Shqiptarët jashtë Shqipërisë në “shtëpinë e tyre” futbollistike

“Illyria” publikon listën e 8 skuadrave ku luajnë 24 shqiptarë nga territoret etnike të Shqipërisë jashtë kufijve politikë të shtetit të dalë nga Konferenca e Londrës e vitit 1913. Partizani, “Kombëtarja” e vogël” me 9 lojtarë

Jeton Selimi

Janë 24 gjithsej shqiptarët nga trevat e tjera që luajnë në Superligë. Prej tyre, 20 janë nga trevat e mbetura jashtë kufijve pas mbledhjes famëkeqe të vitit 1913 në Londër, ndërsa 3 janë të lindur në Zvicër në familje emigrante.

“Illyria” publikon listën e 8 skuadrave ku luajnë 23 shqiptarë nga territoret etnike të Shqipërisë jashtë kufijve politikë të shtetit të dalë nga Konferenca e Londrës e vitit 1913.

Prej tyre, 9 lojtarë janë vetëm te skuadra e Partizanit, duke e bërë këtë të fundit dhe më të përfaqësuarën, një farë “kombëtareje” të vogël, që ka afruar në gjirin e saj pesë lojtarë nga Prishtina, një nga Vushtrria, dy nga Shkupi dhe një nga Tetova.

Nga skuadrat e Superligës, 8 kanë në gjirin e tyre lojtarë shqiptarë nga trevat e tjera, ndërsa Lushnja, Vllaznia, Kastrioti, Laçi, aktualisht nuk kanë asnjë lojtar.

Por, ky është një rast vetëm në këtë sezon të Kategorisë Superiore, pasi në të shkuarën edhe në këto ekipe kanë milituar futbollistë shqiptarë nga trojet përtej kufijve zyrtarë.

Shumë prej tyre, në jo pak raste, janë shprehur se në superligë kanë gjetur parajsën.

Mentor Mazrekaj, futbollist i Partizanit, që në Superligën e Kosovës, është shpallur si lojtari më i mirë, ka treguar në një prononcim të tijin edhe ndryshimin e madh mes dy kampionateve:

“Do t’i kisha këshilluar që të vijnë në Shqipëri të gjithë ata që munden, pasi kampionati këtu është më i fortë dhe më cilësor dhe përparon më shpejt. Te Prishtina paguhesha 500 euro në muaj dhe nuk më dilte për asgjë, jo për një lojtar që ka një karrierë për të përballuar. Te Partizani trajtohem shumë mirë financiarisht. Diferencat mes pagave janë shumë të ndjeshme”.

Mesfushori Mzrekaj sipas informacioneve jozyrtare nga klubi i kuq, ka rinovuar kontratën me një pagë që shkon 4 mijë euro në muaj.

“U bë sezoni i dytë që luaj me Besën dhe ndihem shumë mirë në këtë skuadër,” është shprehur ndërkohë Argjend Mustafa, mesfushori nga Vushtrria, ndërsa deklarata të tilla thuhen thuajse gjithnjë nga të gjithë futbollistët nga Kosova dhe shteti maqedon.

Lojtarët shqiptarë nga trevat e tjera kanë pasur histori suksesi.

Shumë prej tyre kanë fituar mjaft trofe, ndërsa në aspektin profesional janë edhe më mirë sesa futbollistët vendës.

Shqiptarët e Kosovës janë më të shumtit në numër, por ka edhe shqiptarë nga shteti maqedonas ku skuadrat etnike të shqiptarëve Renova e Xhepçishtës, Shëkndija e Tetovës, Bashkimi dhe Milano të Kumanovës kanë fituar tituj kampioni dhe Kupa të vendit fqinj.

Këta lojtarë aktivizohen te Flamurtari dhe te Partizani. Në total, ata janë katër, ku strugani Nijaz Lena luan për kuqezinjtë, ndërsa shkupjanët Ersan Sali, Ertan Demiri dhe tetovari Mevlan Murati mbrojnë fanellën e kuqe të Partizanit.

