Shok në Resulaj, mbyllen shtëpitë e viktimave, ikin familjarët e vrasësit

Tiranë, 12 gusht 2018 – Në Resulaj të Selenicës ka pllakosur heshtja e vdekjes, raporton ABC News.

Tetë anëtarë të familjes Zykaj u vranë mizorisht me kallashnikov nga kushëriri i tyre shumë i afërt, Ridvan Zykaj, të premten. Banorët e fshatit akoma nuk duan të besojnë çfarë ka ndodhur. Familjarët e viktimave mbajnë hapur vetëm një shtëpi, ku presin ngushëllime, atë të Azem Zykës, i cili u vra së bashku me gruan e tij, Aferditën.

Në dy shtëpitë e viktimave të tjera, të Demirit d Perries, dhe të Besimit, Vasilikës dhe fëmijëve, Sarës e Ledionit, nuk lëviz asgjë. Askush nuk hyn as nuk del nga këto shtëpi.

Familjarët që presin ngushëllime janë të shokuar nga masakra. Ata të presin njerëz për të ndarë dhimbjen, por vetëm kaq.

Kërkojnë të mos filmohen dhe as të fotografohen. Nuk duan të filmohet as shtëpia e autorit, atij njeriu që njihej si bari delesh dhe hajdut pulash.

Gjyshi i autorit të krimit, Kujtim Zykaj, është i vetmi prej familjarëve të autorit që ndodhet në familjet e viktimave. Demiri ishte vëllai i tij, kurse Azemi dhe Besimi ishin nipërit.

Familjarët e autorit të krimit makabër, Sadiku, Linda dhe dy fëmijët e tyre, pasi janë marrë në pyetje, janë marrë në mbrojtje nga policia, nga frika e hakmarrjes.

Besohet se e gjitha ngjarja tragjike ka ndodhur brenda 10 minutash. Vrasësi i zuri në befasi. Fillimisht shkoi tek Besim Zykaj dhe e vrau bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tij. 11 plumba i shkrehu mbi Vasilikën dhe nga katër mbi trupat e kryefamiljarit dhe të vegjëlve. Më pas, ekzekutoi në oborr Azemin dhe gruan e tij, të cilët kishin dalë nga shtëpia pasi ikishin dëgjuar krismat. Ai e mbylli masakrën e tij me vrasjen e dy të moshuarave, Demirit dhe bashkëshortes së tij, Peries, e cila ishte e paralizuar.

I vetmi i mbijetuar që ndodhej në vendin e ngjarjes është djali i Demirit dhe Peries, i cili nuk kishte dalë nga shtëpia, pasi nuk i kishte dëgjuar të shtënat dhe shurmën. Ai është shurdhmemec.

Prej familjeve të viktimave kanë mbetur tre familjarë: dy fëmijët e Azemit dhe djali i Besimit, të cilit nuk ndodheshin në fshat.

Ende nuk dihen detajet e këtij krimi makabër. Ka pasur raportime se autori kishte filmuar me telefon atë që ka bërë. Sipas burimeve jozyrtare, videon ia ka kaluar një të afërmi dhe ajo aktualisht ndodhet në duart e ekspertëve të hetimit. (r.m.)

Comment

*