Shqipëria postkomuniste lëngon ende nga nostalgjia për komunizmin

Frank Shkreli

“Ne duhet të shkruajmë me një gjuhë që përhap në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne” (Vladimir Iliç Lenini)

Javët e fundit në pjesën më të madhe të shtypit shqiptar po u jepet hapësirë e madhe fragmenteve të librit të fundit të kujtimeve të Nexhmije Hoxhës, bashkshortes së diktatorit, një e drejtë kjo e saj që dikur nuk ua lejonte kundërshtarëve të saj.  Këto media,  në fakt, ashtu si atëherë në diktaturën komuniste, po luajnë rolin e propagandës kolektive në shërbim të një agjitatori dhe organizatori të masave, por kësaj radhe në një sistem post-komunist që quhet demokraci, madje edhe në emër të lirisë së shtypit dhe të fjalës së lirë.

Një mik i imi nga Tirana më tha se shkrimet e tilla lexohen shumë nga shqiptarët.  Pra, qëllimi i botuersve është shitja e gazetave, pa marrë parsysh përmbajtjen e botimeve të tilla, si “kujtimet” e Nexhmijes Hoxhës dhe libri i mjekut personal të diktatorit, Z. Isuf Kalo, një rrëfim i rrallë i jetës në Bllok, ku i thuren lëvdata jo vetëm Enver Hoxhës, por edhe bashkshortes së tij dhe ish-udhheqësve të tjerë komunistë.

Botimi i këtyre dy librave u pasqyrua dhe u diskutua gjërësisht me javë të tëra në programet televizive “prime time” dhe në shtypin e vendit.  Një reflektim ky i falimentimit moral politik dhe i korrupsionit material, jo vetëm i politikës së ditës, por edhe i medias shqiptare.

Mund të ishte një kohë dikur, dekada më parë, që ndoshta përkushtimi ndaj komunizmit dhe diktatorëve si Enver Hoxha të konsiderohej si një idealizëm i gabuar ose naiv, por sot jemi në një botë dhe në një shekull tjetër.  Për pjesën më të madhe të botës ish-komuniste dhe për njerëzit normalë, periudha e komunizmit ka kaluar, është mbyllur me shembjen e Murit të Berlinit. Por, kjo magjepsje me të kaluarën komuniste në Shqipëri, siç dëshmon edhe vëmëndja që po i kushtohet në ditët dhe javët e fundit “kujtimeve” të Nexhmije Hoxhës dhe të mjekut të Enver Hoxhës, Z. Isuf Kalo në medien shqiptare dhe nga opinionistë të ndryshëm, është absolutisht e pabesueshme, kur të konsiderohen krimet e atij regjimi, tani një pjesë e madhe e të cilave janë dokumentuar nga institucionet,  historianët dhe dëshmitë e shumë të vuajturve dhe të persekutuarve nga regjimi enverist.  Vetëm ata që janë moralisht të falimentuare  anashkalojnë faktin se terrori dhe krimet anti-njerëzore ishin një prej mjeteve bazë që komunizmi i ka përdorur për të qëndruar në pushtet, duke zhdukur pa mëshirë kundërshtarët e vet.  Në vend që të kërkojnë ndëshkimin e krimeve të komunizmit ose, të pakën, përballimin zyrtar me të kaluarën komuniste, media dhe nostalgjikët e komunizmit, për interesa të momentit, promovojnë figurat më të shëmtuara të regjimit komunist shqiptar.

Një përjashtim nga ky grup është analisti i njohur Agron Gjekmarkaj, i cili në një artikull të ditëve të fundit, ndër të tjera, e komentoi pikërisht rolin e medias në këtë mes. “Në shumë media ka një rendje, një dihamë, një garë, një lëbyrje për të botuar e ribotuar kujtimet e Nexhmije Hoxhës.  Po të pyesësh pse ndodh kjo, të përgjigjen: ‘Po ja, këto klikohen, lexohen, i kërkon publiku’.  Në këtë rast, të dyja palët po bashkëpunojnë në revizionimin dhe modifikimin e një epoke kriminale”, shkruan Gjekmarkaj.

“Ata po masturbohen me mashtrimin hakmarrës që u ofron zonja plakë.  Ajo po e përqesh iluzionin tonë për liri e demokraci.  Mbi plagët e shqiptarëve-viktima të saj, gjuan gëlbazë e cinizëm të ftohtë.  Nexhmija po sillet si fitimtare”, thekson Agron Gjekmarkaj.

