Shqiptarët e Amerikës, mes kandidatëve Joe Biden dhe Donald Trump

Ruben Avxhiu

Nga Ruben Avxhiu

Mund të jetë rastësi, por pak ditë përpara botimit të letrës kushtuar dialogut Kosovë-Serbi nga ish-Zv-Presidenti Joe Biden, David Philips, ish-diplomat dhe studjues, shprehu habinë për një lajm ende të pakonfirmuar se Ambasadori Grenell po organizonte një takim mbledhje fondesh me shqiptarët e Amerikës për fushatën zgjedhore të Presidentit Donald Trump.
Phillips tha se kjo do të ishte një “paturpësi” nëse Ambasadori që sipas tij ishte munduar të bënte një marrëveshje duke copëtuar Kosovën dhe kishte dështuar me takimin Thaçi-Vuçiq, po përpiqej tani të ngrinte veten në sy të Presidentit Trump me paratë e shqiptarëve.
Se ku dhe kur do të bëhet kjo mbledhje fondesh për Presidentit Trump nga Ambasadori Grenell, nuk kam parë ndonjë njoftim publik. Nuk do të habitesha nëse vërtet është duke u organizuar diçka e tillë dhe nuk do të ishte hera e parë që shqiptaro-amerikanët bëjnë fushatë për kandidatë republikanë. Ky është një komunitet pluralist. Ka qenë dhe do të mbetet.
Rastësia në kohë mund ta bëjë deklaratën e zv-Presidentit Biden të duket si një reagim për angazhimin republikan në komunitet. Në fakt, historikisht demokratët kanë qenë shumë më të angazhuar me komunitetet etnike sesa republikanët. Kjo ka qenë sidomos e dukshme në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Vetë Phillips ka ftuar më parë shqiptaro-amerikanët të kontribuojnë për fushatën e demokratit Biden. Ai ka shkruar opinione duke e akuzuar Administratën Trump për tradhëti të Kosovës si dhe ka mbajtur një konferencë video me Antony J. Blinken, që ka dalë në pah si një nga këshilltarët më të ngushtë të Joe Biden në fushën e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Deklarata e ish-Zv-Presidentit Biden prek një pikë të rëndësishme që ka shqetësuar shqiptaro-amerikanët kohët e fundit. Një titull ndryshe për deklaratën mund të ishte “Biden kundër ndryshimit të kufijve”. Apo në formën më të preferuar të pjesës më të alarmuar nga bisedimet e fshehta “Biden kundër ndarjes së Kosovës”.

Një tjetër pikë që tërhoqi vëmendjen ishte se letra përgëzonte udhëheqësit e dy shteteve të përvshirë në dialog, Vuçiqin e Serbisë dhe Avdullah Hotin e Kosovës. Në këtë mënyrë, Biden kishte shmangur Presidentin Hashim Thaçi. Mbase ngaqë Thaçi është thirrur për në Hagë dhe Hoti është tani përfaqësues i Kosovës në Bruksel. Apo mbase nga afërsia e madhe që krijoi Thaçi me Ambasadorin Richard Grenell dhe për rrjedhim me Administratën e Presidentit Donald Trump. Biden e ka takuar disa herë Thaçin në jetën e tij, të paktën një ose dy takime kanë shënuar përqafime të ngrohta. Biden është pritur me entuziazëm në Kosovë, ku veç të tjerash është mbajtur edhe një ceremoni zyrtare për të nderuar djalin e tij të vdekur para kohe.
Biden është nga ata pak demokratë amerikanë që mund të marin vota republikanësh në komunitete si ai i shqiptarëve të Amerikës, po edhe në komunitete të tjera etnike.
Po kjo nuk do të thotë se Biden i ka tashmë në xhep votat e shqiptaro-amerikanëve.

 

Takimi me Zv-Presidentin Mike Pence në Michigan

Pamje nga takimi me Zv-Presidentin, Mike Pence.

