Shpërthen Xherdan Shaqiri, shënon dy gola në fitoren ndaj Evertonit

Everton, 28 dhjetor 2015 – Stoke City ka shënuar fitore të merituar 4:3 ndaj Evrtonit në udhëtim, në një ndeshje ku ka shkëlqyer Xherdan Shaqiri.

Kosovari me shtetësi zvicerane ka shënuar dy gola, me të cilat e ka sjellë ekipin e tij në epërsi prej dy golash, që në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, Evertoni është rikthyer, duke shënuar tri gola, Lukaku dy gola dhe Deulofeu një.

Por, Stoke City ka arritur të shënojë edhe dy gola të tjerë dhe ta përfundojë ndeshjen në favorin e saj. Dy golat tjerë për Cityn i kanë shënuar Arnautoviq dhe Joselu.

Xherdan Shaqiri është shprehur shumë i lumtur për fitoren ndaj Evertonit dhe për dy golat e tij.

“Performancë e mrekullueshme ekipore sot!! Dhe i lumtur për golat e parë në Premier Ligë!! Faleminderit për përkrahjen e mrekullueshme ‘Potters’! XS duke festuar si bos”, ka shkruar Shaqiri në Facebook.

Trajneri i Stoke Cityt, Mark Hughs e ka lavdëruar Xherdan Shaqirin për lojën dhe golat e shënuar në ndeshjen kundër Evertonit.

Ai ka thënë se Shaqiri është duke luajtur mirë dhe se deri më tash atij i mungonin vetëm golat.

“E vetmja gjë që i ka munguar deri më sot kanë qenë golat. Paraqitjet e tij kanë qenë të mira, por tashmë ai ka edhe gola. Ai ka kualitet. Këto janë golat e para të tij. Jam i sigurt se do të ketë edhe më shumë”, ka thënë Hughs pas ndeshjes.

Pas fitores së sotme, Stoke City është ngjitur në pozitën e 8-të në tabelën e Premier Ligës Anglezer, me 29 pikë. (r.m.)

Comment

*