Shoqata atdhetare “Dibra” në New York, së bashku në ndërrimin e moteve

Nga Keze Kozeta Zylo

Në mjediset lluksose të hotelit “Hilton” në Staten Island, shoqata atdhetare “Dibra” e priti me plot hare, këngë e valle Vitin e Ri 2017-të. Familjet dibrane vinin grupe grupe dhe uronin njeri tjetrin: “Gëzuar Vitin e Ri 2017-të”. Salla e mbushur nga qindra vetë gumëzhinte nga njerëzit, por ajo qe i jepte më shumë emocion dhe dukej sikur mbushte gjithë godinën me cicërima zogjsh ishin fëmijët e bukur dibranë.
Ndërsa matanë xhamave të sallës dukeshin pemët nudo të zhveshura nga stina e akullt e dimrit si skulptura të Mikelanxhelos, ku rrezet e Hënës së verdhë në portokalli si dhe dritat e Vitit të Ri të sillnin imazhin e penelit të Van Gogut “Path In The Woods”, sillnin reflekse të magjishme midis pemëve dhe shtegut midis krahëve të tyre.
Mrëmjen e hapi artisti i mirënjohur, bilbili i Dibrës Haxhi Maqellara i cili pasi iu uroi gjithë shqiptarëve: “Gëzuar Vitin e Ri 2017-të” ftoi në skenë kryetarin e shoqatës atdhetare “Dibra” z.Dashnor Miftari i cili së bashku me kryesinë e shoqatës premton shumë për punë edhe më të bukura në shërbim të Kombit. Z.Miftari uroi gjithë pjesëmarrësit për një vit të mbarë dhe plot suksese dhe i la ata të gezojnë dhe vallëzojnë nën tingujt e muzikës së bukur shqiptare.
Duke dëgjuar dhe ndjekur nga afër aktivitetet e ndryshme të shoqatës atdhetare “Dibra” të cilët në shoqatën e tyre pranojnë çdo shqiptar medoemos këta të rinj që drejtojnë kryesinë si dhe gjithë Dibra të kujtojnë dhe sjellin ndërmend fjalët e Haxhi Vehbi Dibrës në Kuvendin e Vlorës, në Ditën e Flamurit, ditën e Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, ku, ndër të tjera tha: “Kristiani e myslimani janë vëllazën shqiptarë e të pandarë.” Haxhi Vehbi Agolli (Dibra), (12 mars 1867-24 Mars 1937) ishte klerik dhe aktivist politik shqiptar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i parë i Parlamentit të Shqipërisë dhe kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Mbrëmja entuziaste me këngë e valle u drejtua nga artisti i shquar dhe mjeshtri i fizarmonikës z.Raif Hyseni së bashku me orkestrën e tij, anetarët e së cilës janë Mirgjen Darova, Sevim Omer dhe Adrian Asllani. Z.Raif Hyseni nën interpretimin plot profesionalizëm në fizarmonikë me hapjet dhe mbylljet e saj duket sikur sjellë frymë, ajër në këto festa të bukura shqiptare. Ai së bashku me bashkëshorten e tij simpatike artisten e shquar dhe të dashur të shqiptarëve znj.Merita Halili janë një binom i shkëlqyer artistësh që debutojnë profesionalisht dhe plot kulturë. Zëri i saj u dëgjua si një kanarinë që duket se do na shoqërojë për gjithë vitin 2017-të dhe përgjithmonë.
Një zë i magjishëm që koordionoi bukur traditën me modernen ishte nga artisti i ardhur enkas nga Micigami, z.Florent Nushi. Interpretimi i tij ngriti peshë gjithë sallën, ku ciftet në krahët e njeri-tjetrit vallëzonin dhe këndonin së bashku. Tek ky artist nga Gjakova është kombinuar harmonishem talenti dhe kultura që ka marrë në Akademinë e Arteve. Debutimi plot kulturë nga artisti Nushi solli dhe më shumë emocion dhe më shumë hare në këtë mbrëmje mbresëlënëse.
Edhe debutimi i artistes së re ardhur nga Virxhinia znj.Amarda Arkaxhiu ishte i bukur, i ngrohtë, dëgjohej dhe kërcehej me endje nga pjesëmarresit. Energjia e pashterrshme e saj sillte dhe më shumë entuziazëm vecanërisht tek të rinjtë që s’duan të ulen kurrë në natën magjike të Vitit të Ri…
Dy artistët e mrekullueshëm, dy vëllezërit Haxhi dhe Agron Maqellara gjithmonë sjellin emocion, interpretime profesionale për këngën e bukur lirike dibrane, këngën e bukur qytetare dhe plot mesazhe frymëzuese. Ata janë një familje arisitësh, ku dhe fëmijët e tyre po vazhdojn ëtraditën. Vlen për të përmendur tenorin Blerar Maqellara një djalë që edhe pse në moshë të re arriti të jetë superstar në shkollën publike amerikane “S.E.Wagner” me mijëra studentë ku ai u përzgjodh në rolet kryesore në shfaqjet teatrale tejet të mirënjohura, marrë nga Brodway show. Jam e sigurtë në ëndrrën time që një ditë do ta shoh Bledarin në skenat më të famshme. Shumë këngë të interpretuara prej tyre janë të shkruara nga kantautori Haxhi Maqellara i cili është vlerësuar jo vetëm si artist por dhe si debutues për çështjen kombëtare. Kënga e tij për Tiranën ngre lart shpirtin punëtor dibran, krenarinë e ligjshme të saj dhe ja se si në këto vargje:
“Aty hëngrëm bukë e krypë/ Tuj punu, e jo tuj lypë”…
Pjesëmarresit u argetuan gjithashtu dhe nën tingujt muzikor të “DJ Luani”.
Mbyllja e kësaj mbrëmje festive mbresëlënëse do të mbahet mend gjatë kur salla u mbush me zërat e të gjithë artistëve të cilët u bashkuan në skenë duke interpretuar së bashku këngë të ndryshme shqiptare. Harmonia e zërave të tyre dukej si një kompleks i bukur që do të mbahet mend gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve.
Këtë natë të bukur festive e solli shoqata atdhetare “Dibra” me kryetar z.Dashnor Miftari dhe anëtarët e kryesisësi: Arbër Kuka/ Besar Dika/ Bekim Pacuku/ Bekim Papraniku/ Bekim Kosovrasti/ Gazmend Kërkuti/ Ibrahim Rexha/ Nderim Marke/ që edhe pse larg Atdheut mban gjallë dhe mbështetet në rrënjët e të parëve të tyre, është një shoqatë që ka brenda njerëz të cilët janë integruar me kulturë në botën amerikane çka të kujton personalitetin e shquar të Kombit, dibranin Josif Bageri i cili ka thënë: “Mjaft kom kjon kpuc mbaronjës/ Mjaft punova kët mjeshtri/ Tani due me kjon shkronjës/ Me sa t’di, Vjershtor të mbrri”.
Shoqata atdhetare “Dibra” së bashku me pjesëmarrësit e pritën me këngë e valle ndërrimin e motive të vitit 2016-të në 2017-të.
Gjithë aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” New York me themelues dhe producent z.Qemal Zylo, aktivitet që do të transmetohet së shpejti në kanalet televizive.
1 Janar, 2017
Staten Island, New York

img_2839

img_2866

img_2922

img_2943
img_2807

img_2852

Comment

*