Shpend Ahmeti e lë hapur mundësinë e largimit nga Vetëvendosje

Prishtinë, 2 mars 2018 – Shpend Ahmeti ka refuzuar të tregojë nëse do të jetë kryetar i Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje deri në fund të mandatit të tij në komunë, por ka thënë se do të vazhdojë të jetë në pozitën e kryetarit të kryeqytetit.

Kësaj radhe, ai e ka lënë hapur mundësinë e largimit nga Vetëvendosje.

“Nuk mund të gënjej dhe të them se gjërat janë mirë apo kanë qenë mirë. Por, mendoj se kjo gjë do ta marrë epilogun e fundit pasi të gjithë të përcaktohen për të ardhmen e tyre”, ka thënë Ahmeti në emisionin “038” të KTV’së.

Ai ka refuzuar të flasë më hollësisht për problemet në nivelin qendror dhe ka shtuar se është plotësisht i fokusuar për të përmbushur të gjitha premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se për të prioritet është Prishtina.

I pyetur nëse do të jetë kryetar i Prishtinës nga Vetëvendosja deri në fund të mandatit, ai ka thënë se nuk është i sigurt nëse do të jetë kështu.

“Jo, nuk thashë asgjë për siguri, as jam e as s’jam”, ka thënë Ahmeti, citon Aktivpress.

Disa herë është raportuar se Ahmeti do t’i bashkohet grupit të të pakënaqurve me në krye Visar Ymerin dhe Dardan Molliqajn, të cilët janë dorëhequr nga strukturat drejtuese të partisë, e cila e zgjodhi kryetar Albin Kurtin.

Nga fillimi i dhjetorit të kaluar, kur u bë publik mesazhi ofendues që deputetja Aida Dërguti ia dedikonte Albin Kurtit, në kohën kur ai ishte arrestuar nga policia, në Vetëvendosje kanë plasur tensione që kanë rezultuar me dorëheqje e fyerje të shumta.

Kjo ka rezultuar me dorëheqjen e ish-kryetarit Visar Ymeri, ish-Sekretarit të Përgjithshëm Dardan Molliqajt e shumë të tjerëve.

Së paku dhjetë deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga organet drejtuese të Vetëvendosjes. (r.m.)

Comment

*