Shkrihen akujt në Olimpiadën e Dimrit – Dy Koretë dhe Kosova shkruajnë historinë

Ruben Avxhiu

Marshimi nën një flamur të vetëm i delegacioneve sportive të Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut ishte ngjarja e ditës, në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës së Dimrit që po zhvillohet në PiongÇan.
Lajmi tjetër interesant ishte pjesëmarrja e parë zyrtare e anëtares me të re, të familjes olimpike, Kosovës.
Dy koretë, të ndara nga ideologjia dhe historia, që si rrallë ndonjëherë janë pranë një lufte bërthamore me njëra-tjetrën, dhanë një grimcë shprese për paqe kur marshuan së bashku sot. Të ndara prej 60 vjetësh pas një lufte të egër civile që për pak sa nuk shkaktoi Luftën e Tretë Botërore, pak mbasi kishte mbaruar e Dyta, ato na kujtuan sot se një e ardhme e përbashkët është e mundshme. Ashtu siç qe për Gjermaninë Lindore dhe Perëndimore, për Vietnamin e Jgut dhe të Veriut etj.
Një akt simbolik sigurisht nuk do të mjaftojë. Madje disa analistë paralajmërojnë se ngritja e shpresave të kota mund të sjellë peismizëm dhe dëshpërim. Koreja e Veriut sundohet nga një diktator megaloman. Komunist në sipërfaqe, ai është pronar i vetëm i një shteti, pushteti mbi të cilin trashëgohet në bazë familjare. Udhëheqësi i parë komunist , Kim Ir Seni ia la pushtetin të birit dhe tani e ka i nipi. As një nepotist si Çaushesku e jo më Enver Hoxha, që fëmijët nuk i afroi në pushtet, nuk krahasohen dot me ta.
Ndërsa vendi vuan nga buka e gojës, Koreja e Veriut ka shpenzuar miliona për të krijuar një arsenal bërthamor që kërcënon fqinjët. Nëse nuk i japin ndihma kërcënon me luftë, si një pirat mesjetar me armë supermoderne, botën e sotme.
E megjithatë, është akt se sporti, ashtu si arti, mund të hapë dyer e dritare aty ku politika nuk mundet. Shpresa është se ngjarje të tilla mund të bindin koreanoveriorët që të kuptojnë se një hapje ndaj botës nuk do të ishte katastrofike apo se regjimi mund të zbutet pa u rrëzuar.
Sigurisht pesimistët shohin luftën eventuale si të pashmangshme. Kjo nuk është e lehtë për SHBA dhe aleatët e saj. Nuk është vështirë të mposhtësh Korenë e Veriut, pavarësisht se ka armë bërthamore. Problemi është se sikur vetëm një prej tyre të godasë Seulin, dhjetëra, në mos qindramijëra civilë mund të vdesin në vend.
Pak janë ata që e kuptojnë rëndësinë e paqes dhe arritjen e një zgjidhjeje se sa shqiptarët e Kosovës që kaluan në vite vuajtjesh, dhunë lufte, masakrash por panë në fund çlirimin e tani njohjen ndërkombëtare në formë pjesëmarrjesh në Lojëra Olimpike.
Sot, sportistët nga Kosova parakaluan me krenari me flamurin e shtetit të tyre në duar.
Ndoshta një ditë Shqipëria dhe Kosova do të parakalojnë me një ekip të vetëm ashtu si dy koretë sot. Në fund, të fundit, nuk jemi dy shtete me regjime armike. Jemi vëllezër e motra, që historia na ndau e që shanset janë që në fund do të na bashkojë gjithësesi, në një mënyrë a një tjetër. (Ruben Avxhiu)

Comment

*