Shpërlajra e korrupsionit zyrtar dhe e krimit të organizuar

Muhamet Hamiti

E hatashme është simbioza e establishmentit politik dhe e sistemit gjyqësor të Kosovës për shpërlarje të korrupsionit zyrtar dhe të krimit të organizuar. Duket se nuk shtyp masivisht të pafajshmit, por është shumë efikase kjo makineri simbiotike për të siguruar mburojë për fajtorët.

Kur ngrihen aktakuza ndaj të pandehurve, zgjaten e stërzgjaten gjykimet, çohen çështjet (lëndët) deri në apel dhe kryesit e korrupsionit e të krimit të organizuar marrin dënime të lehta, dalin të padënuar, apo madje të larë. Këta pastaj, prej Kuvendi e Qeverie, emërohen në poste të larta zyrtare, siç ka ndodhur gjatë mandatit aktual qeverisës të PAN-it.

Kështu rehabilitohet e riciklohet krimi. Në ndërkohë, rehabilituesit e krimit gojën e kanë plot retorikë për luftën e pakompromis ndaj tij.

U kanë dalë për hunde këto fjalë vendeve mike, përkrahësve kryesorë të shtetit të Kosovës. Kjo shihet nga deklarata e sotme (16 maj 2019) e Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, që përmend rastet e rënda të korrupsionit zyrtar e të krimit të organizuar (varg e vijë, prej PRONTO-s së PDK-së e tutje), që përfshijnë zyrtarë të lartë në shtet (ende në detyrë) e bashkëpunëtorë të tjerë, që, ç’është e vërteta nuk përmenden me emra.

Ambasada e SHBA-ve ka vendosur të mos u japë të drejtë udhëtimi në SHBA të pandehurve në këto raste. Kaq mund të bëjë ajo.

Pa një vizë amerikane këta s’mbeten keq. E shijojnë këtu e gjetiu frytin e punëve të tyre të liga.

Kosovarët vetë, po të duan të mbledhin mend, mund të bëjnë më shumë: të mos votojnë më për këtë klikë e sojin e tyre të ndyrë. Ata që kanë ndërgjegje njerëzore e kombëtare mund ta bëjnë këtë. T’ua heqin njerëzve të ligë mundësinë për të sunduar në Kosovë. Për qeverisje s’bëhet fjalë, as të mirë as të keqe, por për sundim prej njerëzve të tillë.

Nëse jo, nëse nuk bëhet e gjallë një shumicë e zgjedhësve (votuesve) me etikë e guxim, do të mbetemi të gjithë nën mëshirën e makinerisë simbiotike të pushtetit politik e gjyqësor të Kosovës. Si tani.

 

(Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai ka qenë këshilltar për medie i Presidentit të Rpublikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, e pastaj këshilltar politik i Presidentit Fatmir Sejdiu. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 2008, ka qenë ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar)

Comment

*