Shqipëria në vorbullat e rrjedhave të devijimit të lumenjve ballkanikë

Rafael Floqi

Rafael Floqi

Konfliktet për rrjedhat e lumenjve janë manifestime të dinamikave të politikës së jashtme të rajonale të shprehura me në një formë tjetër dhe nuk janë objekt i vetëm sovranitetit kombëtar

 

Nën mozaikun e tensioneve gjeopolitike rajonale, ujërat janë një burim i konflikti dhe një nga nevojat më themelore të njerëzimit. Për Shqipërinë dy lumenjtë e saj, Drini dhe Vjosa, janë lumenj të rëndësishëm për ekonominë dhe kulturat lokale të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të atyre që jetojnë në Maqedoni e më gjerë. Në vitet e fundit, kërkesa për ujë ka arritur kulmin për shkak të zhvillimit ekonomik dhe të shtimit të popullsisë dhe nevojës për energji, ndërsa furnizimi pritet të zvogëlohet gjatë disa dekadave të ardhshme për shkak të efekteve të ndryshimit të modeleve të klimës. Vendet përreth Greqia dhe Maqedonia për nevojat e tyre energjetike po përpiqen të devijojnë rrjedhën natyrale të lumenjve, Vjosa dhe Radika. Për këtë çështje po reagon opinioni publik në Maqedoni e Greqi, por ende Ministria e Jashtme e Shqipërisë, nuk reagon dhe thotë në takime sekrete se vetëm po i shqyrton problemet (sic!?).
Duke qenë se burimet e ujit janë pjesë integrale të jetës dhe të ekonomive bujqësore të rajonit në veçanti, kontestet mbi përdorimin e drejtë të këtyre lumenjve të përbashkët janë bërë sfidat kritike të diplomacinë rajonale në përgjithësi. Në botë në disa mënyra, konfliktet për rrjedhat e lumenjve janë manifestime të dinamikave të politikës së jashtme të rajonale të shprehura me në një formë tjetër dhe nuk janë objekt i vetëm sovranitetit kombëtar. Meqë ekziston frika se këto konflikte për rrjedhat e lumenjve mund të kthehet në konfliktet e armatosura, traktate të caktuara ndërkombëtare kanë krijuar një kuadër të qëndrueshëm për menaxhimin e ujërave që shërbejnë si bazë për zgjidhjen e gjithë këtyre konflikteve.
Por se cili do të jetë qëndrimi i qeverisë së Shqipërisë të zotit Rama ndaj këtyre dy problemeve të reja me fqinjët?
A janë interesuar Greqia dhe Maqedonia pranë qeverisë shqiptare për këto dy çështje, që janë objekt i traktateve të ujërave të OKB-së?. Ministria e Jashtme e ka shprehur këtë problematikë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit, me kërkesë të deputetëve Fatmir Mediu të PR-së dhe Përparim Spahiu të LSI-së. Sipas gazetës “Panorama” raportimi sekret i zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Jashtme, ishte se deri tani janë ngritur grupet e punës ndërqeveritare për të negociuar me shtetet fqinje, Greqinë dhe Maqedoninë, për problematikat që mund të lindin nga devijimi i burimeve të lumenjve të rëndësishëm të vendit, si Vjosa dhe Drini i Zi. Dhe asgjë tjetër nuk thuhet ndërkohë që Qeveria greke ka miratuar më 31 korrik të vitit 2013 një projekt që synon të devijojë lumenjtë në Veri të Greqisë për të pasuruar liqenin e Janinës dhe në listën e lumenjve figuron edhe ai i Vjosës. Ndërsa qeveria maqedonase i ka propozuar qeverisë shqiptare idenë e saj për një projekt për të devijuar në tri kanale të nëndheshme burimin e lumit Radika, për të ndërtuar një hidrocentral në Fushën e Likovës, qeveria greke nuk e ka njoftuar zyrtarisht, apo nuk bëhet e ditur se ka është marrë ndonjë informacion zyrtar.
