Shqipëria fiton 3 pozicione dhe renditet e 63-ta nga FIFA

Fitorja përballë Izraelit në Haifa i rikhteu përfaqësues shqiptare suksesin pas një serie prej 5 disfatash rradhazi.

Paraqitja e kuqezinjve në atë sfidë ishte thuajse e përsosur dhe këtë e dëshmoi edhe rezultati përfundimtar, 3-0 për kombëtaren tonë.

Këtë fitore e ka marrë për bazë edhe institucioni që drejton futbollin në botë, FIFA në renditjen e përpiluar për muajin qershor.

Shqipëria ka fituar 3 pozicione në krahasim me muajin Maj dhe aktualisht mban vendin e 63-të në klasifikimin e federatës ndërkombëtare të futbollit.

Kuqezinjtë kanë lënë pas pikërisht Izraelin, por edhe Venezuelën që ka humbur 11 pozicione, gjithashtu më poshtë se përfaqësuesja jonë ndodhet edhe Norvegjia.

Ndërkohë ka humbur 4 pozicione kombëtarja e Kosovës. Disfata 4-1 në “Loro Boriçi” përballë Turqisë ka bërë që përfaqësuesja “blu” të zbresë në vendin e 177-të, nga ai i 174-ët që mbante në muajin Maj.

Përsa i përket kreut, Gjermania vijon të udhëheqë renditjen e përgjithshme të FIFA-s.

Kombëtarja gjermane pasohet nga Brazili, Argjentina dhe Portugalia kampione e Europës në fuqi.

Zvicra e Shaqirit e Granit Xhakës ndodhet në vendin e 5-të, ndërkaq Spanja ka humbur një pozicion dhe renditet e 11-ta, përpara Italisë dhe Anglisë.

Comment

*