Shpallet fituesi për Zona e Lirë Ekonomike Spitallë

Ministria e Ekonomisë shpalli zyrtarisht fituesin për ndërtimin e zonës së lirë ekonomike në Spitallë. Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve, zona do të ndërtohet nga bashkimi i shoqërive, “Pelikani”, “The Best Construction” dhe “Vëllezërit Hysa”.

Projekti i paraqitur nga konsorciumi fitues parashikon ndërtimin e një fabrike për pasurimin e ferro-kromit me vlerë rreth 39 milionë euro. Sipas ofertës, ky investim do të hapë 2500 vende të reja pune.

Sipas ministrisë, brenda 90 ditësh nga shpallja e fituesit do të nënshkruhet kontrata, e cila i hap rrugë ndërtimit të fabrikës në terren.

Në tenderin për ndërtimin e zonës së lirë në Spitallë pati dy oferta. Vendimi i ministrisë për të shpallur fitues bashkimin e shoqërive “Pelikani”, “The Best Construction” dhe “Vëllezërit Hysa” u kontestua nga shoqëria e renditur e dyta.

Por edhe pas ankimimit komisioni nuk e ka ndryshuar rezultatin. Kjo është hera e katërt që Shqipëria tenton të ndërtojë një zonë  të lirë ekonomike në Spitallë. Në të kaluarën tenderi për ndërtimin e kësaj zonë ka dështuar gjithmonë për shkak të mungesës së interesit.

Këtë herë tenderi rezultoi me sukses, edhe pse zona ekonomike do të jetë ndryshe nga synimi i qeverisë fillestar i qeverisë për ndërtimin e komplekseve të avancuara teknologjike.

/ Top Channel

Comment

*