Shpërthim në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës

Prishtinë, 10 janar 2017 – Një mjet shpërthyes është hedhur, të martën në mbrëmje, nga persona tash për tash të panjohur, në ndërtesën e hotelit “Sasha”, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, duke shkaktuar dëme materiale, kanë bërë të ditur zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se shpërthimi, i cili ka ndodhur rreth orës 20.00,  nuk ka patur pasoja në njerëz.

“Rreth orës 20.02 minuta në rrugën Rugjer Boshkoviq, është hedhur një mjet shpërthyes mbi hotelin ‘Sasha’. Mjeti ka shpërthyer, por nuk ka të lënduar. Janë shkaktuar dëme materiale”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, shefi i operativës së Policisë së Kosovës në veri, Zhelko Bojiq.

Hapësirat e hotelit “Sasha” janë marrë me qira nga Qeveria e Kosovës, pak javë më parë.

Ky është sulmi i dytë brenda dy javësh ndaj kësasj ndërtese që shfrytëzohet nga Qeveria e Kosovës, në veri të Mitrovicës. Herën e parë, më 28 dhjetor, ndërtesa ishte sulmuar me një mjet që nuk kishte shpërthyer.

Ekipet speciale të Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes. (r.m.)

Comment

*