Shqipëria dhe Kosova në garën e robotëve në Uashington

Uashington, 19 korrik 2017 – Ekipe nga rreth 160 shtete dhe gjashtë kontinente morën pjesë në garat tre ditore robotike në Uashington, me qëllim të provimit të afëtisve të tyre dhe nxitjes së pasionit për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Detyra e ekipeve është që të programojnë robotët që të ndajnë topat blu nga topat portokalli dhe t’i dërgojnë ato në një pjesë të arenës së ndeshjes. Gara ka formën e një olimpiade robotike, thotë themeluesi i shoqatës “FIRST Global” Dean Kamen:

“Sportet në lojrat olimpike nuk u japin fëmijëve aftësitë, vizionin, guximin dhe ekspertizën teknike për të zgjidhur problemet botërore.”

Përveç përvetësimit të aftësive për zgjidhjen e problemeve, ekipet mësojnë si të bashkëpunojnë për arritjen e rezultateve. Çdo ndeshje vë përballë dy grupe të përbëra nga tre ekipe secila.

Në këto pamje, grupi ku merr pjesë edhe ekipi i Shqipërisë duket se po fiton garën, ndërsa roboti arrin mbi urën e impovizuar të arenës. Donaldo Biba është nga shkolla Sami Frashëri në Tiranë

“Skuadra jonë ka punuar në ndërtimin e robotit që nga janari. Roboti duhet të ketë dy funksione, të mbledhë topat dhe pas përfundimit të punës të vetparkohet në një shufër të arenës.”

Instuktori Besnik Zylka thotë se, kjo garë do të shërbejë si nxitje për të nxënësit shqiptarë për të përqafuar teknologjinë dhe shkencën:

“Fillimisht kemi patur rreth 15 studentë nga shkolla të ndryshme. Gjatë procesit kemi patur testime dhe aktivitete të ndryshme për të sleksionuar dhe për të dalë me ekipin që kemi sot.”

Edhe pse nuk fituan shumicën e ndeshjeve, ekipit të Kosovës nuk i mungoi entuziasmi. 16 vjeçarja Elita Hajrizi është nga shkolla “Xhevdet Doda” në Prishtinë:

“Ka qënë një eksperiencë e mahnitshme. Përveçse kemi mësuar shumë rreth robotikës, jemi takuar edhe me shumë pjesmarrës për të mësuar rreth kulturave të ndryshme të botës.”

Instruktori i ekipit nga Kosova, Edmond Hajrizi, thotë se mesazhi nga takimi është mjaft i qartë:

“Të rinjtë e Kosovës janë gati dhe duhet të jenë gati për sfidat e radhës që lidhen me teknologjinë, inxhinierinë dhe sfidat globale në përgjithësi.”

Organizatorët e kokurimit thonë se duke mbledhur së bashku këta udhëheqës të ardhshëm të shkencës dhe teknologjisë, kjo mund t’i frymëzojë këta të rinj të përfitojnë aftësi të nevojshme për të bërë zbulime, që dikur konsideroheshin mrekulli, gjëra të pamundura ose thjeshtë trillime shkencore.

/Zëri i Amerikës/

Comment

*