Shqipëria dhe Kosova pajtohen për marrëveshjen “punësim, arsim dhe aftësim profesional”

Shqipëria dhe Kosova janë pajtuar për një marrëveshje tërësore në fushën e sigurimeve shoqërore, njohjen e viteve të punës dhe njehsimin e tregut të punës

Knid Ndrenika

Qeveritë thanë se priren që qytetarët e tyre të mos kenë më pengesat e deritanishme si dhe për lehtësimin e procedurava të lejeqëndrimit. Në Tiranë biseduan ministrat Skënder Reçica dhe Anila Denaj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Anila Denaj dhe Skënder Reçica i Punëve dhe Çështjeve Sociale të Kosovës, thanë në Tiranë se janë të kënaqur nga ecuria e bashkëpunimit dhe marrëveshjet e arritura.

Ministri Reçiça u prit nga zonja Denaj në vizitën e parë të tij zyrtare jashtë Kosovës, shoqëruar nga pikëpajtimi që me Shqipërinë mbetet përparësi njehsimi i tregjeve, shkëmbimet tregtare si dhe një marrëveshje pensionale.

Zonja Denaj tha se hapat për unifikimin tregtar e procedurave doganore rritën tregtinë dhe se janë bërë marrëveshje për sigurimet shoqërore mes Kosovës e Shqipërisë duke mundësuar që puna në ndërsjelltas në të dy vendet të njihet për efekt pensioni

Qeveritë priren që qytetarët e të dy vendeve të mos kenë më pengesat e deritashme.

“Për barriera, të cilat kanë shfaqur herë-herë mungesë të një angazhimi më serioz. Kemi përafruar qëndrimet në arritjen e një marrëveshje, që do të afrojnë qytetarët e Podujevës me Vlorën, për një marrëveshje të mobilitetit për punësim, arsim dhe aftësim profesional, unifkimin e tregut të punës”.

Të dy ministrat Reçiça dhe Denaj, thanë se asgjë nuk mund të arrihet nëse mungon bashkërendimi dhe shtrirja e njehsimit të një tregu pune.

“Hapat e ndërmarrë në kuadër të unifikimit të tregjeve, reduktimit të barrierave tregtare, ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike, janë premisë e mirë për të realizuar një proces sidomos në tregun e punës, arsim profesional dhe sigurimet shoqërore”, -tha zonja Denaj.

Zoti Reçica shtoi se shpreson që marrëveshja të firmoset në takimin e radhës të të dy qeverive së shpejti.

Shqipëria ka katërfishuar eksportet me Kosovën në dy vjetët e fundit.

Në vitin 2019 u shënua shkëmbimi i 300 milionë eurove mallra.

Ministrat Reçiça dhe Denaj theksuan vështirësitë e mëdha të të dy vendeve veçanërisht në periudhën e pandemisë së Koronavirusit.

Shqipëria llogarit pothuajse 87 mijë vende pune të mbyllura gjatë periudhës së pandemisë.

Comment

*