“Shkëndija” humb përsëri nga Milani, eleminohet nga gara

Shkup, 24 gusht 2017 – “Shkëndija” e Tetovës e përfundoi rrugëtimin drejt fazës së grupeve të Ligës së Evropës.

Në fazën e play-offit të Ligës Evropiane, ajo e humbi edhe ndeshjen e kthimit nga klubi i madh italian “Milan”, me rezultat minimal, 1:0. Golin e vetëm e shënoi talenti Cutrone.

Ekipi tetovar luajti mirë në ndeshjen e zhvilluar të enjten mbrëma. Të shumtën e kohës ishte ekip pothuaj i barabartë me “Milanin”. Gjatë ndeshjes, sidomos gjatë pjesës së dytë të saj, pati edhe raste të shënonte gola, por nuk arriti t’i konkretizojë ato.

Trajneri i “Shkëndijës”, Qatip Osmani, ka deklaruar se humbja e sontme ndaj Milanit ishte pasojë e një gabimi në mbrojtje. Por, ai është shprehur shumë i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij në këtë ndeshje.

“Goli erdhi pas një gabimi në mbrojtjen tonë. Por, në përgjithësi, jam shumë i kënaqur me lojën. Tani do të koncentrohemi në kampionat”, ka thënë Osmani.

Sidoqoftë, ndeshja e sontme Shkëndija – Milan do të mbahet mend për atmosferën e jashtëzakonshme që e krijuan tifozët, të cilët gjatë gjithë kohës i mbështetën fuqishëm lojtarët e klubit të tyre të preferuar. Stadiumi buqiste gjatë tërë ndeshjes nga brohoritjet dhe këngët motivuese.

Në ndeshjen e parë, të zhvilluar në stadiumin e mirënjohur të Milanos “San Siro”, “Shkëndija” kishte humbur me rezultat të thellë, 6 me 0. (r.m.)

Comment

*