Shkolla ku lindin elitat ushtarake

Këtë lloj shkolle e kanë pothuajse të gjithë shtetet seriozë, të mëdhenj e të vegjël, si, p.sh., SHBA ka 22, Rusia 9, Franca 6, Italia dhe Turqia nga 4, Anglia 3, Kanadaja dhe Portugalia nga 1, e kështu me radhë…

Kolonel Dilaver Goxhaj

*Alias “Shpëtim Golemi”, ish-zv.shef i Shtabit të UÇK-së

Në një prej intervistave, dhënë nga z.Sali Berisha, kur është pyetur se “pse e mbyllët shkollën e mesme të përgjithshme ushtarake “Skënderbej?”, ai dha afërsishtë këtë përgjigje: “Është antihumane t’i edukosh fëmijët në moshën e adoleshencës me një disiplinë të tillë spartane”.

Për fat të keq tonin, shumë intelektualë, politikanë të majtë e të djathtë, midis tyre dhe ushtarakë, e quajnë të drejtë këtë përgjigje të z.Berisha, duke harruar edhe vetë z.Berisha, se qeveria e tij, kur ai ishte edhe president, dërgoi një sasi të konsiderueshme adoleshentësh të vendit tonë në shkollat e mesme ushtarake në Turqi.

Mirëpo, z.Berisha, si dhe të gjithë presidentët e kryeministrat pas tij, që kanë këtë mendim për shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, nuk e dinë që këtë lloj shkolle e kanë pothuajse të gjithë shtetet seriozë, të mëdhenj e të vegjël, si, p.sh: SHBA ka 22 shkolla të tilla, Rusia 9, Franca 6, Italia dhe Turqia nga 4, Anglia 3, Kanadaja dhe Portugalia nga 1, e kështu me radhë.

A mund të pranojmë se të gjithë këta shtete janë antihumanë, sikundër mendojnë e shprehen këta politikanët tanë të gjithëdijshëm?!

Domosdoshmëria e shkollave të mesme ushtarake është e lidhur organikisht me edukimin dhe elitat e ushtarakëve

Ndoshta, me pranimin e Shqipërisë dhe të Ushtrisë së saj në NATO, është rast i rëndësishëm historik që të rrisim në opinionin publik ndërgjegjen e institucioneve tona të larta shtetërore, që kanë të drejtë vendimmarrëse, në interes  të  riaktivizimit të një institucioni të madh  formues, sikundër është Shkolla e Mesme e Arsimit të Përgjithshëm Ushtarake, e cila nuk është thjesht edukim ushtarak, por që, përmes metodologjisë, aktiviteteve dhe programeve moderne të mësimit, që ajo përdor, bëhet e mundur arritja e formimit të hierarkive të reja ushtarake, si dhe protagonistë të rinj të profesioneve jashtë fushës ushtarake, sikundër do ta sqarojmë më poshtë.

Kuptohet se, sa herë flitet për formimin ushtarak, mendja të shkon menjëherë te Akademitë Ushtarake, dhe të paktë janë ata politikanë, për mos të thënë se në këto tre dekada nuk kemi parë apo dëgjuar politikanë që të dinë rëndësinë që ka shkolla e mesme ushtarake, funksionin e saj jo vetëm në pranimin e kadetëve në akademitë e ndryshme ushtarake të vendit dhe të shteteve të tjera antare të NATO-s, por edhe në kërkesat specifike të profesionalizmit që vinë direkt nga bota civile e punës.

Parë nën një këndvështrim të veçantë në pjesën më të madhe të shteteve antare të NATO-s, por edhe në ato të Lindjes, mund të themi se shkollat e mesme ushtarake kanë qenë prej shekujsh dhe vijojnë të jenë forma e parë e institucionit publik të mesëm për t’iu përgjigjur faktikisht nevojave gjithnjë në rritje për njerëz të kualifiuar për Forcat e Armatosura që shtetet si Franca, Spanja, Italia, Anglia, Portugalia, Austria, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, Rusia, Turqia etj., kanë ngritur shkolla të tilla ushtarake që janë njohur përgjithësishtë me emrin: “shkollat e kadetëve”.

Po t’i hedhim një shikim historisë së këtyre shkollave, shohim se fillesat e tyre, të strukturuara posaçërisht për ushtrinë, nisin qysh nga viti 1600, ndaj të cilave gjithnjë është rezervuar një vëmendje e madhe, më shumë se ndaj shkollave të tjera të mesme që krijonin profesionistë të ndryshëm. Regjistrimi në këto lloj shkolla, në shtetet e lartpërmendura, prej para 400 vjetësh dhe deri në ditët e sotme, ka qenë dhe është privilegj i madh për familjet e nxënësve që pranoheshin në to. Mjafton të kujtojmë sforcon e madhe  të Karl Bonopartit, i cili me shumë vështirësi morri nga marshalli i Korsikës një rekomandim që zyra e heraldikës t’u dorzonte Bonopartëve dëshminë e fisnikësrisë, se vetëm në këtë mënyrë mbreti Luigj kish të drejtën ta lejonte ta bënte një nga djemtë e familjes oficer[1]), dhe  “pas shumë ndërhyrjesh, në vitin 1779 arriti ta regjistronte Napoleonin,  atëherë dhjetë vjeç, me bursë të shtetit, në shkollën e Brienit, në lindje të Francës”[2]).

Por historia tregon se përgatitja për komandantë lufte qysh në moshën fëminore është trashëguar të paktën 4 shekuj para Krishtit, ku historiani gjerman Artur Vajgal sqaron se, “Në atë kohë kur Aleksandri ishte gati 12 vjeç (viti 367 p.e.r, DG), duket se Filipit iu ngjall interesi për djalin…Filipit i interesonte shumë ta shkëpuste Aleksandrin prej ndikimit të mbretëreshës, Olimpiadës, prandaj, ai tok me Aristotelin vendosën që shkollën e re ta ndërtonin pak larg nga kryeqyteti. Për këtë zgjodhën qytetin e vogël të Miezas… Godinat e shkollës i ndërtuan në një pyll të lashtë nimfash”[3]). Edhe “Skëndërbeu q’i kadhë edhe do t’i apë gjithë jetënë nder Shqipërisë, ky burrë i pashoktë ish fosnjë, kur ra ndër duart të Tyrqet, e u rit në plasët të Sulltanit; që pa mbirë qime në faqet e tij tregonte trimërira e bënte punëra n’ushtëri të Tyrqet, që çuditësh gjithë bota; kudo që vinte, muntte e njeri s’i qëndronte dot kundrejt.”[4])

Po ashtu edhe Suvorovi, qysh 15 vjeç regjistrohet në shkollën ushtarake, ndërsa Kutuzovi në vitin 1757, kur ishte 12 vjeç[5]).

Kjo traditë jo vetëm që ekziston ende në Evropë, por është përhapur pothuajse në shumicën e shteteve antare të NATO-s dhe në të gjithë kontinentet. P.sh., Kolin Pauell regjistrohet në kolegjin ushtarak kur ishte 17 vjeç: “Kolegjet si ai që studjova unë qenë Harvardi dhe Princetoni i të varfërve”[6], shkruan ai në kujtimet e tij. Edhe udhëheqësi i revolucionit të Amerkës Spanjolle (Venezuela, Peru, Panama, Kolumbi, Ekuador dhe Bolivi), gjenerali Simon Bolivar (1783-1830, lindur në Karakas), hyri në shkollën e mesme ushtarake në Aragua në moshën 14 vjeçare dhe emërin e tij e mban sot Bolivia[7]).

