Shqiptarët kanë arsye të shqetësohen për zhvillimet në Turqi

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Nuk i kuptoj reagimet me mllef apo me humor të disa shqiptarëve në rrjetet sociale, se nuk është puna jonë se çfarë ndodh në Turqi.
Tingëllon edhe më ironike kur vjen nga simpatizues të Turqisë dhe Erdoganit që vetë tregojnë vazhdimisht një interes dhe afinitet ndaj Turqisë atëhere pse duan nganjëherë të kundërtën.
Po është e vërtetë se shqiptarët e kanë “ndritur” punën e tyre dhe po japin mend për të tjerët. Po kjo është arsye më tepër për të ndjekur dhe reflektuar nga përvoja të tjera, ashtu si ndjekin zgjedhjet në demokracinë amerikane e në vende të tjera. Krahasimisht, Turqia ka më shumë ngjashmëri.
Në fakt, dy lloj reagimesh për referendumin në Turqi nuk kanë asnjë vlerë. Njëra është tallja apo shfryrja e një lloj fobie për vendin që dikur na kishte pushtuar për pesë shekuj, nga ana tjetër, shqiptarët e flaktë të Erdoganit për të cilët ai jo vetëm nuk mund të gabojë, por çdo fitore e tij duhet festuar me daulle e me flamuj turq.
Po zhvillimet në Turqi duhet t’i shqetësojnë shqiptarët. Ato kanë pasoja jo vetëm për turqit por edhe për Ballkanin e sidomos shqiptarët.
Lidhjet me Turqinë nuk janë domosdoshmërisht një kontradiktë për të ardhmen europine të Shqipërisë. Në fund të fundit, vetë vendet europiane janë përpjekur shumë më tepër se Shqipëria që të kenë marrëdhënie të mira me Turqinë. Mbase është më i kuptueshëm shqetësimi kur vjen nga filogrekë, minoritarë, apo edhe njerëz që shohin lidhjen me Greqinë si më të rëndësishme për vendin. Mirëpo, në realitet Shqipëria përfiton nga një drejtpeshim i ndikimit turk dhe grek. Këto dy ndikime sivëllezër nuk do të zhduken vetëm se nuk na pëlqejnë. Ideale do të ishte që nga konkurrenca mes tyre të fitonte Shqipëria, në vend që njëri të mposhtëte tjetrin.
Greqia dhe Turqia të dyja mund të ndihmojnë shumë Shqipërinë sa kohë që bëjnë esëll njëra-tjetrën në mënyrë që të mos bien në modelin që e sheh Shqipërinë si shtet vasal. Sigurisht, shqiptarët kanë edhe Italinë për të drejtpeshuar rolin e Greqisë në ambicjen e tyre europiane.
Disa turkofobë nuk kanë ndonjë inat specifik vërtet me Turqinë sesa dyshojnë se ndikimi turk është negativ në dy forma: legjitimon ekstremizmin fetar mes myslimanëve të rinj dhe bën presion për shtrembërrimin e historisë së kaluar. E para është në fakt tema vendimtare. Dhe është shumë e diskutueshme. E para se shfaqja e një fetarizmi shumë më strikt se ai tradicional në trojet shqiptare është më shumë rezultat i globalizmit dhe teknologjisë sesa çfarëdo niveli marrëdhëniesh me Turqinë. Turq janë vërtet Erdogan dhe pasuesit e tij, po turq janë edhe qemalistët që duan një republikë laike. Pastaj debati se kush ndikon më shumë po se kush duhet të ndikojë më shumë te myslimanët e rinj radikalë apo të përkushtuar (se edhe këtu dallimet e nuancat janë shumë), Turqia apo bota arabe është një debat që vlon prej kohësh.
Kur arrin dhe del përtej paragjykimeve dashamirëse apo dashakeqëse, ajo që precipiton është që shqiptarët kanë shumë arsye të jenë të shqetësuar për çfarë ndodh në Turqi.
Bëhet fjalë për një vend aleat tonin në kuadrin e NATO-s, që mori pjesë në bombardimin e Jugosllavisë, në ruatjen e paqes në Kosovë që po ndihmon në forcimin e ushtrisë shqiptare etj. Pas ardhjes në pushtet të Erdoganit, Turqia është bërë një mbështetëse akoma edhe më e fortë e Kosovës, për arsye që meritojnë një shkrim më vete. Ajo ka qenë vendimtare në sigurimin e shumë njohjeve ndërkombëtare për Kosovën.
Bëhet fjalë për një vend që ashtu si Shqipëria është kandidate për anëtare në BE. Nëse një ditë do të bëhej vërtet anëtare pesha e saj do të vlente për momente të nevojshme për Shqipërinë e shqiptarët. Do të zhvendoste vëmendjen e paragjykimeve për myslimanët.
Demokracia e liria zgjerohet ose ngushtohet. Nëse Turqia demokratizohet, lëvizja është në ekspansion, kufijtë antidemokratikë largohen nga Ballkani e trojet shqiptare. Nëse modeli i një lideri absolut fiton terren, ai mund të fitojë legjitimitet dhe në rajonin tonë sjellja e keqe është ngjitëse.
