Shqipëria dhe diaspora: Dëshira është e madhe, mosbesimi akoma më i madh

Nga Ruben Avxhiu

Vizita e Ministrit të Diasporës, Pandeli Majko në SHBA është një rast tjetër që vë në shqyrtim marrëdhëniet kontradiktore mes Shqipërisë dhe diasporës së saj.
Mërgimtarët shqiptarë, sidomos bashkësia shqiptare në SHBA, kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm në historinë e Shqipërisë. Pa këtë kontribut vështirë se do të kishim një Shqipëri në hartën e botës, e sigurisht nuk do të kishim një Kosovë të pavarur, një Maqedoni me politikë dyetnike etj.
Shqiptarët në diasporë kanë qenë një burim jetik ekonomik për vendin dhe një strehë fillestare për mërgimet e radhës të detyruara nga koha.
Historia e kësaj marrëdhënie u ndërpre brutalisht nga dhjetëvjeçarët e izolimit të Shqipërisë gjatë komunizmit. Regjimi i Enver Hoxhës e la botën jashtë bashkë me shumicën e diasporës. Për më tepër diaspora u pa (jo fare pa arsye) si një forcë që kërkonte rrëzimin e regjimit dhe vendosjen e demokracisë, ose të paktën të hapjes me botën e jashtme.
Mirëpo, ndërsa në planin personal, pas vitit 1990, Shqipëria dhe diaspora janë kthyer në gjithmonë e më shumë në një botë të vetme, në planin institucional as qeveritë e Tiranës dhe as shumica e bashkësive të emigrantëve nuk kanë ditur si të ndërtojnë jë bashkëpunim të qendrueshëm e funksional.
Interesi i Shqipërisë është i padiskutueshëm: Përtej kontributit në lobim, diplomaci e politika ndërkombëtare, shqiptarët në diasporë janë një rezervuar i thellë talentesh, përvojash profesionale, lidhjesh të fuqishme ekonomike e kulturore, fuqi investuese, etj.
Po edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit mund të fitojnë nga një hapje më e madhe e Shqipërisë ndaj tyre. Mund të investojnë duke u pasuruar ndërkohë që ndihmojnë atdheun. Mund të gjejnë rugë të reja të karrierës. Mund të ndihmojnë kompanitë e tyre në botë duke i joshur drejt tregut shqiptar. Rrugët janë të shumta. Por po ashtu janë edhe rreziqet e dështimit.
Të investosh në Shqipëri, nuk mjafton atdhe-dashuria. Askush nuk do të hedhë pasurinë e fituar me mund në diasporë që të humbasë mes korrupsionit të burokratëve dembelë, paqartësisë ligjore, gjykatave të anshme, paaftëisisë për të zbatuar ligjin etj. Në kushtet e globalizimit, Shqipëria ka konkurrencë të jashtëzakonshme në të katër anët e globit.
Të bindësh kompaninë ku punon që të investojë në Shqipëri është një thikë me dy presa. Një rekomandim i gabuar mund të dëmtojë karrierën profesionale. Një përvojë e pakëndshme mund të zhgënjejë edhe investuesin më entuziast. Ka një dallim të madh, mes premtimeve të zjarrta të politikanëve në konferencat për investimin jashtë vendit dhe shpërfilljes ndaj investitorëve pasi kanë zbarkuar më në fund në Shqipëri.
Të shkosh si turist në Shqipëri, atdhedashuria të çon vetëm deri diku. Shumë emigrantë mezi presin pushimet që të shkojnë në Shqipëri. Po kjo lidhet edhe me jetën dhe kujtimet që kanë aty, me mallin për familjarët etj. Megjithë bukurinë e natyrës e avantazhet e tjera Shqipëria mund të bëhet shpejt e lodhshme për turistin që rikthehet.
Të ndryshosh karrierën për të kërkuar punë në Shqipëri është një bast me rreziqe. Në parim, Shqipëria lutet që të kenë njerëz të shkollimit dhe të përvojës së rëndësishme ndërkombëtare në administratën shtetërore apo institucione të rëndësishme e sektorin privat në vend. Në praktikë, vendi ka tashmë plot që janë diplomuar jashtë, ka konkurrencë të brendshme për punë që në sprovën e realitetit bëjnë që entuziasmin për talentin nga jashtë të zbehet shpejt e në fund të kthehet në një bezdi. Problem i madh në Shqipëri janë hierarkitë e ngurta, që i bëjnë të gjithë vartësit poshtë të parit të çdo institucioni me peshë gati zero. Kjo kufizon atë që mund të japë çdo talent, pavarësisht nëse vjen nga jashtë apo nga brenda.
Qeveri të njëpasnjëshme shqiptare kanë provuar të inkurajojnë diasporën që të provojë shansin në atdhe. Po shumë gjëra kanë mbetur rrugës. Dështimi ka një milion shpjegime, vështirësia fillon kur propozohen rrugë të reja zgjidhjeje.
Qeveria socialiste e Edi Ramës po bën edhe ajo përpjekjen e saj. Madje ka sjellë dy risi. Një samit të diasporës dhe një ministri të Diasporës. Sinqeriteti dhe vlera e këtyre dy nismave varen nga kë do të pyesësh. Për ithtarët e Partisë Socialiste ato janë një kthesë e rëndësishme në historinë kombëtare. Për opozitën janë thjesht fluska e spektaklet e zakonshme të Ramës.
