Shpirtërisht jemi në Prishtinë te Katedralja “Shën Nënë Tereza”

Thanas e Julia Gjika

Mbi këmbanore duke parë Prishtinën.

 

Më 5 shtator përurohet në Prishtinë Katedralja “Shën Nënë Tereza”, një godinë kulti madhështore me dimensione dhe bukuri të kishave të Rilindjes europiane. Në gushtin e vitit të kaluar patëm fatin të vizitonim Prishtinën. Natyrisht të shkosh në Prishtinë dhe të mos vizitosh këtë katedrale është një neglizhencë e pafalshme. Eshtë si të shkosh në Romë e të largohesh pa vizituar katedralen e Shën Pjetrit.

Katedralja “Shën Nënë Tereza” është ndërtuar në qendër të kryeqytetit të Kosovës. Kurse monumenti i saj, realizuar prej skulptorit Vasil Rakaj, ndodhet anës shëtitores “Nënë Tereza”, pranë hotelit “Ilyria”. Ky hotel ishte rikonstruktuar si hotel modern prej biznesmenit Pacolli.

Ditën e parë takuam disa nga kolegët, profesorët Sadri Fetiu, Agim Vinca, Isak Shema, Xhemil Byryci dhe Abdyl Kadolli me të cilët vizituam Institutin Albanologjik, Bibliotekën Kombëtare dhe Fakultetin Filozofik. Drekuam së bashku dhe kujtuam kohën kur ishim njohur në Tiranë.

Në mbrëmje, unë me bashkëshorten time, poeten Julia Gjika darkuam së bashku me Monsinjor Dom Lush Gjergjin dhe familjen e të ndjerit profesor Engjëll Sedaj.

Bisedat ishin mbresëlënëse me të dy grupet. Këmbyem librat që kishim botuar vitet e fundit. Kur kërkuam të vizitonim Katedralen e re, Dom Lushi na sugjeroi të shkonim të nesërmen, sepse ditën shihen më mirë bukuritë e saj. Dhe vërtet, kur shkuam të nesërmen u mahnitëm. Shtylla prej gurësh mermeri të skalitura e lëmuara të krijonin përshtypjen se ndodheshe në ndonjë katedrale të kryeqyteteve të Europës Perëndimore. Aty e kuptuam se dhuratat monetare të shqiptarëve katolikë të Kosovës dhe të diasporës nga SHBA-të, Gjermania, Zvicra, Kanadaja, etj ishin shpenzuar me maturi dhe art. Dom Lushi na shpjegoi pikturat, arkitekturën dhe gjithë bukuritë e katedrales. Na fali dhe nga një broshurë me fotografi e tekste shpjeguese. Edhe pse ende vijonin punimet në disa ambjente, brenda katedrales sundonte një atmosferë shenjtërie, që të ngjallte respekt e dashuri për Zotin dhe shenjtoren tonë Nënë Tereza.

Kur hipëm me ashensor në majë të këmbanores pamë gjithë qytetin e Prishtinës. U mahnitëm me shtrirjen e tij, ndërtesat e bukura nga të gjitha anët. Prishtina kishte marrë pamjen e një kryeqyteti të vërtetë europian.

Na erdhi keq që nuk mundëm t’i përgjigjeshim ftesës së Monsinjor Dom Lush Gjergjit për të shkuar këto ditë e për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të kësaj katedraleje madhështore. Le të shërbejë ky shënim e këto foto si shprehje e respektit dhe e dëshirës së paplotësuar për të qena atje mes miqve tanë…

Gjatë darkës me familjen Sedaj dhe Mon. Lush Gjergji.

Comment

*