Turqia ka qenë historikisht shembulli madhor i bashkëjetesës së Islamit me demokracinë. Si e tillë, ajo ka qenë frymëzuese për lëvizjet e të ashtuquajturës Pranverë Arabe. Nëse demokracia merr fund në Turqi, kjo do t’u shërbejë islamofobëve dhe po edhe teorisë serioze ndonëse shumë të debatuar e kritikuar se shoqëritë me shumicë myslimane janë të destinuara të dështojnë në përpjekjet e tyre demokratike. Shqiptarët janë vetë një popull me shumicë myslimane, sidomos në Kosovë e Maqedoni. Kjo më së paku do të përdoret si argument kundër të drejtave politike të shqiptarëve në trojet ku janë pakicë, ose kundër interesave shtetërore të Kosovës e Shqipërisë. Nga ana tjetër, dështimi i demokracisë në Turqi është goditje për ata që aspirojnë demokracinë në vendet e tjera myslimane. Në Shqipëri, qysh tani shumë myslimanë po e interpretojnë kritikën ndaj Erdoganit si një padrejtësi duke reaguar me akuza të rënda për Perëndimin.
Trojet shqiptare kanë qenë një shembull harmonie e bashkëjetese ndërfetare, por nuk kanë qenë dhe nuk janë pa konflikte e dyshime në bazë feje. Është e nevojshme për hir të mbajtjes së kësaj tradite jetike që çështja e demokracisë të mos njësohet me kauza fetare.
Në fund, shqiptarët kanë nevojë për miq e dashamirës si Erdogani, por më shumë kanë nevojë për një Turqi të fortë, demokratike dhe properëndimore. Erdogani mund të rrëmbejë të gjithë fuqitë ekzekutive të mundshme, po ai nuk është i pavdekshëm. Së shpejti do të ngrihet dikush tjetër në vend të tij dhe asgjë nuk siguron se kush do të jetë qendrimi i tij ndaj shqiptarëve. Një Turqi e izoluar nga Perëndimi do të kërkojë që shqiptarët të dëshmojnë besnikëri e aleancë duke hyrë edhe ata në konflikt. Përndryshe marrëdhëniet do të ftohen.
Më tej, problemi me pushtetin e mbledhur në duart e një njeriu është se regjimi është i destinuar të dështojë ekonomikisht, të shpikë vazhdimisht armiq të brendshëm dhe të kërkojë gjithmonë konflikte të jashtme. Kjo është ekzaktësisht se çfarë ka ndodhur në Rusinë e Putinit. Pavarësisht nga pretendimet e apologjistëve të palodhshëm të Erdoganit, sistemi që vjen me këtë referendum, nuk është si ai amerikan, ku gjykatat dhe Kongresi mund të anullojnë vendimet e presidentit. Aq më pak në vend si Turqia ku gjykatësit janë plasur në qeli me akuza të pabazuara, duke u nisur thjesht nga dyshimi për pikëpamjet e tyre politike. As nuk është ky sistem i Erdoganit si ai i Kinës moniste, ku gjatë kohës që Putini (dhe tani Erdogani) nuk shkulej nga pushteti, kinezët kanë ndërruar katër seketarë të përgjithshëm partie.
Myslimanët që druhen se kjo është punë paragjykimi kundër Islamit duhet të shohin pak më afër sjelljen e Erdoganit dhe të analizojnë nëse kjo bëhet vërtetë në emër të Islamit apo në emër të etjes personale për pushtet, interesave ekonomike familjare e refuzimit për t’ia kaluar stafetën një aleati besnik në AKP, që do të kishte po ato pikëpamje për demokracinë dhe fenë si Erdogani.
Në këtë botë ku raportet e forcës dhe aleancat po vihen në sprovë si asnjëherë më parë në 20 vitet e fundit, shqiptarët, përfshi edhe ata filoturq e turkofobë kanë arsye të duan një Turqi të qendrueshme. Ne jemi mjaftueshëm larg për të mos u përzjerë në një konflikt që nuk është i yni, por mjaftueshëm afër dhe jo aq të ndryshëm sa për t’u hequr sikur nuk është një temë që na përket dhe se rezultati i këtij konflikti nuk do të ketë asnjë pasojë për ne.
Kjo ndarje e Turqisë në mes, me asnjë paqëtim në horizont, ngado që ta rrotullosh është lajm shqetësues për shqiptarët.

One Response to “Shqiptarët kanë arsye të shqetësohen për zhvillimet në Turqi”

Read below or add a comment...

  1. sami repishti , Ph.D. CT says:

    Nji analize qe ndihmon shume ne kuptimin e levizjeve te fundit ne Turqi.
    Faktet jane kryeneçe, dhe evitohen vetem me damin qe sjellin per ne. Si mund te quhen keto fakte?
    Jane mbylle 15 universitete, 1.000 shkolla te ndryshme, 28 kanale televizive, 66 gazeta, 19 revista, 36 radio-stacione, 26 shtepi botuese dhe pese agjensi lajmesh, Jane heq nga puna rreth 130.000 persona, dhe jane arrestue rreth 45.000 qytetare turq.
    Ashte me te vertete nji zhvillim shqetesues jo vetem per ne, dhe per te gjithe boten demokratiuke, por kryesisht per popullin turk.

Comment

*