Krahasoni, ju lutem, vëmendjen që media dhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare u ka kushtuar këtyre dy botimeve të kohëve të fundit të Nexhmije Hoxhës dhe të  Isuf Kalo, me mungesën pothuaj totale të pasqyrimit në media të hapjes më 13 shkurt 2020 të edicionit të pestë i “Ditëve të Kujtesës” nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) që synon të ndërgjegjësojë dhe të forcojë dialogun rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale.  Sipas portalit (IDMC) aktivitetet nisën me ekspozitën ndërkombëtare “Totalitarizmi në Evropë” dhe me një diskutim të ekspertëve vendës dhe të huaj për represionin stalinist, duke vënë në analizë diktaturën që e përjetoi Shqipëria në krahasim me shtetet tjera ish-komuniste.  Në ceremoninë që u mbajt në hotel “Tirana”, të enjten, drejtoresha e këtij instituti, Dr. Jonila Godole, kujtoi synimet që kanë pasur “Ditët e Kujtesës” në vitin 2015, kur u organizua aktiviteti i parë.  “Situata nuk ka ndryshuar shumë, pasi ish-të përndjekurit nuk kanë ende një memorial. E shkuara vazhdon të jetë e trajtuar me mangësi në tekstet shkollore, ndërsa shoqëria mbetet pak e ndërgjegjësuar”, theksoi ajo.

Pikërisht ky është problemi kryesor: ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e shoqërisë shqiptare për të kaluarën komuniste, një përgjegjësi dhe një rol që duhet të luajë edhe media shqiptare, si një përgjegjësi morale dhe qytetare.

“Jetojmë në demokraci, e mbajmë veten për ithtarë të saj, por pranojmë të heshtim për krimet e djeshme dhe gjithashtu i mbyllim sytë për krimet që pasuan, sepse mentaliteti dhe kultura politike e ngritur mbi frikën nuk e lë një popull të ecë përpara, por ia vret zërin.  Ai preferon të mos përzihet dhe të rrijë mënjanë, duke pranuar me heshtjen e tij të gjitha regjimet dhe duke mos marrë një pozicion të qartë për t’i ndryshuar ato”, u shpreh Dr. Jonila Godole,  në fjalën e hapjes së manivestimit “Ditët e Kujtesës”.

E botoi kush njoftimin për media për veprimtaritë e “Ditët e Kujtesës” të organizuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë, me mbështetje të fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS). E falënderojmë Zotin për ndihmën e Fondacionit gjerman, pa të cilën nuk do të zhvillohej as y aktivitet.

30-vjet më parë, kur dëgjonim thirrjet se e donim Shqipërinë siç ishte Evropa, ishim të bindur se së shpejti do të fillonte një epokë e re e lirisë dhe demokracisë.  Shpresonim dhe besonim se epoka e lirisë dhe demokracisë nuk do të merrte kurrë fund, sepse komunzmi ishte shembur njëherë e mirë.  Por, siç po shihet, nostalgjia për komunizmin në Shqipëri është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve dhe tani shprehet haptas , në media dhe në studio televizive, nga trashgimtarët dhe apologjetët e atij regjimi, të cilët mbajnë ende pozita  të larta qeveritare dhe akademike. Ata janë shkaktarë që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita ditës në Shqipëri.  Është gjithashtu provë se një shumicë e shqiptarëve janë me prirje të majta dhe nuk ia dinë vlerën lirisë së vërtetë dhe demokracisë , një situatë kjo që, rrjedhimisht, e ka krijuar një boshllëk dhe një mungesë të moralit dhe të përgjegjësisë në udhëheqjen e vendit.  Për botën e lirë, sidomos për Shtetet e Bashkuara dhe për shumicën e vendeve ish-komuniste, gjatë fundshekullit të kaluar ishte e qartë se komunizmi kishte falimentuar moralisht dhe materialisht, gjë që i frymëzoi kundërshtarët e komunizmit dhe, njëkohësisht, i  turpëroi despotët komunistë. Por, siç duket, kjo nuk ka ndodhur me nostalgjikët e komunizmit në Shqipëri, të cilët e mbrojnë ende, madje edhe me mburrje, të kaluarën komuniste në këtë vend të vogël.

Unë nuk habitem me individë apo me grupe të vogla të njerëzve që ende kanë nostalgji për Enver Hoxhën dhe për regjimin e tij, për “kujtimet” e Nexhmije Hoxhës ose për ato të mjekut personal të Enver Hoxhës, sepse gjithmonë ka patur dhe do të ketë mbështetës fanatikë të ideologjisë dhe doktrinës së regjimit , të cilët edhe mund të mos jenë të informuar për të këqiat që ia ka shkaktuar regjimi komunist shqiptar popullit të vet.  Kjo ndodh edhe në vende të tjera, përfshirë edhe vendet demokartike perëndimore, por jo në përmasata që e shohim në Shqipëri. Në fund të fundit, këto i ka demokracia.

Por, unë nuk e kam të qartë se cila është agjenda e personave dhe grupeve të caktuara në Shqipëri. Nuk e kuptoj as forcën motivuese të tyre për zbatimin e agjendës së tyre – ringjalljen e  enverizmit në Shqipër.  A është kjo një përpjekje për të mbuluar mizoritë e regjimit enverist apo po përpjekje për të krijuar një histori të gënjeshtërt me pasoja afatgjata për kombin shqiptar?