Por edhe Karl Fon Klauzeviç (178-1831) qysh në moshën 12 vjeçare iu bashkua ushtrisë prusiane dhe në vitet 1793-1794 merr pjesë në fushatëne Rinit kundër ushtrisë franceze dhe në moshën 14 vjeç titullohet oficer[8]), gjë që vërteton se  në këtë moshë shpalosen virtytet, aftësitë dhe prirjet për profesionin e ushtarakut.

Duke u qëndruar besnikë traditave kulturore të trashëguara, vijimisht këto shkolla janë konsideruar dhe konsiderohen pararoja e ushtrive përkatëse si dhe në të njëjtën lidhje me proceset që karakterizojnë shoqërinë e sotme moderne. Këto shkolla kanë qenë dhe janë pararoja e korpusit të ushtarakëve, por edhe në drejtime të tjera, sepse në këto shkolla janë të rrënjosura tepër thellë vlerat themelore dhe parimet e besnikërisë si dhe shpirti i kolektivitetit, të vlerësuara sëbashku me respektin. Ja si shprehet ish-kryetari i dhomës së deputetëve të parlamentit Italian, Xhan Frako Fini: “Në ato shkolla nuk mësohet vetëm regulli dhe bindja ndaj regullave, por kërkohet që të maturohet tek ta bindja që vetëm ai që di të bindet sot, brenda një kornize korrekte të të drejtave dhe detyrave, do të dijë nesër të komandojë sisteme komplekse”[9]).

Vështrim historik i ndërsjelltë për shkollat e mesme ushtarake në planin kombëtar dhe ndërkombëtar

“Ushtria e kaprojve, e udhëhequr nga luani, është më e fuqishme se ushtria e luanëve e udhëhequr  nga kaprolli”.

Fjalë e Urtë Ushtarake Angleze e vitit 1644

 Po e nisim me fqinjën tonë më të afërt, Italinë. Ajo ka aktualisht 4 shkolla të mesme ushtarake, si ajo “Nunziatella” në Napoli, themeluar qysh më 18 Nëntor 1787 nga Mbretëria e Napolit; shkolla e mesme ushtarake navale “Françesko” në Venecia, e themeluar prej vitit 1937; shkolla e mesme ushtarake “Teueli” në Milano, themeluar prej vitit 1839; shkolla e mesme ushtarake e aviacionit “Giulio Douhet” në Firence, themeluar në 15 Maj 2006. Pranimi në këto shkolla bëhet me konkurs. Në fund të çdo viti shkollor studentët frekuentojnë edhe një kamp ushtarak pranë një reparti të Forcave të Armatosura për të përfituar elementë praktikë të përgatitjes për luftim, ku përfshihen dëndur edhe qitjet me armë në poligon, përgatitje sanitare, luftim trup me trup etj. Në këto shkolla pranohen prej moshës 15 vjeç, por edhe nxënës që mund të kenë kryer një apo dy vite shkollë të mesme civile, por këtu nuk u merret parasysh, e fillojnë prej vitit të parë. E veçanta e Italisë është se 20% e vendeve në Akademinë Diplomatike Shtetërore rezervohen për maturantët e këtyre shkollave ushtarake[10]).

Franca ka 6 shkolla të mesme ushtarake, për të tre llojet e armëve, të cilat thirren Lice Ushtarak, ku studjojnë rreth 4000 nxënës. Pranohen kryesishtë nxënës të familjeve franceze që jetojnë në Francë dhe jashtë saj, por, përparësi kanë fëmijët jetimë të ish-ushtarakëve, dhe familjet e ushtarakëve. Në njw prej këtyre shkollave ka kryer studimet edhe “Ariu i Luftës”, Norman Shvarckof, deri sa shkoi në Uest Point[11]). Në shenjë respekti pse Shvarckof pat kryer shkollën e mesme ushtarake në Francë, ndaj dhe Legjoni i Huaj Frances, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Gjirit kundër Irakut e ftoi atë në një ceremoni të jashtëzakonshme, duke i dorzuar titullin e nderit “Kapural”, i pari dhe i vetmi amerikan deri sot i nderuar me një titull të tillë nga Legjioni Frances[12]). Është vendi ta theksojmë se Liceu Ushtarak në Sarthe mban sot e gjithë ditën emrin që i pat vënë Napoleoni qysh në 24 mars1808, pavarësisht se është krijuar prej vitit 1604:  “Prytane Natonal Militaire”, duke iu referuar liceut klasik grek Prytaine, një institucion ekskluziv që përbënte zemrën politike dhe fetare të qyteteve-shtet të Greqisë antike, ku pat filluar mësimet Aleksandri i Madh në vitin 367 p.e.r, e cila ishte shkolla e filozofit të madh, Platonit[13]). Studentët që bëjnë pjesë në këta lice thirren “brutions”, si referim klasik i rajonit Brutium, në Romën e Lashtë, banorët e të cilit dalloheshin për ashpërsinë dhe shpirtin e tyre luftarak[14]). Në këto shkolla kadetët francezë pranohen qysh në moshën 10 vjeçare.

Anglia ka një veçori, këto shkolla i ka në dy varjante. Një varjant është ai që i merr në moshën 16 deri 18 vjeç, i cili quhet kolegji “Welbeck”, dhe ka dy të tillë, themeluar prej vitit 1953. Për të dy vitet çdo kolegj ka 150 studentë, duke pranuar çdo vit 50 studentë në shtator dhe 25 studentë në janar. Në këto shkolla bëjnë përgjithësisht përgatitje ushtarake dhe përgatiten si oficerë teknikë. Këtë lloj kolegji e kanë edhe në SHBA. Ndërsa shkolla tjetër e mesme quhet “Duke of Yorks Royal Military School”, themeluar në vitin 1803. Këtu nxënësit i pranon prej moshës 11 vjeç deri 18 vjeç.[15])

Portogalia shkollën e mesme ushtarake e quan “Kolegjio Militare” dhe ndodhet në Lisbonë, e themeluar prej vitit 1803. Në këtë shkollë hyjnë fëmijë prej moshës 10 vjeç deri në 18 vjeç, ku bëhen gati për Akademi Ushtarake dhe Universitet. Nga kjo shkollë kanë dalë 5 presidentë të Portogalisë[16]).

Austria, si dhe Portogalia, ka vetëm një shkollë të mesme ushtarake, themeluar qysh në kohën e të qenit perandori.

Kanadaja, edhe kjo ka vetëm një shkollë të mesme ushtarake, me emrin “Robert Land Academy”, në Ontario, themeluar në vitin 1917. Në kë shkollë nxënësit merren prej klasës së 7-të deri në të 12-ën[17]).

Turqia ka 4 shkolla të mesme ushtarake, ajo “Denis Lisesi”, në Stamboll, themeluar në vitin 1773, e cila është katër vjeçare; vitin e parë mësojnë anglisht, ndërsa tre vitet e tjera mësimi zhvillohet turqisht. Sholla tjetër është “Bursa Ipyklar Askeri Lisesi”, në Bursa, e cila e ka fillesën prej vitit 1844. Shkolla “Kuleli Militare High School”, edhe kjo në Stamboll, themeluar prej vitit 1845; ndërsa shkolla tjetër “Izmir Maltepe Askeri Lisesi”, në Izmir, është themeluar në vitin 1928.

Rusia disponon 8 shkolla të mesme ushtarake “Suvorov” dhe një për marinën “Nakhimov”. Nxënësit i marrin prej moshës 14 vjeç[18]).