Si mund të mbahet sekret një situatë e tillë kur shqiptarët e Dibrës së Madhe demonstruan edhe në Nju Jork para OKB-së mbi ndikimin negativ të devijimit të shtratit të Lumit të Radikës, apo kur ambientalistët grekë ngrihen me të madhe të shqetësuar për ndryshimin e rrjedhës së Vjosës? Disa ditë më parë shoqata Atdhetare “Dibra” në Staten Island, New York, organizoi një protestë para ndërtesës së OKB-së,, të udhëhequr nga një Komisioni organizator, që u ngrit në takimin e Shoqatës Atdhetare “Dibra” kryesuar nga Musa Paçuku. me moton “Stop devijimit të rrjedhës të lumit Radika”. Përfaqësues të OJQ-ve së bashku me pushtetin vendor të Dibrës, po bëjnë të pamundurën që ky projekt të tërhiqet nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, kryesisht ministrit Valon Saraçini, ministri për ekologji, Abdylaqim Ademi, por deri tani reagimi i Qeverisë shqiptare është joeksistent. Ndërkohë, që Shoqata Atdhetare Dibra demonstroi para OKB-së dhe i dërgoi një protestë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon nuk pati reagime na Shqipëri. Protesta ishte e karakterit të brendshëm dhe jo për atë që ky devijim mund të shkaktojë si një problem ndërshtetëror me Shqipërinë. Pse ky reagim kaq i vakët, apo presim që vendet në fjalë të na venë para faktit të kryer?
Qeveria shqiptare duhet ta ketë parasysh, se ka konventa të caktuara të OKB-së që i ndalojnë këto veprime. Dibranët i kërkuan Ban Ki Moon të angazhohet menjëherë për një proces dialogu mes autoriteteve lokale dhe qytetarëve Kjo do të ishte mënyra e vetme për të peshuar me kujdes meritat e një projekti të tillë dhe ndikimin që ai do të kishte për jetën e qytetarëve të rajonit të Dibrës e Madhe, duke u bazuar në realizimin e rezolutës të miratuar nga Kombet e Bashkuara , 63/124 , (2009) aneksi , neni 10, ku flitet për mbrojtjen, ruajtjen dhe menaxhimin e akuifereve. (fushave ujëmbajtëse).
Por bashkatdhetarët nga Dibra, problemin e shtruan si problem i banorëve shqiptarë dibranë me shtetin maqedonas, por veç kësaj ky problem ndërshtetëror është dyfish i rëndësishëm për Ministrinë e Jashtme, së pari mbron të drejtat mjedisore dhe jetësore të banorëve shqiptarë të Dibrës sa Madhe dhe nga ana tjetër, interesat e Republikës së Shqipërisë.
Edhe në Greqi opinioni publik ka reaguar për devijimin e Vjosës, ndërsa Ministria e Jashtme ende vazhdon e ndërton komisione sekrete. Më 31 korrik të këtij viti Ministria e Transportit dhe Ministria e Mjedisit në Greqi nënshkruan një projekt, ku parashikohet devijimi i lumenjve në veri të Greqisë për pasurimin e liqenit të Janinës. Në listë është edhe lumi i Vjosës, gjatësia e të cilit në territorin grek është 70 km. Ai fillon rrugëtimin e tij pranë fshatit Vuvusa në veriperëndim të Greqisë dhe vazhdon rrjedhën natyrale në jug të Shqipërisë, drejt Detit Adriatik. Projekti parashikon që 70 milionë metër kub ujë, të devijohen çdo vit nga burimi i lumit të Vjosës. Diga që është menduar të ndërtohet sipas projektit, parashikon një fund të papritur të udhëtimit të lumit dhe privim e Vuvusës, Konicës dhe Shqipërisë nga ujërat, të cilat do të bllokoheshin nga diga e re. Kundër këtij projekti në Greqi është krijuar tashmë një lëvizje qytetare, ku marrin pjesë punonjës të Parkut kombëtar të Pindit, banorë të komunave të Konicës, Zagorisë, studentë e pedagogë të Universitetit të Janinës, intelektualë dhe organizata mjedisore.
“Lëvizja qytetare për mbrojtjen e Vjosës” thotë se një ndryshim i përmasave të tilla nëpërmjet devijimit të lumit, do të prishte ekuilibrin ekologjik të zonës, dhe do të kishte pasoja të pallogaritshme për mjedisin, njerëzit, florën dhe faunën e gjithë kontinentit. Dhe për më tepër, për t’i vënë pengesë këtij veprimi të paarsyeshëm të qeverisë greke disa deputetë grekë kanë reaguar në parlamentin evropian. Në dhjetor të vitit 2012 eurodeputeti grek Nikos Krisogelos ka kërkuar të dijë, nëse shtetet anëtare të BE-së janë në dijeni për skemën e devijimit të Vjosës, ndërsa në korrik të këtij viti deputeti i pavarur Kristo Arsenis informoi Parlamentin Evropian mbi projektin e firmosur të devijimit të paligjshëm të lumit Vjosë. Sipas tij, plani i qeverisë është i paarsyeshëm dhe destruktiv. Ndërsa zëra të tillë ngrihen fuqishëm ne Greqi dhe në BE, është i pashpjegueshëm, i pafalshëm, qëndrimi i Ministrisë së Jashtme për këto çështje, për të cilën nuk u fol, të paktën nuk u deklarua gjë as në konferencën e paradokohshme të Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati me Ministrin e Jashtëm Grek Vangjelos Veniselos.
