Shqiptarët e Maqedonisë përsëri në udhëkryq

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Zhvillimet tronditëse të ditës së enjte kur parlamenti në Maqedoni u pushtua nga huliganë të dhunshëm e ka vënë në dyshim më shumë se kurrë të ardhmen e vendit.
A do të vendoset një diktaturë? A do të ketë kalim normal të pushtetit? A do të pajtohen partitë për një zgjidhje politike apo do të vazhdojë ngërçi me potencialin për dhunë të përgjakshme, e mbase edhe luftë civile? A do të ketë zgjedhje të reja? E shumë të tjera.
Po kjo gjendje ka sjellë përsëri në udhëkryq shqiptarët e këtij shteti?
Dy janë rrugët kryesore përpara, a të investojnë akoma më shumë energji e kapital politik për një Maqedoni më të mirë për të gjithë qytetarët e saj, apo të kërkojnë zgjidhje vetëm etnike, me ndarje kantonale e shkëputje një herë e përgjithmonë.
Shumica e shqiptarëve do të donte të dytën, por kjo sepse për përgjigjen na vijnë në mend vetëm të mirat dhe jo çmimi që paguhet për to apo ftohtësia e realitetit.
Reagimet e sinqerta dhe të ashpra që dolën sot nga zemrat tona ishin të forta për shqiptarët që u dhunuan nga huliganët. Shpesh ato ishin në formën që “ja se çfarë u ndodh shqiptarëve në shtetin e maqedonasve”, pse duhet të rrinë shqiptarët në një shtet me ata.
Mirëpo, nga ana tjetër, maqedonas ishin edhe ata që u përgjakën bashkë me shqiptarët sepse për herë të parë në histori, me votat e tyre maqedonase, kishin zgjedhur një kryetar parlamenti shqiptar.
Dilema shqiptare e Maqedonisë sot përfshin edhe pyetjen a duhet t’i lëmë këta maqedonas të përgjakur vetëm përballë dhunuesve të tyre apo duhet të bashkohemi me ta për të mposhtur fashistët filorusë që mbrojnë një parti thellësisht të korruptuar.
Një përgjigje cinike e kësaj është që këta maqedonas janë me shqiptarët për interesa politike dhe jo se na duan vërtet. Mirëpo, kjo mund të thuhet edhe për partitë shqiptare të Maqedonisë. Talat Xhaferi, Zijadin Sela e të tjerë do të donin një bashkim kombëtar shqiptar, por ata janë në aleancë me Partinë Social Demokrate Maqedonase, sepse në mungesë të mundësi për bashkim, të paktën të bëhet Maqedonia një vend ku shqiptarët të mund të jetojnë me dinjitet.
Shqiptarët nuk mund të bëjnë dy beteja, me kahe të kundërt, në të njëjtën kohë. Ata nuk mund të kërkojnë ndarjen e Maqedonisë dhe njëkohësisht të kërkojnë poste kyçe, integrim në shoqëri dhe ndryshime të simboleve kombëtare.
Nëse detyra kryesore është ndarja, atëhere le të mos mbajmë kot me shpresa aleatët tanë perëndimorë, liberalët dhe majtistët e Maqedonisë, bashkatdhetarët tanë që janë pjesë e administratës dhe partive maqedonase, fqinjët rajonalë etj. Të shprehim hapur kërkesën tonë për vetëvendosje në Maqedoni.
Mirëpo, nëse kjo lëvizje jo vetëm që nuk do të siguronte shkëputjen por do të sillte kundërshtimin e fortë ndërkombëtar dhe do t’i linte shqiptarët e Maqedonisë në një gjendje shumë më të keqe se kjo që janë, jo vetëm pa shkëputje e bashkim me Shqipërinë por edhe pa të drejtat e fituara deri tani dhe mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së që kanë gëzuar deri tani, atëhere çfarë vlere do të kishte ajo?