Gjermania fillesën e shkollës së mesme ushtarake e ka në vitin 1813 kur mbreti Frederik Vilhelm III formoi tri shkolla lufte për kadetët[19]). Sistemi i përzgjedhjes së kadetëve ishte sipas klasës dhe origjinës. Kjo shkollë u konsiderua si guri i rëndësishëm themeltar historik për të ardhmen e oficerit të Bundesverit.[20]

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përsa i përket shkollave të mesme ushtarake kanë një veçori nga të gjithë shtetet e lartpërmndura, si në sasinë ashtu edhe në larminë e tyre. Jo vetëm që SHBA kanë 22 shkolla të tilla, në 17 shtete të ShBA, por shkojnë në shumicë edhe vajza. Nxënësit merren prej moshës 10 vjeç deri në 17 vjeç. Kur kanë kryer një prej këtyre shkollave, ata shkojnë në Uest Point. Në këto shkolla kanë filluar karjerën ushtarake Xh. Xh. Pershing, D. D. Ajzenhauer[21]), i cili  arriti deri President i SHBA, si dhe shumë personalitete të tjera të shquara ushtarake dhe politike. Veçori tjetër është se në këto shkolla të mesme, sikundër u shprehëm më lart, pranohen edhe vajza, me të njëjtat kritere si dhe për djemtë, dhe që mësojnë në klasa të përbashkëta, stërviten po në klasa të përbashkëta dhe, e veçanta për vajzat është, se nuk ua presin flokët deri në maturë, por, në hyrjet e fjetinave të tyre shkruhet me gërma të mëdha: “Bukuria e juaj nuk qëndron tek flokët, por tek sjellja juaj.”[22])

Në Amerikë, në pragun e konkurimit për në këto shkolla, familjarët që dërgojnë fëmijët prezantohen me njoftimin: “Djali ose vajza e juaj që do të pranohet kadet, jeta e tyre do të ndryshojë për mirë. Ata nuk do të mësojnë vetëm disiplinën, regullin dhe punën e strukturuar, ata do të mësojnë të jenë të pavarur dhe të mendojnë për veten e tyre në çfardo rrethane, larg të qenit robot, por do të bëhen individë të ndjeshëm, të cilët do të kujdesen për veten e tyre, për familjet e tyre dhe për kombin amerikan”[23]).

Fillesat e shkollave të mesme ushtarake në SHBA nisin prej vitit 1842, ndërsa ajo më e reja është hapur në vitin 1916. Njëzetedy shkollat e mesme ushtarake ndodhen si më poshtë:  Dymbëdhjetë shkollat e mesme ushtarake, që pranojnë vetëm djem prej klasës së 7-të deri në të 12-ën, një tjetër i merr prej klasës së 5-të, ndërsa një tjetër prej klasës së 4-t, ndodhen në:  Carlsbad, CA; Camden, SC; Në Bloomfield, PA; Waynesboro, VA; Fork Union, VA; Chatham, VA; Mexico, MO; Gainesville, GA; Anaheim, CA; Salina, KS; Delafield, ËI; Ëayne, PA.[24])

Ndërsa 10 shkollat e tjera të mesme ushtarake, që pranojnë djem dhe vajza, prej klasës së 7-të, të 8 dhe të 9-të deri tek e 12-ta, ndodhen në: St. Petersburg, FL; Culver, IN; Melbourne, FL; Howe, IN; Woodstock, VA; Roswell, NM; Oak Ridge, NC; Front Royal, VA; San Antonio, TX; Lexington, MO.

Po t’i referohesh objektivave të të gjitha shkollave të mesme ushtarake amerikane, por edhe atyre të vendeve të tjera që përmendëm më lart, rezulton se objektivat i kanë të njëjtë dhe përmblidhen në gjashtë pika:

  1. Të bëhen qytetarë të mirë, me dije të thella dhe patriotë.
  2. Të zhvillojnë vetëbesimin, lidërshipin dhe përgjegjshmërinë.
  3. Të zhvillojnë aftësi të mira në komunikim dhe në të shkruar.
  4. Të zhvillojnë dhe t’i japin rëndësi përgatitjes fizike.
  5. Të rrisin respektin për rolin e ushtrisë në mbështetje të objektivave kombëtare.
  6. Të zhvillojnë aftësitë për të punuar në grup dhe në drejtim të teknikave ushtarake[25]).

Po Shqipëria a ka një traditë të tillë?

“Kur e kaluara pushon së hedhuri dritën e saj mbi të ardhmen, mendja e njeriut endet në errësirë”.   

                                          Tokëvili

Edhe në Shqipëri ekziston tradita e funksionimit të shkollës së mesme ushtarake e tipit klasik-shkencor, e njohur me emrin “Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake – Skëndërbej”, në Tiranë, e themeluar më 28 Marsit 1945 dhe e mbyllur pas 47 vitesh, në Nëntor 1992[26]). Fillimisht ajo u quajt “Shkolla e pionerëve ushtarakë”, dhe në vitin 1947 morri emrin e mësipërm. Në vitin 1963 ajo u shndrrua në shkollë e mesme e tipit klasik-shkencor-teknik-arte, (thënë ndryshe: klasik-shkencor-politeknik), pasi filloi të dërgojë nxënësit e saj në të gjitha shkollat e meme profesionale të Tiranës, përfshi edhe në Liceun Artistik “Jordan Misia”, përjashtuar vetëm shkollën e mesme mjekësore. Shkonin në këto shkolla në ora 08.00, të organizuar, veshur me uniformë ushtarake, dhe ktheheshin pas mësimit duke iu nënshktruar orarit të veprimeve të Shkollës “Skëndetrbej”. Këtë veçori të shkollës së mesme ushtarake shqiptare nuk e ka asnjë vend tjetër.

Bashkëkohesit civilë të këtyre kadetëve, në shkollat e të cilëve në Tiranë shkonin Skëndërbegasit e vegjël me uniformën e bukur ushtarake, flasin me respekt dhe nostalgji, duke u shprehur: “Skëndërbegasit ne i kishim si pikë orientimi për gjithçka pozitive dhe, veçanërisht për ecurinë në mësime dhe gjallërinë fizike”. Për një shkollë të tillë dhe me këtë emër ëndëronin dikur Rilindasit tanë, e shprehur kjo edhe nga eruditi dhe staticieni Sami Frashëri tek libri “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, i cili thotë “Në kryeqytet të Shqipësë, të cilënë mundimë mundimë ta quajmë Skënderbegas… Përveç shkollave të dyta e të treta do të jetë një shkollë ushtërje me këtë emër, më pastaj duhet të hapenë: një në Shqipëri të Sipëme, (kuptohet në Kosovë, D.G), e një në të Poshtmet. Shkoll’ e aniërisë duhet të jetë mb’anë detit, tek të jen’ edhe aniat’ e luftësë, në Durrës a në Ujët-të-Ftohtë, afër Vlorësë.”[27])

Deri në vitin 1950 në këtë shkollë pranoheshin prej moshës 10 deri 18 vjeç; pas këtij viti filluan të pranoheshin në moshën 14 deri 18 vjeç. Nga dyert e kësaj shkolle kanë dalë një president i Shqipërisë, 9 shefa të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë sonë dhe dhjetra ministra të të gjitha lëmive, pa folur për mjekë të shquar, shkrimtarë dhe poetë me emër, pilotë, oficerë marine, inxhinjerë, arkitektë, mjeshtra sporti të të gjitha drejtimeve nga më të shquarit në vend, si dhe piktorë e artistë me famë, si Mentor Xhemali me plejadën e tij; janë rreth 200 personalitete shkencore të të gjitha fushave etj. Nga që në këtë shkollë kultivohej sensi i drejtësisë dhe sinqeriteti, ndaj dhe ka patur 112 të dënuar politikë, midis tyre edhe të pushkatuar si oficeri poet Trifon Xhagjika[28]) etj, si në asnjë shkollë tjetër të vendit tonë! Dhe kjo ndodhi sepse skëndërbegasit udhëhiqeshin nga parimi: Po e di të vërtetën, thuaje haptas, ndryshe mbetesh gjithmonë një shkurtabiq i mjerueshëm.

