Shpallen fituesit e Çmimit Nobel për Mjekësi

Stokholm, 1 tetor 2018 – Dy imunologë, James P. Allison nga Shtetet e Bashkuara dhe Tasuku Honjo nga Japonia, fituan Çmimin Nobel të këtij viti në mjekësi, për, siç u tha, punën e tyre në një qasje të re ndaj trajtimit të kancerit.

Asambleja e Nobelit në Institutin Karolinska në Stokholm i shpalli fituesit të hënën.

“Çmimi Nobel i këtij viti përbën një pikë kthese në luftën tonë kundër kancerit. Zbulimi i bërë nga dy laureatët ka të bëjë me aftësinë e sistemit imunitar për të sulmuar qelizat e kancerit”, tha Asambleja.

Allison studioi një proteinë që funksionon si një frenë në sistemin imunitar.

Ai e zbuloi potencialin e lëshimit të kësaj frene dhe aftësinë e qelizave imune të trupit për të sulmuar tumoret.

Honjo, ndërkaq, zbuloi një proteinë në qelizat imune, që mund të veprojë po ashtu si një frenim, por me një mekanizëm të ndryshëm veprimi.

Dy shkencëtarët do të ndajnë çmimin prej një milion dollarësh.

(REL)

Comment

*