Shqipëria pret nga SHBA 80 milionë euro të privatizimit të “Albpetrolit”

Zëvendësministri Enno Bozdo thotë se dështimi i privatizimit të “Albpetrolit” nuk ishte faj i shtetit shqiptar, por i subjektit që nuk përmbushi detyrimet. Kompania amerikane “Vetro Energy” që e mori “Albpetrolin” për 800 milionë euro dhe partneri i saj Rezeart Taçi nuk dhanë asnjë euro deri në fund të vitit 2012 (afati ishin muajt nëntor-dhjetor), pra 10 përqind të vlerës së përgjithshme, ose 80 milionë euro

 

Denion Ndrenika
Qeveria e Shqipërisë është në komunikim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të vjelë një shumë prej 80 milionë eurosh që i përket pas paraqitjes së ofertës nga një kompani amerikane për privatizimin e një sektori strategjik në vend. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e ka këtë shumë si përputhshmëri e ligjit apo (sigurimi i ofertës) ndryshe 10 për qind të vlerës së përgjithshme që një subjekt privatizues duhet të paguajë si garanci nëse nuk përmbush detyrimet. Fjala është për kompaninë shtetërore të nxjerrjes së naftës “Albpetrol”. Zëvendësministri Enno Bozdo thotë se procedurat janë normale dhe dështimi i privatizimit nuk ka qenë për faj të shtetit shqiptar, por të subjektit që nuk përmbushi detyrimet. Sipas zotit Bozdo, zgjidhja më e mirë për vendin dhe shfrytëzimin e pasurive në këtë rast, është privatizimi i “Albpetrolit”. Por, zëvendësministri Bozdo thekson se tanimë zgjidhjen se çfarë do të bëjë me “Albpetrolin” e ka qeveria e ardhshme. Zoti Bozdo foli për “Zërin e Amerikës”, gazetën “Illyria” dhe radion “Kosova” të Radio Televizionit të Kosovës. “Albpetroli” zotëron dy nga fushat gaz dhe naftëmbajtëse në Shqipëri.
“Kompania amerikane “Vetro Energy” u shpall fituese e tenderit për privatzimin e “Albpetrolit”. Me shumën rekord 800 milionë euro, që në të vërtetë përbënte një shifër që afrohej me një pjesë të madhe të Buxhetit të Shtetit të Shqipërisë.
Fillimisht nuk kishte ndonjë njohuri se, cila ishte kjo kompani dhe a kishte dorëzuar ajo garanci bankare në një prej 50 bankave më të rëndësishme ndërkombëtare? Gjithçka u qartësua edhe pse e shoqëruar me dyshime, kur kjo kompania dorëzoi garanci nga një bankë në Çikago, ndonëse opozita socialiste e kohës nuk u bind për shkak se ajo bankë nuk hynte te 50-ja e kërkuar prej ligjit. Po ashtu shpejt pjesë e kompanisë “Vetro Energy” u shfaq biznesmeni Rezeart Taçi që ka në pronësi kompaninë “Taçi Oil” dhe “ARMO”. “Vetro Energy” që e mori “Albpetrolin” për 800 milionë euro, nuk i dha asnjë euro deri në fund të vitit 2012 shtetit shqiptar dhe as deri tani. As partneri i tyre Rezeart Taçi që i detyroheshin Shqipërisë 10 për qind të vlerës së përgjithshme, pra 80 milionë euro. Afati i derdhjes të 80 milionë eurove ishin muajt nëntor-dhjetor 2012, por megjithë kontaktet dhe komunikimin e vazhdueshëm, 10 përqindëshi nuk u dha dhe normalisht tenderi u anullua.

-Cila është gjendja?

-Enno Bozdo: “Në qoftëse është dhënë një ofertë që nuk është mbajtur dhe jo për fajin tonë, pra jo për faj të autoritetit kontaktual, pra për faj të ofertuesit, atëherë ne i kemi kërkuar atë që quhet “sigurimi i ofertës” që është 10 për qind e shumës. Dhe, tani jemi në komunikim të përhershëm me autoritetet amerikane për të vënë në zotërim atë që praktikisht na takon nga oferta, pra 85 milionë dollarë nga oferta (është 80 milionë euro) dhe besoj që shpejt do ta marrim. Shpresoj që edhe ata që do të jenë nesër në karrigen time ta ndjekin me të njejtën konsistencë këtë rast”.

-Mirëpo, a është mosprivatizimi i “Albpetrolit” dështim apo zhgënjim? Zëvendësministri Bozdo e ka një përgjigje:

-Enno Bozdo: “Një privatizim mund të dështojë për shumë arsye, por nuk është rasti që ka dështuar për një zhgënjim të kompanisë së vendit të dytë (në tender). Ne kemi kontaktuar me këtë kompani, e cila për arsye të caktuara nuk paraqiti më interes për të vazhduar me prcedurat e mëtejshme. Dhe, ishte plotësisht në të drejtën e saj. Këto janë vendime që varen shumë edhe nga uljet dhe ngritjet e tregut përkatës”.

-Një kompani kineze ishte renditur e dyta në tender me një shumë të përafërt prej 270 milionë euro dhe mandej gjigandi nga Rusia “Gazprom” me thuajse 50 milionë euro. A është koha për tender të ri? A do të bëhet më tej privatizimi i “Albpetrolit”?

-Enno Bozdo: “Si do të ecë më tej? Duhet pyetur qeveria e re se çfarë ka ndërmend të bëjë me “Albpetrolin”. Unë dhe ne vazhdojmë të besojmë se privatizimi i “Albpetrolit” është zgjidhja më e mirë për të futur në efiçentë jo vetëm puset e naftës, pasi ato janë tashmë të mbylluara me marrëveshje koncensionare, por edhe atë industri apo gjysëm industri mbështetëse që “Albpetroli” zotëron tashmë. Kjo ishte arsyeja se përse ne zgjodhëm ta privatizonim “Albpetrolin” të tërë. Ndryshe, mund të kishim vepruar siç kanë bërë socialistët vite më parë, që nuk kërkonin të privatizonin “Albpetrolin”, por dhanë fushat e naftës me koncension. Sidoqoftë, vendi do të ketë një qeveri të re duke filluar nga shtatori. Ky është një vendim i madh strategjik. Për mendimin tonë ne duhet të vazhdojmë, pra një vend i vogël si Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat strukturore. Kjo ka qenë një reformë e fortë strukturore, e cila për një konjukturë të tregut apo për kapriço të ndokujt, nuk doli me sukses. por, nuk është e thënë që të mos jetë e suksesshme në një shpallje të dytë. Pra, kjo është mënyra më e mirë për të shitur me çmimin maksimal atë që konsdiderohet si pasuri publike. Çdo arsyetim tjetër e mbajtjes në këtë gjendje limbo të “Albpetrolit” kur edhe efiçent është edhe efiçent nuk është, kur edhe punon edhe kur nuk punon, kur edhe ka më shumë punëtorë, edhe punëtorët nuk punojnë, kjo ka të bëjë vetëm me keqpërdorimin e pasurisë publike. Ne duhet që sektorë të caktuar t’ia kthejmë privatit”.

Comment

*