Njeriu që mbaronte shkollën Skënderbej dilte i formuar. Njohja e bazave të shkencës e të artit të luftës nuk e bënin atë të përçmonte çdo lloj arti tjetër, prandaj skënderbegasi nw tw njwjtwn kohw ishte edhe edukator, edhe ushtarak. Me pak fjalë, skënderbegasi kur mbaronte Shkollwn e Bashkuar të Oficerave (sot Akademia Ushtarake) e më pastaj, pas një periudhe si komandant reparti kryente Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm (sot Kolegji i Mbrojtjes), ishte një njeri i denjë për të zënë një post të lartë shtetëror, ngaqë kishte fituar aftësitë e nevojshme për të udhwhiqur e komanduar me përgjegjshmëri të lartë, përpikmwri dhe gjithë autoritet të cilin ia jepnin dijet e gjithanshme.

Ish-korpusi kryesor i klasave të shkollës, foto e v.1991

Thuajse gjithë gjeneralët që ka sot ushtria shqiptare kanë dalë nga bankat e asaj shkolle.  Niveli i përgatitjes së nxënësve të saj ishte i tillë, sa në konkurset kombëtare të shkollave të mesme, kjo shkollë merrte pjesë jashtë klasifikimit, pasi mund të zinte pa diskutim vendin e parë me çdo ekip të saj, për mos të folur se gjithë ekipet e të rinjve të Klubit Sportiv “Partizani” dilnin nga kjo shkollë. Nuk mund të quhet rastësi që nga pesë oficerët e Ushtrisë Shqiptare, që shkuan vullnetarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me funksione të larta, brenda në territorin e Kosovës, para se të angazhohej NATO në atë luftë, katër prej tyre ishin Skëndërbegas! Kjo përbë provën më të pakontestueshme se oficerat e dalë nga Shkolla e mesme Ushtarake Skënderbej ishin kuadrot më të sprovuara, më idealiste dhe besnikët më te pakrahasueshëm ndaj atdheut dhe popullit shqiptar. Ky fakt dhe ai i shkuarjes në Luftën e Vietnamit një grup oficerash dalë nga kjo shkollë, për të marrë përvojën e asaj lufte, si dhe ato të lartpëmendura më lart pë cilësitë e nxënësve të kësaj shkolle ushtarake shqiptare flasin për punën e kujdesshme përzgjedhëse që ka bërë kjo shkollë, njohja e së cilës përbën një thesar me vlerë, si në sferën kulturore ashtu edhe në veprimtarinë praktike të oficerit të dalë nga Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej. Fakti i fundit flet edhe më qart për vlerat e larta të kësaj shkolle, si dhe njëherësh argumenton se ndryshimet strukturore të shkollimit të oficerave tanë duhet të marrin për bazë argumentin dhe jo dëshirat apo bindjet politike. Ky fakt hap te lexuesi një këndvështrim kurajoz e të ratë për t’u futur në të “fshehtat” dhe “sekretet” e ndërtimit, të funksionimit e të përsosjes së shkollimit të oficerit shqiptar, pasi oficerët e dalë prej kësaj “fidanishteje” të ushtrisë janë specialistë në një fushë të caktuar e prioritare siç është ajo e drejtimit.

Të gjithë të dhënat që sollëm për shkollat e mesme ushtarake të vendeve të lartpërmendura dhe ato pë Shkollën e Mesme Ushtarake “Skenderbej” shpjegojnë, se pse SHBA, Francë, Itali, Angli, Rusi, Turqi, Gjermani e shumë vende të tjera e mbajnë dhe e zhvillojnë me shekuj këtë lloj shkollave ushtarake, e cila është shndëruar në traditë kombëtare të secilit shtet, gjë që të len të kuptosh, se ato shtete, ekzistencën e ushtrisë nuk mund ta kuptojnë pa ekzistencën e shkollës së mesme ushtarake. Sikundër e pamë, në vend që kjo traditë të vinte duke u reduktuar qoftë edhe në një nga ato shtete, ka ndodhur dhe po ndodh e kundërta. Madje Italia prej vitit 2009 ka filluar që në shkollat e mesme ushtarake të pranojë edhe vajza.

Parë në këtë retrospektivë, do të ishte më shumë se marrëzi që, riaktivizimin e shkollës sonë të mesme ushtarake, dikush ta quaj nostalgji për sistemin shoqëror për kohën që ajo shkollë funksionoi.

Disa konkluzione mbi nevojën e rihapjes së shkolles  së mesme ushtarake në kushtetet e shoqerisë sotme demokratike dhe të antaresimit në NATO

 Përvoja e ime e gjatë ushtarake si kadet, kursant, akademist dhe oficer karjere si dhe e kolegëve të mi tregon se në shumicën e tyre (kudo ka përjashtime) oficerat që nuk kishin dalë nga shkolla “Skëndërbej” më mirë dinin të ruheshin që të mos gabonin se sa të ndreqnin gabimet e vartësve apo të kolegëve. Kjo natyrë, kësaj kategorie oficerash, nuk u jepte atyre as rritje autoriteti dhe as lavdi dhe gjithnjë vepronin nën ndihmën dhe përkrahjen e partisë ose të nepotizmave. Kjo veçori vërehet edhe sot tek kjo kategori oficerësh, të cilët gjithë veprimtarinë e tyre  e mbështesin tek ndihma e politikanit a pushtetarit që i ka ngritur në detyrë, mirëpo, janë pak ose aspak, të tillët që gëzojnë autoritetin dhe respektin e mjedisit ku drejtojnë.

Ndërsa ata oficerë që vinin nga ajo shkollë e mesme mbështeteshin tek aftësitë e tyre dhe në këtë mënyrë e shmangnin urrejtjen e masës së ushtarëve dhe nënoficerëve, por edhe të kolegëve oficerë, sepse punonin me guxim dhe sinqerisht e jo me dinakëri. Këto veçori ishin të ushqyera nga programi i Shkollës së Mesme Ushtarake Skenderbej, në të cilën kultivohejguximi dhe saktësia, gjykimi kritik, objektiviteti dhe aftësia intelektuale, besimi në vetvete, vetëkontrolli, nderimi dhe pasjoni për uniformën. Sot, oficerët që e kanë filluar karjerën ushtarake nga kjo shkollë janë anëtarë të shoqërisë “Skënderbegasit”, një shoqëri që kultivon traditën e oficerit shqiptar, duke zhvilluar takime. Këto takime edhe sot dëshminë që oficerat e dalë nga kjo shkollë kanë një bagazh unik mendimesh.