Ja cili është mendimi im në këtë pikë:
E vetmja mundësi që nisma për shkëputjen shqiptare nga Maqedonia të ketë mbështetjen e duhur ndërkombëtare për t’u bërë realitet është nëse ezaurohen të gjitha përpjekjet e sinqerta dhe të fuqishme për ta bërë Maqedoninë një shtet të të gjithëve dhe një shtet liberal-demokrat, të së drejtës.
Vetëm nëse shqiptarët do të kenë dëshmuar se bashkë me faktorët seriozë pro-europianë i provuan të gjitha për ta ndrequr Maqedoninë dhe kjo nuk funksionoi mund të bindet faktori ndërkombëtar se ndarja, qoftë me konfederatë apo edhe e plotë është e nevojshme.
Deri atëhere, le të mos flasim se si do ta ndajmë e se si duam të ikim. Le të përqendrohemi në zgjidhje konkrete që përmirësojnë pozitën e shqiptarëve.
Platforma është e rëndësishme, por më e rëndësishme është kalimi normal i pushtetit te një koalicion që ka më shumë rol për shqiptarët në jetën e brendshme politike të Maqedonisë. Në politikë, përmirësimi është gjithmonë gradual. Nëse shqiptarët nuk duan të shlëputen, atëhere nuk ka platformë më të rëndësishme sesa rrëzimi nga pushteti i atyre që përdorën dhunën sot në parlament.
Nuk është çudi që në këtë pikë, ata që bërtasin më shumë për rrezikun e ndarjes së Maqedonisë janë ata që duan ta ndajnë atë. Rusia që në median e saj, edhe për dhunën e sotme ia vuri fajin shqiptarëve dhe “Shqipërisë së Madhe”. Apo partia e Gruevskit që më mirë e lë vendin që të ndahet sesa t’u shkojë kryetari në burg.
Nëse ndarja vjen nga ata, shqiptarët nuk do të thonë jo. Ata kanë arsye të besojnë se e ardhmja punon për ta. Me dy vende aleate fqinje, me një komunitet ndërkombëtar simpatizues dhe me 7 milionë bashkatdhetarë që jetojnë pranë. Por ashtu si shqiptarët nuk mund të çajnë në dy drejtime e duhet të bëjnë një zgjedhje, edhe Gruevski e aleatët e tij të mendjeshkurtër nuk mund t’ia vënë vënë zjarrin Maqedonisë dhe fajin t’ua lënë përsëri shqiptarëve. Le të tregohemi të zgjuar dhe të mos rrëmbehemi. Le t’i lëmë ata të tregojnë përpara botës fytyrën e tyre fashiste siç e bënë sot në Parlamentin e Maqedonisë.
Po, nuk është e lehtë të përmbahesh kur dhunohen njerëz si Zijadin Sela (ndonëse fotografitë e tmerrshme që pamë i takojnë një deputeti maqedonas). Po nuk është e lehtë të dëgjosh e përjetosh fyerjet dhe denigrimet që vijnë nga nacionalistët e fandaksur. Po ngjarjet e sotme treguan se këto forca të rrezikshme antishiptare kanë aftësinë të dëmtojnë veten shumë më tepër sesa mund t’i dëmtojmë ne.
Sot e gjithë bota e pa fytyrën e tyre të vërtetë. Qysh nesër raporti i forcës në sytë e botës ka ndryshuar përgjithmonë. Në të ardhmen e afërt, shqiptarët duhet të tregojnë se duan një Maqedoni më të mirë për të gjithë. Kjo duhet të vlejë edhe për ata që në fakt, duan shkëputje. Le të shkojmë në betejat që e dimë që mund t’i fitojmë, jo në ato imagjinare që nuk janë [ende] në rend të ditës.

One Response to “Shqiptarët e Maqedonisë përsëri në udhëkryq”

Read below or add a comment...

  1. Llazar says:

    Edhe njëherë në shënjë. E kopsitur bukur. Të gjithë kanë se çfarë të mesojnë. Urime!

Comment

*