Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, viktima të një patriotizmi maskarenjsh

Dritan Goxhaj*
Analist ushtarak, ekspert i çështjeve të sigurisë

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë tri komuna që ndodhen në jug të Serbisë dhe në verilindje të shtetit shqiptar. Këto tri komuna janë kufiri i fundit sot ku ende flitet shqip, ose me qenë më të saktë, malësia e Bujanocit dhe nja dy fshatra në Medvegjë përbëjnë vijën ku ndahen sllavët e jugut me shqiptarët.

Shqiptarët e këtyre tri komunave gjithnjë e kanë parë veten si banorë të një shteti shqiptar, edhe pse të vetëdijshëm se jetojnë nën pushtetin serb.

Megjithatë, ka kohë, pothuajse që nga mbarimi i luftës në Kosovë, që tashmë ata thirren shqiptarët e Luginës, një term ky i shpikur nga ana e serbëve për të bërë ndarjen midis Medvegjës e dy komunave të tjera, Preshevës e Bujanocit, për të cilën një ndarje që kryetari serb i komunës së Medvegjës thotë: Medvegja nuk ka si të jetë në luginë, ajo ndodhet 86 km larg Preshevës, ndaj nuk duhet llogaritur si pjesë e saj.

Dhe sot, në gjithë trevat tona ku flitet shqip, të ndihmuar edhe nga mediat tona që vetëm huazojnë terma e lajme, gjerësisht po përdoret vetëm termi Lugina e Preshevës, një term ky diskriminues dhe ndarës për komunën tjetër, e cila, së bashku me malësinë e Bujanocit, ka që prej vitit 2002 që po përjetojnë një spastrim etnik të kohëve moderne.

Po ju jap vetëm një shembull: në regjistrin civil të vitit 2005 në Medvegjë ndodheshin rreth 7000 shqiptarë, ndërsa në regjistrin civil të zgjedhjeve të 2020-së rezultonin vetëm 531 shqiptarë.

Vetëm ky fakt do të mjaftonte që shteti shqiptar të mos bënte të paditurin dhe të mos shërbente si patericë për pushtetin e Vuçiçit dhe të integrimit të partisë së tij në të ashtëquajturën Luginë, pasi tashmë Medvegja është pastruar etnikisht.

Qeveria shqiptare e Ed Ramës, mikut të ngushtë të Vuçiçit, në këto zgjedhje parlamentare të Serbisë, të mbajtura para 4 ditësh, u angazhua me leje të posaçme e direktiva të Serbisë dhe aq sa e lejoi dhe sa i duhej Serbisë ne Preshevë.

Ministri i jashtëm në detyrë i Shqipërisë arriti t’i bëjë bashkë partitë shqiptare në Preshevë që të dilnin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë, zgjedhje këto të cilat opozita serbe i bojkotoi totalisht.

Por Vuçiçit i duhej një patericë për të treguar se në zgjedhje mori pjesë opozita dhe ku ka më mirë sesa ta trumpetosh pjesëmarrjen e shqiptarëve në ato zgjedhje.

Kështu dalin të fituar edhe Vuçiçi, i cili është personi kryesor pas spastrimit etnik në tri komunat shqiptare, edhe Ed Rama duke shitur patriotizëm i cili i duhet shumë tani që po bëhen bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, pasi do mund ta përdorë këtë patriotizëm maskarenjsh për të bindur shqiptarët që të pranojnë çdo lloj marrëveshjeje që do të dalë nga këto bisedime.

Po do thonë që edhe shqiptarët atje fituan se për herë të parë u përfaqësuan me 4 deputetë në parlamentin serb, por kjo është një fitore e pavlerë totalisht kur mendon se nga 250 vende që i ka parlamenti serb 220 do i marrë partia e Vuçiçit.

Qeveria shqiptare, jo vetëm kjo e Ramës, por të gjitha me rradhë asnjëherë nuk e kanë vrarë mendjen për pastrimin etnik që po u ndodh shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, e aq më tepër të jenë angazhuar ndonjëherë atje.

Do thoni: ”Po ja që i ra në mend Ed Ramës”. -Po, i ra, por për t’i ardhur në ndihmë mikut të tij genocidist Aleksandër Vuçiç, i cili ishte ministër në qeverinë e Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë dhe me të cilin  mund t’i normalizojmë marrëdhëniet vetëm nëse ata nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të Kosovës, nëse e kalojnë proçesin e ballafaqimit me të kaluarën e tyre kriminale, nëse kërkojnë falje për krimet e kryera në Kosovë, nëse tregojnë për fatin e personave të zhdukur, nëse e kthejnë pasurinë e plaçkitur, nëse i kompensojnë dëmet që i kanë bërë në Kosovë dhe nëse i dorëzojnë të dyshuarit për krime lufte, dhe të cilët, me të gjitha privilegjet dhe përkujdesje shtetërore, janë strehuar në Serbi.

Po t’a hante meraku për shqiptarët e këtyre tri komunave, Rama do e bënte të njëjtin veprim edhe para 4 vitesh në zgjedhjet e kaluara të Serbisë, por në ato zgjedhje Vuçiçit nuk i duhej ndihma e Ramës, pasi në ato zgjedhje opozita serbe mori pjesë e gjitha.