Që oficeri të jetë i suksesëshëm në jetë, sidomos sot që oficerat tanë shkojnë e do të shkojnë në misione ndërkombëtare, ai duhet të dijë të sillet sa dinjitoz edhe njerëzisht, por edhe ashpër kur t’ia lypë nevoja. Por edhe kur të sillet ashpër përsëri të gëzojë respektin e kolegëve të ushtrive të tjera. Këto cilësi oficeri i fiton vetëm kur maturohet karakteri i tij, e cila është periudha e adoleshencës, shkolla e mesme. Vetëm në atë lloj shkolle,  “oficeri arrin të jetë dhelpër  që të njohi kurthet, luan që të trembi ujqit”[29]), sikundër shprehet Makiaveli. Prandaj, bazuar si në përvojë 47 vjeçare tonën dhe në ato shekullore të shteteve të tjera, është më se e nevojshme ta ringremë shkollën e mesme ushtarake, sikundër e kemi pas 30 vitet e fundit të saj.

Së pari, për të trashëguar dhe për të ngritur në një nivel gjithnjë e më lart vlerat e pakthyeshme që duhen mbrojtur, sidomos në momente të caktuara historike, ku eklipsi i “besimeve” tradicionale ndodh që ushqen forma relativizmi shpesh në kundërshtim me të mirën e përbashkët.

Dhe një moment i tillë ndodhi në fillim të viteve ’90, kur në Shqipëri ndryshoi sistemi ynë shoqëror. Ishin oficerat e dalë nga ajo shkollë e mesme ushtarake, të cilët e mbajtën ushtrinë në kazerma. Madje, kur Shkolla e Bashkuar e Oficerave “Enver Hoxha” u urdhërua që të shkonte për të sheshuar revoltën e universitarëve, ishin studentët skëndërbegas ata që refuzuan menjëherë me rebelim dhe nuk lanë as shokët e tjerë të shkonin kundër kolegëve universitarë.

Së dyti, kjo shkollë, duke qënë se udhëhiqet nga motoja: “Për ushtrinë dhe jetën”, ajo qysh në momentin që kandidati arrin të kalojë në konkursin e pranimit, që në atë moment ai i përgjigjet një lloj identiteti preçiz: atë të një personi që, edhe pse ende i pamaturuar intelektualisht, të jetë i udhëhequr nga motive të thella, para së gjithash ai i vendosjes në shërbim të Atdheut, dhe në mënyrë jo direkte në shërbim të idealeve mbi të cilat është bazuar Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe që Shqipëria është e detyruar të pranojë në arenën ndërkombëtare.

Së treti, duke qenë se shkolla e mesme e përgjithshme ushtarake ushëhiqet nga motua: “Për ushtrinë dhe jetën”, ajo shkollë nuk i përgatit nxënësit vetëm në funksion të nevojave kolektive, por edhe në atë të funksionimit të karakterit të tyre, me një profesionalitet të tillë që të jenë në gjendje jo vetëm të ndërmarrin me sukses rrugën e akadmive ushtarake, por edhe në alternativën tjetër: të hyjnë në shoqëri me një bagazh principesh dhe njohurish teknike që do t’i ndihmojë të ndërtojnë të ardhmen e tyre jo vetëm në ushtri por edhe jashtë saj, duke qenë model për shoqërinë. Nën këtë profil, shkolla e mesme e formimit ushtarak nuk përbën “një botë më vete”, por ajo do të qëndrojë e karakterizuar nga vlerat e saj të çmuara dhe nga kultura e tyre e rrënjosur në traditën historike; jo vetëm kaq, por ajo shkollë do të prezantojë një shembull të qartë se si bota ushtarake mund të afrohet dhe të integrohet në shoqëri përmes përhapjes së një kulture moderne.

Së katërti, sot distanca  midis shoqërisë dhe institucioneve të mbrojtjes ka tendenca edhe më progresive të shkurtimit, duke na afruar një skenar të ri për kulturën tonë kolektive. Probleme dhe vlera që janë emërgjente në trupin tonë social, historia ka treguar se gjenden dhe shfaqen edhe në kuadrot e dala nga shkolla jonë e mesme e përgjithshme ushtarake e dikurshme.

Cilat janë vlerat e shkollës së mesme ushtarake?

Arsimimi, pa e pasur  zemrën dhe shpirtin e arsimuar është edhe kjo një farë shkolle me dituri, por pa ndërgjegje.”

  1. Shopenhauer

 Para një dekade u eksperimentua në Tiranë hapja dhe funksionimi i Universitetit Ushtarak “Skëndërbej”. Pavarësisht se ajo u shfaq si një risi shpresëdhënëse, koha vërtetoi se nuk pati jetëgjatësi. Natyrshëm lind pyetja: Pse nuk pati jetëgjatësi Universiteti Ushtarak? Shumëkush mund të reshtojë një sërë argumentash, madje edhe mund të të bindi me ato, por kryesoja është se ideuesit e atij Universiteti e filluan ndërtimin e “shtëpisë” nga çatia dhe jo nga themelet. Formimi, apo thënë ndryshe, maturimi i të riut përfundon bashkë me adoleshencën, në moshën 18 vjeçare. Kushdo mund të bindet për këtë po të kalojë në kujtesë historinë e profesionit përkatës se, elitat kanë dhënë shenja se si të tilla përgjithësisht në shkollat e mesme profesionale, të çdo lloj lëmije në jetë. Kështu që, shumica e atyre që regjistroheshin në Universitëtin Ushtakak “Skëndërbej” të Turanës vinin në plan të parë interesin fitimprurës për jetën, e shihnin atë si varjantin e fundit për arsimim të lartë. Si të tillë ata i dhanë vetes më shumë liri se sa lejon disiplina ushtarake në shkollat ushtarake, sepse në atë moshë e kishin të vështirë të përballonin disiplinën ushtarake, e cila kultivohet në shkollat e mesme ushtarake, ndërsa, në kushtet e të mësuarit universitar, njësoj si edhe në shkollat e mesme civile, mungon ndjenja e kolektivitetit. Prandaj dhe Universiteti Ushtarak që ish Ministri i Mbrojtjes Majko dhe Kryeministri Nano që e inicuan, nuk iu përshtat disiplinës së nevojshme q♪7 kishte më parë Shkolla e Bashkuar e Oficerave, nuk e pati atë disiplinë që kërkon dhe duhet të ketë shkolla për përgatitjen e oficerave.

Mirëpo, përvoja e historisë ushtarake botërore tregon se, kuadro të tilla bëhen trima ndaj miqve, të dobët ndaj armiqve; nuk frigohen nga Zoti, por s’kanë besim tek shoku. Shkaku është se të tillë oficerë, të dalë nga universitete ushtarake, pa u mësuar dhe kalitur gjatë adoleshencës me disiplinën ushtarake dhe ndjenjën altruiste të ushtarakut; nuk kanë ndonjë dashuri apo shkak tjetër që ta mbajë në ushtri, veç pagës, e cila nuk mjafton që ai kuadër të pranojë të sakrifikoi deri në vdekje për Atdheun; aq më tepër kur ata universitarë nuk vijnë as nga familje ushtarakësh. Me qejf ata duan të jenë oficerë të ushtrisë shqiptare, sidomos sot që jemi edhe pjestarë të NATO-s dhe u jepet mundësia të përfeksionohen jashtë shtetit, por ama, deri sa të mos shkojnë në luftë; mirëpo, porsa të shkojë në vendin ku luftohet dhe porsa të krisë mitralozi dhe avjoni, mezi presin që ose t’i kthejnë në atdhe (pranë familjes) ose t’ua mbathin këmbëve. Që të kemi ushtri të mirë, duhet të kemi oficerë me vlera të veçanta të mira, të cilat fitohen në maksimumin e mundshëm në shkollat e mesme ushtarake, në periudhën e adoleshencës. Dhe ato vlera janë[30]):