Shqiptarët e Amerikës historikisht kanë qenë të ndarë politikisht, në Republikanë e Demokratë. Ata kanë pasur fatin e mirë që të kenë miq në të dy anët e politikës në Washington.
Mbështetja për Presidentin Trump ka ekzistuar mes një numri shqiptarësh qysh në zgjedhjet e vitit 2016.
Këtë vit, në Michigan, një grup shqiptarësh të udhëhequr nga Gjovalin Gegaj kanë ofruar ndihmën e tyre për rizgjedhjen e Presidentit. Gegaj, një udhëheqës i njohur i komunitetit u takua edhe me zv-Presidentin Mike Pence, të cilit i paraqiti shqetësimet e shqiptarëve për idenë e ndarjes së Kosovës. Një letër e shkruar në bashkëpunim me aktivistë si Martin Vulaj dhe Eduard Aliko paraqiti pikëpamjet e shqiptarëve duke nisur një lobim konkret ndaj Administratës Trump.
Shqiptaro-amerikanët mund të jenë faktor kyç në Michigan. Ata kanë 34,000 vota të sigurta që mund të shkojnë deri në 43,000. Në 2016, diferenca mes Trump dhe Hillary Clinton në këtë shtet ishte vetëm 10,000.
Shqiptarë në shtete si Neë York, Florida, Texas etj kanë marrë pjesë në mbledhje fondesh për kandidatë republikanë.
Duke pasur parasysh të gjitha këto, një takim fondembledhës me Ambasadorin Grenell, nuk do të ishte surprizë. Madje do të ishte i vonuar.
Pak ditë më parë, disa shqiptaro-amerikanë zhvilluan një bisedë me video me Ambasadorin Grenell, të siguruar nga aktivisti Martin Vulaj.
Lajmi i bisedës u prit me interes dhe kuriozitet nga shqiptarët, ndonëse parti edhe shprehje dyshimi sepse pikëpamje të kundërta se si duhet trajtuar Ambasadori Grenell. Ish-kongresisti DioGuardi i Ligës Qytetare i ka bërë thirrje Presidentit Trump që ta shkarkojë nga detyra si emisar për bisedimet Kosovë-Serbi. Vulaj mendon se angazhimi me të do të ndihmojë më shumë sesa denoncimi publik.
Shumë shqiptarë në SHBA fajësojnë Ambasadorin Grenell për rrëzimin e qeverisë Kurti në Kosovë. Jo pak prej tyre shohin te Biden shpresën e rikthimit të një Amerike që ka qenë shumë më miqësore dhe mbështetëse ndaj Kosovës.

 

Vjeshta më e nxehtë se vera

Kjo fushatë presidenciale pritet të jetë më helmuar nga tensionet ndërpartiake se asnjë tjetër në kujtesën moderne të politikës në SHBA. Shqiptaro-amerikanët nuk mund të jenë imunë ndaj kësaj klime. Debatet mes tyre në rrjetet sociale kanë qenë ngjashmërisht të mbushura me mllef dhe fyerje personale.
Kur përshkruhet puna e komunitetit si e orientuar për të ndikuar në të dy partitë kryesore, kjo tingëllon si një strategji e mençur e shqiptarëve të Amerikës, por kur e sheh nga afër nuk ka ndonjë dhelpëri e hipokrizi në këtë lloj angazhimi. Ndarja partiake është e sinqertë e jo rrallë pasioni e mbyt arsyen. Shqiptarët republikanë gëzohen që mundet Engel një mik i shqiptarëve, pavarësisht se fituesi është një demokrat shumë më i majtë e shpërfillës ndaj problemeve shqiptare në Ballkan. Shqiptarët demokratë gëzohen që humbet Marko Kepi, një republikan, edhe pse ai është një djalë i komunitetit tonë dhe fituesi është jo vetëm një republikan, por edhe një greko-amerikan, me prirje antishqiptare. Ky absurditet duhet luftuar nga mendjet e ftohta dhe zemrat e hapura të komunitetit. Lidhja me të dy partitë duhet t’i shërbejë komunitetit dhe mundësisht çështjes kombëtare, jo ta dëmtojë atë.
Të gjitha gjasat janë që kjo fushatë të vijë duke u bërë më e shëmtuar. Në garën mes dy kampeve politike, do të jem me ata që ofrojnë arsye e argumente, me ata që shuajnë zjarre kundër atyre që duke mos pasur asgjë thelbësore për të kontribuar në debat ndezin vetëm urrejtje patologjike.

3 Responses to “Shqiptarët e Amerikës, mes kandidatëve Joe Biden dhe Donald Trump”

Read below or add a comment...

  1. Ermal Berati says:

    Shqipetaret e Amerikes duhet te votojne Biden. Tramp eshte i pe besueshem per ceshtjen e kosoves.

    • Viktori says:

      Votoni shqipet e Gjergj Kastriotit per Shkelqesine TRUMP Ja pse?

      Kosova u neglizhua gjate Obamas Biden ishte nenkryetar, qeverija e atehershme kategorisht ishte kunder formimit te ushtrise se Kosoves.Qeverija e Zotit Trump jo qe ndihmoj formimin e ushtrise /sot Kosova ka udhtrine e vet /por po vazhdon ta armatos ushtrine e Kosoves. shih per kete Qeverija e Putinit reagojn ashper.Qeverija Trump vazhdon ta ndihmoj Kosoven ne cdo aspekt,prandej ju komentues pak dini per Kosoven. Edhe ne kohen e pandemise Qeverija e Zotit Presidentit Shkelqesise Trump asht e angazhuar forte per arritjen marreveshtjeve ekonomike ne mes Kosoves dhe Serbise,por kjo varet shume nga Qeverija e Vucic e jo nga SHBAte.
      Sinqerisht i Juaji
      Viktori

  2. sali bollati says:

    Nuk mund ta kuptoj mendimin e shqiptareve per Trapin?!

Leave a Reply to sali bollati Cancel reply

*