Po t’a hante meraku për shqiptarët në këto tri komuna, atëherë do të ishte angazhuar që edhe në zgjedhjet lokale shqiptarët të kishin dalë të bashkuar e jo të garonin me 5 subjekte secili për vete, pasi për shqiptarët atje më e rëndësishme është pushteti lokal sesa ai qendror.

Por në zgjedhjet lokale Vuçiçi nuk i dha leje Ramës që të përzihej sepse aty kërkon të shtrijë dominimin e tij në këto komuna.

Po ta hante meraku për shqiptarët atje, do e kishte kundërshtuar pastrimin etnik që po ndodh nëpërmjet pasivizimit të vendbanimit.

Një shpikje e bërë nga presidenti serb Boris Tadiç, ai personi që qëndronte pas Ramës e Metës në ditën që këta të dy nënshkruan aleancën e ngjalave, ju kujtohet besoj.

Çudi, këta genocidistë serb kanë qenë gjithnjë miq të mirë të Partisë Socialiste. Mos vallë i lidh ideologjia pansllaviste apo feja, apo mos ndoshta ndjenja antishqiptare?!

Dhe si të mos mjaftonte paterica Rama, Vuçiçit i dolën në ndihmë edhe dy aktorë të tjerë në trevat tona, presidenti i Kosovës Thaçi dhe ai i Shqipërisë Meta.

I pari, jam i bindur se, si mik i vonshëm i Vuçiçit, u ka bërë thirrje shqiptarëve në këto tri komuna që të merrnin pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, ndërsa për të dytin dua të besoj që e ka bërë nga naiviteti thirrjen për pjesëmarrje e për të zënë një copëz patriotizmi edhe ky.

Shteti shqiptar dhe ai Kosovës do të duhej t’i bënin bashkë shqiptarët në këto tri komuna dhe të uleshin e të përpilonin një platformë kombëtare për gjallërimin e këtyre komunave si dhe të kundërshtonin, në daç miqësisht, në daç ndërkombëtarisht, pastrimin etnik në proçes.

Shteti amë duhet t’i kërkojë Serbisë që shqiptarët në këto tri komuna të konsiderohen si minoritet, sepse Serbia në kushtetutën e vitit 2008 nuk i konsideron më shqiptarët minoritet dhe kjo me qëllim të pastrimit etnik.

Shteti shqiptar, në vend që të bëjë patericën e Vuçiçit dhe të Serbisë, duhet të kërkojë dhe të punojë për themelimin e asocacionit të komunave shqiptare në Serbi dhe të kërkojë për ta të njëjtat të drejta që Serbët kërkojnë për bashkkombësit e tyre në Kosovë, pasi tashmë shqiptarët në këto tri komuna kanë vetëm dy alternativa: atë të qëndresës ndaj pushtetit represiv serb dhe atë të emigrimit nga trojet e tyre.

Shteti amë të mos bëhet më pjesë e lojrave politike të sllavëve të jugut, por të punojë fuqishëm që shqiptarët atje të kapen fort vetëm pas alternativës së parë: të qëndresës ndaj Serbisë, një qëndresë kjo që duhet sponsorizuar e faktorizuar jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht nga Tirana zyrtare, përfshi këtu Presidentin dhe Kuvendin e Republikës.

Duhet ndërhyrë fuqishëm që shqiptarët aty të mos ndihen sikur nuk kanë mëmëdhe dhe të mos ndihen as të përdorur për interesa politike të vrasësve dhe të miqve të tyre.

PS: Në atë ditë të zgjedhjeve në Serbi presidenti ynë na përmendi Avni Rustemin. Aman, more, mos e luani Avniun, lëreni të qetë atje ku është! O Avni djali, aman, mos i dëgjo këta që të thërrasin të dalësh këtej se do çuditesh, o vëlla, me çdo shohësh!

Do çuditesh kur të shohësh që Shqipëria është bërë një stan me lepuj. Do çuditesh kur të shohësh që çamët kanë vajtur deri në Dibër, po më shumë do çuditesh kur të mësosh se edhe në Mirditë ka dalë një grek me emrin Aleksandris Lleshis, alias Aleksandër Lleshaj, i cili po kërkon që minoriteteve t’ua zyrtarizojë gjuhën e tyre, duke e pshurrur kushtetutën që presidenti ynë e ka aq shumë merak.

Por edhe po të ngjallej Avniu, e kam një bindje se nuk do të vriste asnjë nga këta jo, po do të na vriste neve që shohim si qyqe e vetëm opinionizojmë.

*Autori është pilot ushtarak, shkolluar në Shqipëri, Greqi dhe Turqi. Koordinator i UÇK-së me Shtabin e NATO-s gjatë fushatës së bombardimeve për çlirimin e Kosovës, pjesëmarrës dhe me detyra në zinxhirin komandues në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni si dhe ish-shef i Fluturimeve në Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar dhe më pas në kompaninë ajrore “BelleAir”.

Comment

*