  • Aftësia e punës në grup: bashkpunimi, konkurnca, aftësia për të reaguar me dhe për shokët, kuptimi i nevojave të të tjerëve;
  • Duke bërë jetë grupi të pandërprerë gjatë katër viteve atje konsolidohen virtyte, të cilët e bëjnë njeriun më të fortë shpirtërisht: ndershmëria, respekti, lojaliteti, besimi në forcat e veta, etika dhe sensi i drejtësisë, të cilat duhet të jenë vlerat formuese për çdo kuadër ushtarak në shërbim të shoqërisë dhe Atdheut;
  • Përveç motivimeve që mësohen në shkollat simotra civile, në shkollën e mesme ushtarake kemi edhe një formim kompleks fizik të nxënësit, etik dhe civil; ajo shkollë përmes kësaj veçorie jep mësimet bazë për t’u bërë qytetar ekzemplar, “një produkt i përpunuar” që nuk do të ketë të sharë;
  • Në atë shkollë nxënësi do të jetojë një përvojë të mahnitëshme formuese, që do t’i mundësojë të fitojë çdo lloj sfide, qoftë nëse zgjedh karjerën ushtarake apo profesion civil; e edukon nxënësin për t’i bërë ballë çdo lloj mundimi të jashtëzakonshëm, urren çdo lloj “gjelle” delikate dhe çdo butësi tjetër, të cilat e bëjnë ta duan të gjithë ushtarët, sepse mendon më shumë për repartin se sa për vete, në çdo veprim ai kqyr dobinë e repartit dhe jo dobinë e tij.

Si arrihet të përfitohen këto veti vetëm në këtë lloj shkolle?

Këto veti përfitohen sepse oficeri, duke u bërë ushtar qysh në adoleshencën e tij, ai mendon se është shteti i atëdheut të tij ai që e bëri të tillë, që e bëri intelektual, që e bëri të respektuar, që i dha mundësinë të tregonte aftësitë e tij të lindura, që i krijoi bindjen se ai nuk mund të qëndrojë jashtë ushtrisë, që e mbushi me nderime dhe të mos kërkojë nderime të tjera. Duke patur të tillë edukim dhe bindje, ndaj dhe ata e duan me kokë njëri-tjetrin dhe kanë besim tek njeri-tjetri. Si rjedhojë, kjo lloj shkolle i përgatit shoqërisë qytetarë të rinj, qytetarë model. Duke qenë të pajisur me të tilla veti, tek oficerat e dalë nga kjo shkollë thyhet çdo lloj opinioni para dashurisë për atdheun, kudo që ata të shërbejnë dhe në çdo pozitë që do të ndodhen.

Si e tillë, krahasuar me paralelet e sotme civile, kjo lloj shkolle bëhet model për shoqërinë, në çdo drejtim, pasi ajo ka për qëllim të formojë të rinj të përgjegjëshëm, të kompletuar me instrumenta të forta kulturore dhe sociale. Duke qenë se kjo lloj shkolle, përveç procesit mësimor,  ka në programin e saj 24 orësh aktivitete të shumëllojshme kulturore-sportive dhe stërvitje, duke zhvilluar tek nxënësit shpirtin e grupit, i cili nxit vlerat e solidaritetit, të miqësisë dhe të konkurimit të drejtë. Mirëpo kjo hierarki vlerash i nevoitet edhe organizmave humane më kompleks, siç është shoqëria, por edhe qelizave që përbëjnë këtë shoqëri. Po t’i shohim mirë vlerat e botës ushtarake përputhen shumë mirë me ato të kompanive serioze private: korrektësia, respekti, ndershmëria, disiplina, besnikëria, pavarësishtë se me një diferencë në “dozë” përfundojnë me marrjen e hapësirës së duhur, si në botën e parë edhe në të dytën.

Mbi të gjitha, në shkollat e mesme ushtarake mësohet energjia e kolektivit, një energji, e cila nuk duhet të ngatërrohet me thjeshtë shoqërinë e grupit. Ata oficerë që kanë dalë nga këto shkolla kanë treguar se janë të aftë që të arrijnë të përfitojnë ato rezultate që individualitetet e vetme nuk do të ishin në gjendje të vijonin vetëm. Kjo ndodh sepse në ato shkolla zhvillohet qysh në adoleshencë ndjenja e fuqishme e përgjegjësisë, që i bashkangjitet një shpirti të sakrificës dhe një bujarie ndaj të tjerëve. Këto përbëjnë vlerat më të çmuara për këta nxënës. Në këtë mënyrë, të studjuarit bashkë me të mësuarit bëhet jo vetëm burim i vërtetë i dijes, por edhe një faktor i rëndësishëm i rritjes morale dhe i intelektit të secilit veç e veç.

Si propozoj të jetë shkolla jonë e mesme ushtarake?

Edhe shteti ynë ka përvojën e vet për ngritjen dhe funksionimin e shkollës së mesme ushtarake, kështu që nuk fillohet nga zero. Bazuar në atë përvojë, por edhe në përvojën e shkollave të ngjashme në vendet që përmendëm më lart, shkolla e mesme ushtarake e jona është e arsyeshme të jetë një Shkollë e Mesme e Përgjithëshme Klasike Shkencore, të jetë pjesë e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes e Ushtrisë sonë dhe komandanti i saj, (ai edhe drejtor), të jetë kolonel.

Pranimet në atë shkollë të jenë nxënës që kanë mbaruar shkollën 9-vjeçare, por edhe nxënës që mund të kenë kryer një vit shkollë të mesme dhe që i kanë kompletuar kërkesat për shkollë të mesme ushtarake klasike dhe shkencore, por duke e filluar nga viti i parë.

Do të ishte më se e arsyeshme që pranimi në këtë shkollë të bëhet vetëm përmes konkursit, i cili të konsistoi: test mjekësor, test psikopërgatitor, test atletik dhe provim kulturor mbi lëndët, të cilat do të jenë objekt të dy viteve të para të shkollës.

Në rast se do të ketë kërkesa familjarësh për të sjellë fëmijët e tyre në këtë shkollë “spartane”, kur kontigjenti i planifikuar nga buxheti ushtrisë është plotësuar sipas nevojave të saj, ata mund të pranohen (gjithnjë me konkurs), por me pagesën e familjes.

Bazuar edhe në përvojën aktuale, në këtë shkollë nuk do të ishte gabim që të pranohen edhe vajza, por jo si në rastin kur ato vinin në “Shkollën e Bashkuar të Oficerave”, me klasë më vete, por së bashku me djemtë, sikundër është edhe përvoja amerikane.

Në rast se edhe Ministria e Brendëshme si dhe Shërbimi Inteligjent do të dëshirojnë që të marrin kontigjente të ardhëshme nga kjo shkollë, kuptohet që do të financojnë për atë sasi nxënësish që parashikojnë të marrin. Po kështu edhe për Ministrinë e Jashtme.

Nuk duhet përjashtuar edhe mundësia që në këtë shkollë të  konkurojnë edhe nxënës nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare ose edhe nga familjet shqiptare në emigracion e diasporë, qoftë me shpenzime familjare por edhe me bursa, për ata që do të ketë nevojë Ministria e Mbrojtjes (Qeveri) e Kosovës. Kam besim se, nëse ringrihet kjo shkollë, mund të bëjë që edhe familje shqiptare në Mal të Zi, Maqedoni, Greqi, Preshevë, t’i dërgojnë adoleshentët e tyre, pasi do të jetë një nga shkollat më cilësore, e që që do të krijoi besimin tek çdo familje shqiptare se, fëmija do t’i bëhet jo vetëm i kompletuar me dije dhe i aftë të ndjekë çdo fakultet në çdo universitet të vendit dhe jashtë tij, por, në radhë të parë, do të formohet si qytetar tepër i edukuar dhe i moralëshëm, i dobishëm për vete, për familjen dhe shoqërinë. Pra, ajo do të shndrrohet në shkollën më të lakmuar për shqiptarët. Në këtë mënyrë, dashje pa dashje, ajo do të shndërohet në shkollë kombëtare, dhe e vetmia e atij lloji. Kjo do të bente që edhe numuri i nxënësve të vijë gjithnjë duke u rritur, gjë që do të kompesonte edhe shpenzimet e shtetit.