Por, gjëja që më çudit pa masë dhe më dëshpëron njëkohësisht është mungesa e reagimit serioz ndaj këtij fenomeni nga media, nga intelektualët, nga historianët e dëshmitarët , nga shoqëria civile, madje as nga organizatat e viktimave të komunizmit.  Si është e mundur që njëri prej “stalinëve të vegjël” të Evropës dhe njëri prej kasapëve më të egër të shekullit të kaluar të konsiderohet si udhëheqës me merita për kombin?

Analisti Agron Gjekmarkaj, në artikullin “Ne i meritojmë kujtimet e Nexhmije Hoxhës”, të cituar më lart, shkruan se klasa politike shqiptare gjatë periudhës 30-vjeçare në postkomunizëm nuk ka bërë përpjekje serioze për dekomunistizimin e vendit.

“Jo vetëm kaq, por nuk e patën kurrë seriozisht atë, as e djathta, për të cilën pritshmëritë ishin më të larta, e as e majta, e cila nuk u nda kurrë prej së vërteti me partinë e Enverit, për të ruajtur bazën elektorale.  Vend i vogël ky i yni me krime kaq të mëdha e të kobshme, sa që s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban. Të pazotë e të pandershëm, si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si shtet për t’u përballur me to, zgjodhëm një rrugë, atë më të pështirën, por të lehtën ama: harresën, tjetërsimin, anashkalimin”, shkruan Gjerkmarkaj.

Aktivisti i të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, Martin Luther King, ka thënë: “Jeta jonë fillon të marrë fund në ditën që ne heshtim për gjërat më rëndësi”.  Unë jam munduar shpeshherë ta them  se derisa kombi shqiptar nuk përballet në mënyrë të ndershme dhe të sinqert ë me krimet e komunizmit dhe me trashëgiminë e vërtetë të regjimit komunist të Enver Hoxhës , ashtu siç bëri Gjermania me të kaluarën e saj naziste dheme atë  komuniste, përpjekjet e kombit shqiptar për dinjitet, liri e demokraci dhe për bashkim kombëtar do të mbeten gjithnjë ëndërr e parealizueshme.  Propaganda që u bën media botimeve të fundit në Shqipëri të protagonistëve kryesorë të komunizmit dëshmon se në Shqipëri është ende e gjallë fryma e urrejtjes ndaj kundërshtarëve.  Motivi i mbështetësve të amaneti t të Leninit (“Ne duhet të shkruajmë me një gjuhë që përhap në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne”)  sot në Shqipëri duket më i fuqishëm se sa motivi i njerëzve të lirë për t’u ballafaquar me të kaluarën komuniste.

Prandaj, i dashur lexues, shkrimtar, gazetar, opinionist, intelektual, politikan i të gjitha ngjyrave dhe ti qytetar i lirë, në qoftë se ia do të mirën vetes, familjeve tuaja dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi, përgjigju thirrjes së atyre që vuajtën nga regjimi hoxhist, atyre që iu mor jeta  në mënyrën më brutale nëpër  kampet e përqendrimit e nëpër burgjet komuniste! Përgjigjiu thirrjes së viktimave të Masakrës së Tivarit, përgjigju thirrjes së kombit të vuajtur dhe të ndarë pesë copash si edhe të dëshmorëve që dhanë jetën për liri, demokraci e dinjitet dhe për të vërtetën historike.

Shkundu e mos rri i ngathtë, se heshtja nuk na ka hije!

One Response to “Shqipëria postkomuniste lëngon ende nga nostalgjia për komunizmin”

Read below or add a comment...

  1. Safet Qose says:

    Cdo sistem shoqeror qe kalon le gjurmete vetea dhe ai qe e zevendeson duhet te provoje se eshte me i mire duke plotesuar te tera kushtet dhe premtimet e klases politike qe ka marre pergjegjesine per ta perfaqesuar U tha se do ta bejme Shqiperine si Europa ? Perse duhet te shkaterrohej cdo gje dhe te paraqitej ceku i bardhe ne vend qe te thuej se Europa eshte bere me djers e sakrifica ne lufte edhe kunder mafies dhe droges etj ? Po te ndertohet njesistem qe sjell mireqenie dhe liri per shumikcen nuk ka parse ta mbajne mendjen te e kaluara Por kuir pasurohet vetem nje pakice duke vjedhur dhe graqbitur dhe shitet pasuria kombetare ne bote dhe edhe thesarin e ka pervetesuar nje kaste meta berishjane cfar besimi do te krijohet te shumica ? Kur drejtesine e ka vene nen kembe klasa e pasur dhe mafia aq sa detyrohet te nderhyjne aleatet qe ndihmuan per ndryshimin e madh dhe keta aleate sulmohen nga klasa politike ke duhet te besoje shumica ? I nderuar Shkreli gjeje se ku eshte e keqeja se nuk eshte tek populli Ai do qetesi dhe mireqenie Ai do qe bijt e tij mos te lene kockat neper udhet e botes Eshte i deshtuar ai qe fajet e veta ia shkarkon popullit ,

Comment

*