Nga Qeveria Shqiptare nuk kërkohet asgjë më shumë, vetëm rigorozitet për zbatimin nga të gjitha vendet e përfshira në këtë problem të normave ndërkombëtare të OKB-së dhe të kornizave ligjore të zhvilluar nga ajo gjatë viteve për të menaxhuar burimet ujore trans-nacionale. Në vitin 1997, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Konventën mbi Përdorim dhe jolundrim e Ujërave Ndërkombëtare. Edhe pse kjo konventë ende nuk i ka firmat e nevojshme që të ratifikohet si një traktat, marrëveshja mishëron parimet e përgjithshme që janë pranuar në fushën e jurisprudencës ndërkombëtare për menaxhimit të ujit. Nuk është e qartë, nëse të tria vendet: Shqipëria, Maqedonia dhe Greqia i kanë ratifikuar këto konventa. Në të shkruhet “Në një situatë në të cilën disa vende ndajnë rrjedhën e një lumi të lundrueshëm ose jo, veprimet e secilit vend lidhur me lumin duhet të jenë të arsyeshme dhe të barabarta për të siguruar që përdorimi i ujit nga një vend të mos i shkaktojnë dëm të rëndësishëm vendeve të tjera. Paradigma mbizotëruese e sjelljes në përdorimin e ujerave trans-nacionale është të bihet dakord që veprimet e njëanshme dhe në një vend të bëhen pasi të njoftohen, konsultohen, dhe të negociohet me vendet e tjera që mund të ndikohen nga ndryshimet e rrjedhës të lumit.
Lumenjtë e përbashkët janë një bekim dhe një mallkim. Në një epokë ku burimet alternative të energjisë janë të çmuar, lumenjtë e rajonit kanë potencial për të gjeneruar sasi të konsiderueshme energjie hidroelektrike. Burimi i energjisë nuk është vetëm i domosdoshëm për plotësimin e kërkesave të industrializimit, por ajo gjithashtu është i rëndësishëm për të mbështetur jetesën e popullatës. Aspekti më interesant i konflikteve të lumenjve është se vende shpesh kanë pozicione të ndryshme për gjatë rrjedhës së lumit, p.sh. ndërsa India është na pjesën e poshtme të rrjedhës së Kinës, India është në rrjedhën e sipërme kundrejt Pakistanit.
Por kur këto ndryshime në rrjedhën e lumenjve në fjalë janë të dëmshme për mjedisin në vendet përkatëse, aq më tepër për Shqipërinë atëherë, çfarë pritet për t’i shpallur si të papranueshme këto projekte? Për këto probleme ka dhe një bazë ligjore në Ligjin Ndërkombëtar. Konventa e OKB-së 1997 mbi Ligjin e përdorimit jo për lundrim të Ujërave Ndërkombëtare e kodifikuar me një ligji ndërkombëtar të shfrytëzimit të ujit për lumenjtë e përbashkët, deklaron se lumenjtë duhet të përdoren nga vendet nga rrjedhin në një mënyrë të barabartë, thekson në mënyrë të veçantë se vendet anash apo në rrjedhën e sipërme të lumenjve nuk duhet të bëjnë asnjë ndryshim që do të ndryshonte rrjedhën e lumit thelbësisht ose që do të mund të dëmtonte vendet që ndodhen në pjesën e poshtme të rrjedhës.” Megjithatë Konventa çalon në tre pika. Së pari, ajo nuk ka mekanizma detyrues për llogaridhënie. Së dyti, ajo nuk e adreson rëndësinë e lidhjeve në mes politikës kombëtare të ujit dhe të përdoruesve përfundimtarë të ujit në nivel lokal. Së treti, ajo nuk merr parasysh shtresat e përbashkëta ujëmbajtëse nëntokësore kur ka të bëjë me një burim të rëndësishëm uji.
Për gjeopolitikën ndërkombëtare, për shkak se ajo fokusohet në një përdorim të barabartë, menaxhimi i integruar i ujërave mund të provohet si zgjidhje e dobishme për gjithë kontestet ndërkombëtare mbi ujërat e përbashkëta, ndaj është e vërtetë që duhen bisedime, pasi uji pa dyshim është bërë një pjesë e rëndësishme e diskursit të sigurisë globale. Por duke i ditur këto, nuk duhet që për mungesë të transparencës të gjendemi përpara një krize, si ajo e delimitimit të kufijve të detit Jon, apo si ajo e armëve kimike. Besoj që qeveria Rama dhe ministrat e tij, të kenë mësuar diçka nga kriza e armëve kimike, seç sjell mungesa e transparencës në ruajtjen e interesave kombëtare, pasi me qeveritë luhet, po me ujërat nuk luhet.

Comment

*