Mirëpo, regjistrimi i diasporës dhe krijimi i një institucioni në rang ministrie janë dy realitete të prekshme. Ato më së paku rikthejnë mundësinë për të debatuar edhe një herë këtë marrëdhënie. Shqiptarët në diasporë, duan të përfshihen në jetën politike, ekonomike e kulturore të Shqipërisë. Edhe Shqipëria ka nevojë për ta. Problemi është se po kaq i madh është edhe mosbesimi.
Më së paku, nisma të tilla duhet të jenë ishin shumëpartiake. Shumë faktorë seriozë të diasporës nuk duan të angazhohen në nisma që do të grisen apo nisen nga e para kur të ndërrohen partitë në pushtetin e Tiranës. Disa madje në mënyrë xheloze i përjashtojnë figurat e diasporës që angazhohen me nismat qeveritare të partisë tjetër në pushtet.
Së dyti, diaspora shqiptare është një bashkësi të cilën politika e Tiranës e ka shumë më tepër vështirë që ta mbajë në kontroll, si votues shqiptarët jashtë vendit nuk kanë frikë nga presionet politike. Si investorë janë më pak të prirur të pranojnë kushtet e korrupsionit dhe përthyerjes së ligjit sipas interesave politike e mafioze. Si talente për punësim ata janë më të pavarur, më pak servilë e të komprometueshëm.
Në këto 25 vjet, politika dhe institucionet kanë dashur punën e diasporës pa kërkesën dhe standardet që vijnë nga ndikimi i kulturave të vendeve ku jetojnë emigrantët.
Kjo është vështirë që të ndryshojë sado i sinqertë apo i vendosur të jetë zoti Majko. Institucionet shqiptare janë ato që janë. Partitë politike nuk kanë demokraci të brendshme. Institucionet janë me hierarki absolute me pak liri krijuese e pavarësi mendimi. Reforma për drejtësinë po zvarritet. Çdo hetim zbulon përpjekje masive nga të gjitha partitë për manipulimin e votës.
Nuk mund të ketë të drejtë vote dhe angazhim të gjerë të diasporës në Shqipëri pa regjistrim të popullisë. Po bota është e mbushur me vende ku qeveritë përdorin informacionet personale të bashkatdheratëve jashtë atdheut për të ndëshkuar kritikuesit dhe kundërshtarët politikë. Ka pak kthjelltësi në të gjitha proceset dhe zhgënjimet e dy-tri dekadave të fundit kanë krijuar mjaft apati e mosbesim për çfarëdo që të ofrojë ministri i parë i Diasporës.
Diaspora ka mëkatet e saj. Ne jemi shqiptarë, e kemi mbartur të mirat e të këqiat tradicionale që na kanë shoqëruar në histori. Partitë nuk kanë nevojë të punojnë shumë për të mbjellë pacelat e tyre të simpatizantëve. Ka adhurues të flaktë politik në SHBA që ua kalojnë atyre të Shqipërisë. Diaspora nuk ka vetëm njerëz të virtyrtshëm e talente ndërkombëtare. E shpërndarë gjeografikisht, e organizuar shpesh me baza rajonale e fetare, me larmi brezash, thellësi integrimi e shkollimi, mund të thuhet gjithashtu se ka shumë diaspora brenda çdo diaspora.
Edhe sikur Shqipëria të ishte një vend ideal, çdo përfaqësuesi që do të merrej me diasporën do të duehj të bënte një lloj baleti diplomatik për të mos rënë në batakun e përplasjeve të egove të fryra, të ambicieve të ekzagjeruara etj. Shpesh, pjesët më me vlerë të diasporës nuk janë ato që nxitojnë të dalin në pah.
Sidoqë të jetë, themelimi i një ministrie të tillë dhe kjo vizitë e parë në SHBA ofron një mundësi të re diskutimi. Një nismë nga Bostoni që tani ka nisur një peticion me disa pyetje e kërkesa për ministrin Majko. Të tjera kapacitete të komunitetit ose nuk e kanë vënë fare re vizitën ose nuk po tregojnë interes. Koha do të tregojë kush prej tyre ka pasur të drejtë e nëse po shohim vërtet një kthesë në këtë marrëdhënie natyrisht të koklavitur.

2 Responses to “Shqipëria dhe diaspora: Dëshira është e madhe, mosbesimi akoma më i madh”

Read below or add a comment...

  1. THANAS L. GJIKA says:

    Zoterinjte Frank Shkreli, Ruben Avxhiu dhe Mark Kozmo ngriten ne shkrimet e tyre probleme serioze per te ardhmen e marredhenieve te diaspores me atdheun.
    I duhen derguar z. Majko dhe vete z. Edi Rama per t’i lexuar e pergatitur per bisedat qe do te organizohen ketu me z. Majko.

  2. tolorri dr says:

    NUK KANE BESIM TEK DIAS”ORA
    ME SHUME KA VOTUSE NE DIASPORE>
    ATEHET BLLANCA NRYSHON>
    DIASPORA DEL MMAZHORC>
    NUK MUND TE SHKELET KUSHTETUTA
    CDUKETVOLIGARKIA>
    POR A BEE RREGJISRIME SHRERI??????
    MINISTRI BRENDSHEM QYRETARI VOTON KUR PARAQITET ME DOKUMENT
    KEYU VRITET DEMOKRACIA E LIRIA???
    DIKUR PPPSH DIASPOREN EVQUANIN DIASPO>>

Comment

*