Shkupi pranon urime të shumta për emrin e ri,“Maqedonia e Veriut”

Shkup, 11 janar 2019 – Qendrat dhe organizatat më të rëndësishme në botë e kanë mirëpritur miratimin e emrit të ri të Maqedonisë, Maqedonia e Veriut.

Ndër të parët që i kanë përgëzuar autoritet dhe forcat politike në Maqedoninë Veriore kanë qenë dy përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini dhe Johanes Han.

“Në emër të Bashkimit Evropian, me gjithë zemër e urojmë Kuvendin për hapin thelbësor drejt zbatimit të Marrëveshjes së Prespës. Liderët politikë dhe qytetarët treguan vendosmëri që ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike për zgjidhjen e njërit prej kontesteve më të vjetra në rajon dhe të bëjnë hapin vendimtare në rrugëtimin drejt BE-së”, thuhet në mesazhin e Mogherinit dhe Hahnit.

I shpejtë ka qenë edhe urimi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“NATO e përkrah fuqishëm implementimin e plotë të Marrëveshjes, që është kontribut i rëndësishëm për rajon stabil dhe prosperues”, ka thënë Stoltenberg.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, e ka uruar personalisht homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev.

“Kryeministri Alexis Tsipras ka kontaktuar me kryeministrin e IJRM-së, Zoran Zaev. Kryeministri e ka uruar zotin Zaev për përfundimin me sukses të procesit të revizionit të Kushtetutës së Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, në bazë të Marrëveshjes së Prespës”, ka kumtuar kabineti i kryeministrit grek.

Shtet e Bashkuara të Amerikës kanë përgëzuar Shkupin zyrtar përmes ambasadorit të vet në Shkup, Xhes Bejli.

“Sot, Maqedonia miratoi një vendim historik. Kuvendi juaj i miratoi ndryshimet kushtetuese që janë të nevojshme që të zbatohet Marrëveshja e Prespës me Greqinë. SHBA e përshëndet vendimin e deputetëve tuaj. Kur procesi të mbarojë me ratifikimin nga ana e Greqisë, kjo marrëveshje do ta zgjidhë përfundimisht kontestin për emrin, që një kohë të gjatë i ka penguar qytetarët e Maqedonisë t’i realizojnë aspiratat e tyre për anëtarësim në NATO dhe në BE. I përshëndes liderët tuaj në Qeveri dhe Kuvend për vizionin dhe guximin të tyre në kërkimin e zgjidhjes dhe vendosjes së interesave afatgjate strategjike të Maqedonisë në rend të parë. Me padurim pres që të them: ‘Mirëse erdhe Republika e Maqedonisë së Veriut si vendi i 30-të në NATO’ dhe ta vazhdojmë partneritetin e fortë me ju në forcimin e stabilitetit dhe të prosperitetit këtu dhe në mbarë rajonin”, ka shkruar ambasadori amerikan.

Sekretari i Jashtë, britanik, Jeremy Hunt, në urimin e tij, ka shfaqur shpresën se Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet së shpejti edhe nga Parlamenti i Greqisë.

“Mbretëria e Bashkuar e përshëndet fuqishëm votimin e sotëm në Kuvendin e Maqedonisë për ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë zbatimit të Marrëveshjes së Prespës. Shpresojmë se marrëveshja do të ratifikohet edhe në parlamentin grek. Kështu do t’i jepet fund një kontesti të gjatë mes dy vendeve dhe Maqedonisë do t’i hapet rruga që të avancojë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO”, ka shkruar Hunt.

Shefi i diplomacisë gjermane Heiko Mass, në mesazhin e tij, ua ka njohur meritat sidomos kryeministrave të dy vendeve.

“Zgjidhja e kontestit për emrin mes Shkupit dhe Athinës arriti në fund. Presim që edhe Kuvendi i Greqisë të pajtohet me marrëveshjen dhe Maqedonia e Veriut të anëtarësohet se shpejti në NATO dhe të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Kontesti mes dy vendeve ka zgjatur 27 vjet. Përgjegjësit, para se gjithash kryeministrat Cipras dhe Zaev, bënë përpjekje dhe ky kontest u zgjodh përfundimisht”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme të Gjëermanisë.

Sebastian Kurtz, Kancelar i Austrisë, e ka quajtur inkurajues vendimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe ka shfaqur shpresën se ky vendim do të ndikojë pozitivisht në mbarë rajonin.

“Miratimi i ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi në Shkup është shumë inkurajues dhe hap i madh drejt procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Shpresojmë se me këtë akt krijohet impuls pozitiv në tërë rajoni. BE është e plotë kur do t’i bashkohen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurtz. (r.m.)

Comment

*