 10 shtator 2019 – Keshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut vendosi njëzëri të martën për ta shkarkuar kryetarin e Gjykatës së Lartë, Jovo Vangellovski. Këshilli Gjyqësor e emëroi Faik Arsllanin kryetar në detyrë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës së Lartë, raporton Zëri i Amerikës.

Në njoftimin për media të Këshillit thuhet se Vangellovski u shkarkua “për shkak të punës joprofesionale dhe të pandërgjegjshme”. Vetë Vangellovski nuk mori pjesë në seancën e Këshillit Gjyqësor.

Zoti Vangellovski mund ta ankimojë vendimin e Këshillit gjyqësor, por për ankesën e tij eventuale përsëri duhet të mblidhet Këshilli Gjyqësor prej nëntë anëtarësh, i cili përbëhet nga tre gjykatës të Gjykatës së Lartë, nga një gjykatës i përzgjedhur nga gjykatat rajonale të Apelit dhe nga dy gjykatës të gjykatës prej nga vjen vetë Vangellovski.

Kërkesa për shkarkimin e tij ishte bërë që para dy vjetësh, pas vendimit për heqjen e masës së paraburgimit për një biznesmen, i cili u arratis më pas.

Vangellovski e ushtroi detyrën e kryetarit të Gjykatës së Lartë në dy mandate, 2008 – 2012 dhe nga viti 2017 deri më tani.

Gjykata e Lartë, nën drejtimin e tij, i shpalli si të paligjshme të gjitha hetimet dhe aktakuzat e  Prokurorisë së Posaçme të ngritura pas qershorit të vitit 2017. Kundërshtarët politikë të VMRO-DPMNE-së e kanë akuzuar si dorë të zgjatur të pushtetit të kaluar që i bllokonte lëndët edhe akuzat e ngritura kundër zyrtarëve dhe njerëzve të afërt me këtë parti.

(r.m.)

Comment

*