Shkrimtari Naum Prifti, disa kujtime personale me Fatos Arapin, “poetin e nivelit klasik”

Largimi i një poeti të nivelit klasik dhe një miku të vjetër më sollën ndërmend kujtime të miqësisë që e përshkon dimensionin e kohës dhe hapësirës

 

Nga Naum Prifti

Nga e djathta: Naum Prifti, Vito Koçi, Dritëro Agolli, Kin Dushi, Fatos Arapi, Anastas Kondo, përpara klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve, 1964.

Diku midis viteve 1964 dhe 1965, Fatos Arapi ishte pjesë e një grupi me autorë e krijuesë që kishin ardhur vizitë në Kolonjë. Unë i ftova kolegët të vinin e të vizitonin fshatin tim të lindjes e të fëmijërisë, por atyre iu mungonte interesimi për të parë Rehovën dhe donin të ktheheshin në Tiranë përveç Fatos Arapit. Ai u ngazëllye nga ftesa dhe e pranoi menjëherë pa më të voglën mëdyshje. Unë i thashë se ai ishte i mirëpritur të rrinte në shtëpinë time sa kohë të dëshironte. Së bashku u ndalëm te ikonat e Naum Ceres në kishën e fshatit. I tregova se disa ikona të tjera të tij ndodheshin në kishën tjetër pak më larg, tek Shën Pjetri. Pasi i vizituam ndërtesat kryesore të fshatit si mullirin, klubin, shkollën, Fatosi shprehu dëshirën për tu ngjitur në malin Gramoz për të mbledhur çaj mali. Vajza ime 4-5 vjecare, Julika, na u ngjit pas sepse ajo u miqësua shpejt me vizitorin dhe duke u ngjitur lart, Fatosi i recitonte vjersha dhe e bënte për të qeshur. Ne mblodhëm ca tufa me çaj dhe Julika bëri një tufë të vogël me lule. Mirëpo në kthim, rruga ishte e tatëpjetë, dielli ishte i nxehtë dhe vapa e bezdisshme. Julika filloi te ankohej se ishte e lodhur e këmbët e saj nuk donin të ecnin më. Fatosi u përkul pak si për t’i parë këmbët e saj me vërejtje, dhe pas një konstantimi të shpejtë tha: Po këmbët e tua janë lodhur shumë e nuk mund të ecin më.” “Si do të kthehemi në shtëpi?” pyeti Julika e kënaqur që Fatosi fliste gjuhën e këmbëve te saj por e frikësuar për metodën e kthimit. “Ka vetëm një rrugë!” – tha prerë ai. “T’i bëjmë të ecin me zor? – pyeti e mërzitur Julika. “Ajo nuk është zgjidhje e mirë. Unë mendoj se ti mund të qëndrosh në supet e mia dhe të mos i përdorësh më shumë këmbët e lodhura” – sygjeroi Fatosi. Julika iu hodh në krahë me dashuri dhe pastaj u ul në supet e tij duke kënduar e qeshur njësoj sikur ta kishte shokun më të mirë. Në sajë të dhuntisë së tij të veçantë të komunikimit, episodi i zbritjes nga mali i Gramozit përfundoi me gaz e humor dhe u bë pjesë e pandarë e kujtimeve të vizitës së tij në Rehovë.

Në vitin 1989 kur udhëtova për herë të parë jashtë Shqipërisë, shokë udhëtimi kisha Fatos Arapin e Kiço Blushin, si pjesëmarrës të konferencës të shkrimtarëve të Ballkanit, në Sofje. Meqë kryeqyteti bullgar ishte vendi ku Fatos Arapi kishte kryer studimet për ekonomi politike, ai mori rolin e udhërrëfyesit e shoqëruesit të grupit. Vërehej lehtë se miqësia dhe respekti me kolegët e profesorët e tij bullgarê ishte e ndërsjelltë. Në sajë të Fatosit, fondit të përkthimeve në gjuhën shqipe iu shtuan dy poetë të mëdhenj bullgar: Kristo Botev, i njohur si poet revolucionar dhe figurë kombëtare si edhe Nikolla Vaptsarov, të cilit iu akordua Çmimi Ndërkombëtar i Paqes pas vdekjes.

Një nga dëshirat fisnike të Fatosit dhe ide përparimtare për kohën ishte kthimi i fshatit Svernec në një vend pushimi për artistë e shkrimtarë. Kështu Vlora do të përftonte edhe kredi artistike veç meritave luftarake e patriotike. Ndoshta përkrah këngëve epike per Selam Musanë, Ismail Qemalin e heronjtë e Drashovicës, do të radhiteshin vargje e balada për artistë e poetë që e deshën vendin po aq shumë. Ëndrra e poetit dhe synimet e partisë ishin krejtësisht të papajtueshme. Partia Komuniste e Shqipërisë e ktheu Svernecin në vend internimi për kundërshtarët e saj duke varrosur aty edhe shpresat e një biri të denjë të Vlorës.

Fatos Arapi është i përjetësuar në vargjet e poezisë e tij sepse aty rreh kurdoherë zemra e tij e pastër dhe jeton talenti i tij hyjnor.

Comment

*