Shkupi akuzon Tiranën e Prishtinën për “ndërhyrje në punë të brendshme”

Shkup, 11 janar 2017 – Ministri i Jashtëm i Maqedonisë në detyrë, Nikola Poposki, i akuzoi Tiranën dhe Prishtinën për “ndërhyrje në çështjet e brendshme të vendit”.

Poposki, duke iu referuar takimeve të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidentit të kosovës, Hashim Thaçi, me liderët politikë të shqiptarëve të maqedonisë, ka thënë se “ një ndërhyrje e tillë e një kryeministri apo një presidenti të një vendi fqinj nuk është e sjellshme dhe as e përshtatshme”.

“Një ndërhyrje e tillë dërgon sinjale të gabuara në rajon, sidomos kur bëhet pas zgjedhjeve demokratike dhe para se të formohet Qeveria e re e Maqedonisë”, citohet të ketë thënë shefi i diplomacisë maqedonase.

“Një qasje e tillë, në një vend me tradita multikulturore, është e rrezikshme dhe shumë larg praktikës së fqinjësisë së mirë”, ka theksuar ai.

Popovski ka thënë se nëse të gjithë në rajon janë dakord se e ardhmja e tyre është Evropa, atëherë duhet punuar së bashku për prosperitetin dhe sigurinë e qytetarëve.

Sipas tij, Maqedonia ka qenë gjithnjë e drejtë në marrëdhëniet me fqinjët dhe se do të ishte shumë mirë nëse ata i bashkohen Shkupit në këtë rrugë dhe “të mos vënë mina”. (r.m.)

Comment

*