Duke qenë se kemi përvojë pozitive në drejtim të të qenit shkollë e mesme klasike-shkencore-politeknike, dhe duke qenë se ende nëpër repartet e ushtrisë ekziston bazë e bollshme materiale jo vetëm për kabinete mësimore (çdo klas të jetë edhe kabinet), por edhe për ofiçina dhe laboratorë për të përgatitur teknikë të mesëm të çdo profesioni të nevojshëm për ushtrinë, dhe nxënësit e këtyre klasave mund të dalin qysh në fillim nënoficera pas maturimit dhe të shërbejnë në ushtri si teknikë, por edhe në jetë civile, nëse nuk ddo të duan të vijojnë studimet e mëtejshme.

E mira do të qe, që kjo shkollë ishte katër vjeçare, me qëllim që viti i parë të jetë për të mësuar në përfeksion gjuhën Angleze me mësues anglishtfolës, paralel me gjuhën shqipe, me synim që një ose dy lëndë në secilin vit pasardhës të zhvillohen në atë gjuhë, sikundër është përvoja turke. Përveç lëndëve shkollore të përgjithshme që zhvillohen në gjimnazet e tjera, të përfshihet edhe një kurs formimi i karjerës ushtarake, ku formacionit sportiv t’i jepet rëndësi e veçantë. Cikli i studimit të përfundoi me marrjen e diplomës së pjekurisë. Pranimi i pedagogëve të bëhet me konkurs nga vet komanda e shkollës, sipas një programi të paracaktuar dhe me vlerësim kompjuterik, njësoj si dhe për nxënësit, me qëllim që të eleminohet subjektiviteti. I vetmi kusht për pedagogët që do të konkurojnë për në këtë shkollë të vinin nga nga shkollat e mesme, mundësisht të pashkëputur nga mësimdhënia, me përvojë jo më pak se tri vjçare.

Që nxënësit të përgatiten me durimin larg familjes (sikundër është vepruar edhe edhe gjatë ekzistencës së saj) dhe të forcojnë gjithnjë e më shumë dashurinë për shokun, duhet që të shkojnë sa më rallë pranë familjes; shkuarja më e shpeshtë pranë saj të jetë një lloj shpërblimi për ata që janë të shkëlqyer në mësime. Në këtë drejtim kanë më shumë përvojë shkollat italiane, franceze dhe ato angleze.

Pas marrjes së diplomës nxënësi mund të vijojë përgatitjen ushtarake, duke bërë kërkesë për pranim në Akademinë Ushtarake  të Trupës në Shqipëri ose për universitet si kontigjent i ushtrisë, si dhe për në akademitë përkatëse të vendeve antare të NATO-s që na afrojnë të drejta studimi, duke i paraprirë edhe me një kontratë të veçantë në të dy rastet. Përparë do të kenë nxënësit e shkëlqyer, kritere të përcaktuara e të njohura nga secili nxënë prej ditës së panimit në shkollë. Në këtë rast, akademia në të cilën ata pranohen u garanton disa lehtësi pranimi në raport me ata që vinë nga jeta civile, sikundër mund të jetë rezervimi i vendet pa konkurs, etj.

Përveç kësaj, sipas disa përcaktimeve rigoroze, një pjesë e të diplomuarve do të shkojnë në Universitetin Shtetëror Shqiptar për t;u përgatitur specialist të lartë për nevojat e ushtrisë, sipas planifikimit të saj, por me një kontratë ligjor të detyrueshme që pas diplomimit të shërbejnë në ushtri një periudhë të caktuar, dhe atje ku ka nevojë ushtria. Në rastin tjetër, ata që e kanë kryer shkollën me shpenzimet e familjes, kuptohet që janë të lirë të vendosin të shkojnë në shkolla civile dhe akademitë ushtarake. Në rastin kur ata të ardhur jashtë kontigjenteve të institucioneve shtetërore e nuk dëshirojnë të shërbejnë në ushtri, janë të lirë të shkojnë ku të dëshirojnë.

Mund të ndodhë që nxënësi, i cili është maturuar me shpenzimet e shtetit, por që nuk dëshiron të qëndrojë në ushtri, ai mund të lejohet, por vijimin e studimeve të mëtejshme e kryen me shpenzimet e veta. Kjo duhet të parashikohet në kontratë qysh në ditën e pranimit të tij si kadet dhe, që mos të bëhet rrugë ky lloj largimi, mund të parashikohen detyrime  financiare për familjen apo për vet personin, pasi ai të dalë në jetë, duke ia llogaritur shpenzimet katërvjeçare si një lloj kredie bankare. Në këtë drejtim mund të ketë edhe kundërshtime, por po ta shikojmë në aspektin e gjerë të interesit të përgjithëshëm, përsëri shoqëria jonë ka përfitim, sepse ai do të jetë kuadër i lartë, i cili kudo që do të punojë nesër, në shtet apo në privat, ai do të reflektoi vetitë e qytetarit model dhe do të jetë një një lloj  “reklame” për shkollën tonë dhe ushtrinë tonë.

Mund të ndodhi që, nisur nga nevoja të ndryshme, një pjesë e maturantëve të kërkojnë të marrin pagesë me të mbaruar shkollën, duke kaluar në Akademinë e Nënoficerave ose në atë të Policisë, menjëherë me pagesë. Kjo mund të jetë një prej alternativave të njohura dhe, duke qenë se ata janë maturantë të kësaj shkolle pranohen në ato akademi pa iu nënshtruar testeve të konkurimit si dhe, kur ta kryejnë atë akademi, mund të marrin një ose dy grada më lart se kolegët e tyre nënoficerë që vijnë nga shkollat e mesme civile.

Meqenëse ish fushimet ushtarake të ushtrisë, ai dimëror në Feken të Martaneshit dhe ai në Karpen të Kavajës, por edhe ai në Voskopojë, do të ishte e arsyeshme që të shfrytëzoheshin gjatë vitit mësimor nga Shkolla e Mesme Ushtarake, ku të zhvillohet program i veçantë si, teori e praktikë armësh, regullore ushtarake, qitje me të gjitha llojet e armëve të këmbsorisë, ngjitje alpinistike, not, skijim etj aktivitete sportive që i përkasin ushtrisë.

A ka kosto të lartë hapja dhe mbajtja e shkollës së mesme ushtarake?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjej le t’i drejtohemi pasqyrës së më poshtme.