Te skuadra e Teutës së Durrësit luan dhe treshja më e veçantë këtij grupi lojtarët:

Behar Berisha, Durim dhe Pajtim Badalli kanë ardhur në tregun dimëror të lëvizjeve nga skuadra zvicerane e Luganos.

Të tre janë shqiptarë, por të lindur në familje emigrantësh në shtetin helvet, ndërsa ende nuk kanë zhvilluar asnjë takim zyrtar me ekipin bregdetar.

Prania e shumtë e tyre ka bërë që Federata Shqiptare e Futbollit, në një mbledhje të shkuar të Komitetit Ekzekutiv, të marrë një vendim, ku lojtarët që vijnë nga Kosova të mos cilësohen si “lojtarë të huaj” dhe të bëjnë përjashtim nga rregulli që ndalon skuadrat të aktivizojnë më shumë se katër lojtarë nga shtete të tjera në formacionet e tyre.

Por ky rregull nuk vlen për shqiptarët e tjerë, ata nga shteti maqedon apo edhe të lindurit në familje emigrante në shtete të tjera të Europës.

Në këtë situatë, skuadra e Partizanit që ka edhe numrin më të madh të kësaj kolonie, ka vendosur që të lërë jashtë ekipit duke mos u rinovuar kontratat dy futbollistë nigerianë, Oladele dhe Udoh, si dhe ka prishur kontratën me serbin Buac, pasi nuk mund t’i aktivonte këta lojtarë së bashku me Ertan Demirin dhe Mevlan Muratin nën fushë, ndërsa me ardhjen e Ersen Salit, u bë edhe më e nevojshme që të lirohej një tjetër vend në skuadër.

Aktualisht janë 24 lojtarët nga trevat jashtë kufijve apo edhe të lindur në shtete të tjera që luajnë në Kategorinë Superiore, por ndërsa kanë mbetur edhe 11 ditë deri  në përfundim të tregut dimëror, nuk mund të përjashtohet mundësia që ky numër të rritet edhe më.

KS Besa (Kavajë, Qarku Tiranë)

Argjend Mustafa                                        30.08.1992          Vushtrri
Bernard Berisha                                         24.10.1991          Pejë
Fisnik Ramadanaj                                      24.03.1991         Ferizaj
Vedat Muriqi                                               24.04.1994        Prizren

KS Bylis Ballsh (Mallakastër, Qarku Fier)

Ruhan Foniqi                                             14.10.1994          Gjilan

KF Kukësi (Kukës)

Behar Musolli                                            28.02.1989        Podujevë
Ylli Hoxha                                                  26.11.1986          Prishtinë
Kushtrim Abdullahi                                 04.02.1993         Tetovë

KS Flamurtari (Vlorë)

Nijaz Lena                                                  25.07.1986         Strugë

FK Partizani (Tiranë)

Armir Rrahmani                                       24.02.1994         Prishtinë
Besnik Krasniqi                                         01.02.1990         Prishtinë
Behar Maliqi                                              25.11.1986          Prishtinë
Labinot Ibrahimi                                      25.06.1987         Prishtinë
Liridon Ahmeti                                         16.07.1985          Vushtrri
Mentor Mazrekaj                                     08.02.1989         Prishtinë
Ersen Sali                                                   05.10.1987         Shkup
Ertan Demiri                                             24.01.1979          Shkup
Mevlan Murati                                          05.03.1994         Tetovë

KF Teuta (Durrës)

Behar Berisha                                           20.09.1991         Lugano
Durim Badalli                                          16.09.1990          Frajfild
Pajtim Badalli                                          22.12.1991           Frajfild

KF Tirana (Tiranë)

Mensur Limani                                        04.12.1984         Gjilan

KF Skënderbeu (Korçë)

Bajram Jashanica                                   25.09.1990        Prishtinë
Leonit Abazi                                            05.07.1993         Gjilan

Comment

*