Shqipëria la pas 16 vende të BE-së për borxhin e lartë publik më 2017

Ndonëse në trajektore ulëse borxhi publik i Shqipërisë renditet nga më të lartët edhe në vendet e BE-së. Sipas një tabele krahasuese që publikoi Eurostat në lidhje me treguesit e borxhit, 16 vende të BE renditen me borxh publik më të ulët se Shqipëria.

Ministria e Financave javën e kaluar raportoi se borxhi publik në raport me PBB-se arriti në 66.8% në fund të 6-mujorit 2017, por në fund të vitit stoku i detyrimeve në raport me PBB rrezikon të jetë më i lartë pasi parashikimi me PBB do të mbetet i njëjtë teksa borxhi në vlera neto do të rritet.

Eurostat raportoi se në fund të tremujorit të parë të vitit 2017, borxhi i qeverisë ndaj PBB-së në zonën e euros (19 vende) qëndroi në 89.5%, krahasuar me 89.2% në fund të tremujorit të katërt të vitit 2016. Ndërsa në 28 vendet anëtarë të BE, raporti i borxhit është rritur nga 83.6% në 84.1%.

Siç shihet nga të dhënat e tabelës së mëposhtme borxh më të ulët se Shqipëria kanë vende të tilla si Estonia me 9.9% të PBB-së, Luksemburgu me 21.9% të PBB-së, Bullgaria me 29% të PBB-së, Danimarka me 39.4% të PBB-së, Rumania me 37.1% të PBB-së, Lituania me 39% të PBB-së, Lituania 39.3%, Republika Ceke 39.9%, Suedia me 41%, Sllovakia 53.5%, Polonia 54.0%, Malta me 59.0% etj.

Vendet me detyrimet më të larta në mesin e BE vijojnë të jenë Greqia me 176% të PBB-se, Italia me 132%, Portugalia me 130%, Belgjika me 107%, Qipro me 107 %, Spanja me 100 të PBB-së, Franca me 98% të PBB, Britania e Madhe 88%, Kroacia me 86.4% të PBB-së etj.

Gjithashtu Shqipëria bashkë me Serbinë janë në mesin e vendeve me borxhin më të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë të aderojnë në BE.

Borxhi i Shqipërisë shënoi rritje të shpejtë pas vitit 2008, për shkak të krizës ekonomike ku rënia e e ritmeve të rritjes së ekonomike çoi në rënie të të ardhurave buxhetore.

monitor.al

Comment

*