Pasqyra e Shpenzimeve Vjetore Mesatare për 1 (një) Nxënës dhe 1 (një) ushtar me pagesë

 

Nr Lloji Shpenzimit Shpenzimi për 1(një) student / Lekë Shpenzimi për  1 ushtar/Lekë
Ishte në 1992 Është
1 Veshmbathje   741 42 221   44 500
2 Paga dhe shtesa     25 229 783 366 000
3 Materiale fjetjeje    120     5 863   ———
4 Ushqim 2 512 180 024     5 000
5 Enë kuzhine    182 ——-   ———
6 Karburant      20  1 200     1 200
7 Fjetje, ujë, drita, mirëmbajtje    694   41 640   ——–
8 Stërvitje    142     7 100     8 200
9 Pagat dhe shtesat e stafit pedagogjik dhe komandues[31]  

2927

 

144 000

 

1 000

SHUMA      7364[32])  561 831[33])  425 900[34])
Për 100 Nxënës (PR-1) 736 400 561 83100 42 590 000
10 Aktualisht, Shkolla e Mesme e Pergjithshme, Private, pa ushqim, për 9 muaj 150 000  

Shënim: Shpenzimet për një ish nxënës janë llogaritur mbi bazën e çmimeve fikse të vitit 1992 të ish  shkollës së mesme ushtarake dhe jo të liberlizuara; ndërsa çmimet e kollonës së dytë për një student, janë marrë mbi bazën e shpenzimeve të bëra për një student të Universitetit Ushtarak “Skëndërbej” për vitin 2009.

Sikundër shihet nga pasqyra e mësipërme e shpenzimeve vjetore për një nxënës të shkollës së mesm ushtarake, që ne propozojmë, janë 139 931 Lekë më shumë se shpenzimet e sotme vjetore për një Ushtar Profesionist, ose 1,3 herë më shumë. Bazuar në këtë diferencë  mund të themi se 100 nxënës së shkollës së mesme i shpenzojnë shtetit sa shpenzojnë 130 ushtarë profesionistë, gjë që, po të kemi parasysh devotshmërinë e nxënësve ushtarakë, nuk kemi ndonjë diferencë të madhe. Mirëpo, në rast se do të pranojmë që të pranohen edhe nxënës mbi numurin e mundëshëm të përballuar nga shteti, duke paguar vetë familja, kuptohet që shpenzimet për shkollën do të vinë duke u ulur gradualisht me shtimin e nxënësve.

Së dyti, duke qënë se nxënësit e kësaj shkolle do të jenë të grumbulluar dhe të organizuar gjatë çdo ore të vitit, kuptohet që do të jenë edhe një forcë rezervë jo vetëm të gatshme, por edhe më cilësore se një efektiv i njëjtë me ushtarë profesionistë, si dhe më të devotshëm në të gjitha drejtimet. Duke qenë se ky është një realitet, tëlin e kemi pasur, shteti ynë le t’i llogarisi nxënësit e kësaj shkolle në numurin e përgjithëshëm të ushtarëve profesionistë që duhet të ketë ushtria e jonë, dhe kështu shpenzimet që do të bënte shteti nuk i kalojnë caqet e shpenzimeve të planifikuara për mbrojtjen, edhe nëse hapet dhe funksionon shkolla e mesme ushtarake.

Përfundime

Me këtë shkrim nuk kemi për qëllim të ndërtojmë një teori të re, por një riaktivizim i një tradite kombëtare, traditë e ngjashme me shumë shtete Euroatllantike. Kuptohet që kjo detyrë i takon shoqërisë tonë të sotme, duke mësuar nga tradita perëndimore, e cila e ruan me fanatizëm të mirën historike të saj. Që të kemi edhe ne një ushtri sa më të denjë, që të qëndrojë krah për krah me ushtritë e aleatëve tanë, duhet të kemi oficera të niveleve të tyre, në të gjitha drejtimet. Dhe kjo nuk arrihet kollaj. Do vite. Mos funksionimi i shkollës së mesme ushtarake është njësoj sikur t’i thuash ushtrisë: prit, mos u rrit! Prandaj ka ardhur momenti që sistemit tonë arsimor ushtarak t’i japim atë që i mungon, themelin beton-arme: patriotizmin e lartë. Dhe ky lloj atdhetarizmi gjendet tek shkolla e mesme ushtarake.

Duhet ndërtuar kjo shkollë që ndjenja e dinjitetit ta shoqërojë ushtarakun tonë çdo ditë, çdo moment, në mënyrë që ata të mos ndihen më poshtë në çdo drejtim me kolegët e tyre të ushtrve të tjera të NATO-s. “Të turpërosh atdheun tënd, është njëlloj sikur ta tradhëtosh atë”, thotë Viktor Hygo. Është kjo shkollë që e ngren në nivelin më të lartë dashurinë për dije dhe për shokun, për ushtarin, për repartin, për popullin tënd, këtë dhuratë fisnike të shpirtit, e cila duhet të kultivohet prej viteve të adoleshencës, para krijimit të dashurive të tjera për interesa të tjera të përcaktuara dhe me qëllime të tjera të veçanta, të cilat është vështirë të zëvëndësohen pas moshës 18 – 19 vjeçare.

[1] Emil Ludvig, “Napoleoni”, Shtëpia botuese “Globus-R”, Tiranë, 1999,  f.11

[2] Tarle, “Napoleoni”, Shtypshkronja “Mihal Duri”, Tiranë, 1960, f.11

[3] Artur Vajgal, “Aleksandri i Madh”, ShB Bargjini, Tiranë, 2002, f. 58, 66.

[4] Sami Frashëri, „Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”, Prishtinë, 1978, f. 30

[5] Kalendari Ushtarak, Botim i Degës së Historisë Ushtarake, MMP, Tiranë, 1950,  f. 109, 127.

[6] Kolin Pauell, “Udhëtimi im amerikan”, SHBU, 1999, Tiranë, f. 37

[7] G.Markez “Gjenerali nw labirintin e vet”, Tiranw,2000.

[8] K fon Klauzeviç”Mbi luftën”,SHBU,Tiranë 1994,v.1, f. 3-4

[9] www.esercito.difesa.it

[10] www.wikipedia.org, 20. 07.200

[11] M.E. Morris, “Stuhia e Shkretëtirës”, SHBU 1992, Tiranë, f. 26-27

[12]  en.academic.ry/academic dictonaria encyclopedias

[13] Artur Vajgal, “Aleksandri i Madh”, ShB Bargjini, Tiranë, 2002, f.63

[14] www.wikipedia.org

[15] Po aty

[16] Po aty

[17] Po aty

[18] Po aty

[19] Kolonel Kristian Millotat “Oficeri i SHP”, SHBU, Tiranë 1993, f.49

[20] Po aty, f.52

[21] M. E. Morris, vepër e cituar, f. 22

[22] www.military-school.org

[23]  Po aty

[24] http://www.military-school.org/Military_Boarding_Schools/Girl.asp

[25] www.military-school.org

[26] Fiqiri Shtëpani, “Shkolla Skëndëbej”, Globus R, Tiranë, 2010,  f. 7.

[27] Sami Frashëri, vepër e cituar, f.85 & 91.

[28]  Kujtim Halili: “Fjalor biografik ushtarak”, v1,2. Sh.B. „Email“, Tiranë, 2006

[29] Makiavel, “Sundimtari”, Rilindia, 1990, f. 89

[30] www.military-school.org

[31] Llogaritjen e kemi bërë për 100 nxënës në çdo vi (400 për 4 vjet), me nga 20-25 nxënës në klasë, kështu që në vitin e parë të çelies së shkollës ky shpenzim është 4 herë më pak.

[32] Dr. Agim Binaj, “Buxheti dhe shpenzimet për mbrojtjen”, ShB :GEER”, Tiranë, 2002, f. 51

[33]  Nxjerrë nga sektori logjistikës së UUS, Tiranë, bazuar në shpenzimet e vitit 2009, duke e marrë pagën mesatare mujore të mësuesit 40 000 Lekë, për 100 nxënëx në një vit mësimor.

[34]  Nxjerrë prej logjistikës së reparteve aktuale.

Comment

*