Shkëmbim fyerjesh e akuzash mes ish-bashkëpartiakëve, Molliqaj e Konjufca

Prishtinë, 1 qershor 2018 – Dy bashkëpartiakë të dikurshëm, shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, dhe deputeti i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, kanë replikuar mes vete, duke shkëmbyer edhe fyerje e akuza, në adresë të njëri-tjetrit dhe në adresë të partive të njëri-tjetrit.

Replika u zhvillua derisa po diskutohej kërkesa e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit.

Dardan Molliqaj tha se proceduralisht është në rregull kërkesa për shkarkimin e Aida Dërgutit, por politikisht do të ishte më mirë që për çështjet që kanë qenë problem i brendshëm i Lëvizjes Vetëvendosje të merren vesh dy partitë.

Molliqaj kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje që t’i respektojë rregullat.

“Meqenëse Vetëvendosje po thotë se është demorkatike, është institucionale, e ne të tjerët nuk jemi, unë e ftoj Vetëvendosjen le t’i respektojë rregullat. Vendi është ky, Kuvendi. Nëse nuk e voton Kuvendi, çojeni në Kushtetuese. Nëse Kushtetuesja ju jep të drejtë, keni të drejtë, nëse s’është kështu, leni lojërat sepse nuk është fer të anatemohen njerëz si Aida e si të tjerët, të cilët i keni pasë për 12 vjet shokë”, tha Molliqaj, citon Kallxo.com.

Glauk Konjufca me ironi tha se fjalimi Dardan Molliqajt po ngjan me disa fjalime të Presidentit Thaçi të viteve të kaluara.

“Me thënë të drejtën krejt paskam harruar qysh tingëllon Hashim Thaçi në Kuvend, sepse nuk ka qenë këtu për disa vite, me atë stilin ‘Albin për ty kam diçka, por mos më shtin me ta thanë se me ba m’i shku deri në fund ki me pa ti çka të gjen’. Moti më paska marrë malli me e dëgju një kësi diskursi qesharak. Unë mendoj që kjo foltore nuk është fort adekuate që njerëzit me i shpalosë traumat e tyre prej debateve që i kanë pasë, në kuptimin që kjo foltore e ka një dinjitet shumë më të madh”, tha Konjufca.

Kur i  kaloi minutazhi i caktuar për replikë, Konjufca kërkoi t’i vazhdohet koha, kurse Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, iu përgjigj në mënyrë ironike se nuk do t’ia vazhdonte kohën, ndënëse edhe deputetë të koalicionit qeveritar kërkonin që Konjufcës t’i zgjatej minutazhi pë replikë.

“Jo, se po kanë qejf me ju ngatërru”, tha Veseli.

Por, replika i kaloi prapë Molliqajt, pasi i ishte përmendur emri.

“Po more. Unë jam edhe si Hashimi, edhe si Kadria, edhe si Ramushi, edhe si Albini…  Herë  si njani e herë si tjetri, por unë nuk i shërbej kurrkujt. Kurse këtu ka… I pate thanë njanit ‘je sahanlëpirës’ kurse unë nuk po të them ashtu, por po të them se je ba shërbëtor. Veç kryej shërbime. Sa i përket PDK-së, koha ka me tregu me kohë, ju veç e bonët një koalicion me PDK-në kundër Shpend Ahmetit, e ka me pasë edhe koalicione të tjera”, tha Molliqaj. (r.m.)

Comment

*