Shqiptarët kanë nevojë për pajtim kombëtar

Frank Shkreli

(Libri “Shame Among the Shameless” i Monika Kolecit dhe reagimi i Profesor Sami Repishtit ndaj deklaratës së Kryeministrit Edi Rama për komunizmin)

“Sa për komunizmin, ballist, unë nuk kam asnjë lidhje emocionale ose intelektuale me të. Im atë po. Ka qenë komunist, si shumë të tjerë, dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë…” Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në parlament, 30 korrik 2020.

“Jemi ndarë komunistë e ballistë që në vitin 1944…. Është shekulli i mendjes dhe jo i forcës, se po të ishte e tillë…”, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, 24 shtator 2020.

Nga ana e tij, deputeti i Ballit, Adriatik Alimadhi, bllokon foltoren e Kuvendit dhe e shan Gramoz Ruçin, “komunist i ndyrë”, 24 shtator 2020.

Kur njeriu dëgjon deklarata të tilla nga udhëheqësit më të lartë të Republikës së Shqipërisë – Kryeministrit, Kryetarit të Parlamentit dhe një interlokutori të të ashtuquajturës opozitë – të një Shqipërie 30 vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar, vend anëtar i NATO-s, aleancës ushtarake që për një gjysmë shekulli mbrojti lirinë dhe demokracinë perëndimore nga hordhitë komuniste sllavo-aziatike dhe të një Shqipërie të shekullit XXI që, të pakën me fjalë, aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian – lind pyetja: quo vadis Shqipëri? Kush janë këta njerëz dhe në cilin vend tjetër evropian do të toleroheshin deklarata të tilla në mbështetje të një ideologjie sllavo-aziatike – jo nga ndonjë pseudo-historian nostlagjik i komunizmit, por nga foltorja e parlamentit të një vendi anëtar të NATO-s?

Këto deklarata janë provokime të rënda ndaj një përqindjeje të madhe të shqiptarëve dhe familjeve të tyre, që për pothuaj 50-vjet kanë vuajtur dhe vuajnë gjithnjë pasojat e tmershme të komunizmit.  Me të thënë të drejtën nuk kisha në plan ta prekja prap këtë subjekt, pasi jam lodhur me nostalgjikët e komunizmit në nivelet më të larta politike të Tiranës, si dhe në radhët e akademikëve, gazetarëve, opinionistëve dhe publicistëve shqiptarë, të të gjitha ngjyrave, të cilët po helmojnë brezin e ri të shqiptarëve.  Por gjithnjë nuk mund të heshtë dhe detyrohem të pyes veten, në cilin vend tjetër ish-komunist të Evropës së NATO-s dhe të Bashkimit Evropian do të toleroheshin deklarata të tilla nga zyrtarët më të lartë të qeverisë e të shtetit nga tempulli i gjoja “demokracisë” shqiptare?

Kam në dorë një libër të posa botuar në anglisht këtu në Shtetet e Bashkuara, titulluar, “Shame Among the Shameless” (“Turpi në radhët e të paturpshmëve”) të autorjes së re shqiptaro-amerikane, Monika Koleci.  Në këtë libër, ajo përshkruan historinë tronditëse të zemrës së një familje me nëntë anëtarë nga fshati Fishtë në rrethin e Lezhës në Shqipëri- familjes së saj të gjerë – anºtarët e së cilës u persekutuan ashpër pasi i rezistuan regjimit komunist, në fillimet e tij. Protagonisti kryesor, Vasa, djali i madh i çiftit Toma dhe Lina, pasi mori vesh se regjimi komunist i kishte burgosur prindërit e tij, e la ushtrinë dhe u bashkua dhe me çetat antikomuniste që vepronin brenda vendit për të rrëxuar regjimin komunist.  Veprimet e tij përshkruhen si heroike, por tepër të dëmshme për familjen e tij, veçanërisht për vëllain e tij, Lukën, i cili u torturua disa muaj nga regjimi komunist dhe më pas kaloi disa vite në një kamp përqendrimi. Vëllezërit dhe motrat tjera të tij, sipas librit, u dërguan në një kamp internimi.  Gjatë gjithë kësaj kohe, motra e madhe, Çilja, bëri të pamundurën për ta mbajtur familjen Koleci së bashku.  Askush në familje nuk është kursyer nga vuajtjet, sipas tregimit në librin në fjalë. Etja e anëtarëve të kësaj familjeje për liri u ndesh me shtypje, tortura, madje edhe vdekje. Vuajtja dhe turpërimi i pamerituar me të cilin janë përballur anëtarët e familjes Koleci pasqyrojnë vështirësitë e të gjithë shqiptarëve që në atë kohë nuk u pajtuan me atë regjim dhe guxuan të ndërmerrnin veprime kundër regjimit komunist shqiptar, në emër të lirisë, demokracisë dhe në mbrojtje të vlerave perëndimore.

Një prej këtyre shqiptarëve që e ka pësuar rëndë mospajtimin e tij me regjimin komunist të Enver Hoxhës është edhe miku dhe kolegu im i dashur Profesor Sami Repishti – njëri prej figurave më të njohura të botës shqiptare, brenda dhe jashtë trojeve tona dhe në diasporë, prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri më sot – i cili gjithnjë, me shkrimet e tij, ende nuk pushon të dëshmojë ferrin e komunizmit shqiptar, bazuar në përvojën dhe vuajtjet e tij personale në burgjet e Enver Hoxhës.

Në një shkrim të ditëve të fundit, duke reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Rama, në parlament, se “Komunizmi dhe komunistët ishin në anën e e duhur të historisë”,  Profesor Repishti, në analizën e tij me titull “Ju lutemi, mos lëndoni plagët tona të hapuna!”, Profesori i nderuar shqiptaro-amerikan rrjeshton disa fakte pse komunistët dhe komunizmi, në të vërtetë, nuk kanë qenë kurrë në anën e duhur të historisë, siç pretendon Kryeministri Rama.

Në analizën e botuar në potalin e gazetës “Dielli“ të Vatrës në Nju Jork, https://gazetadielli.com/sami-repishti-ju-lutemi-mos-lendoni-plaget-tona-te-hapuna/, Profesor Repishti shkruan se e kundërta është e vërtetë.  Si viktimë e komunizmit të Enver Hoxhës, Profesor Repishti shkruan se komunistët shqiptarë kanë qenë pjesa më fatkeqe e vendit, trashëgimtarë të krimeve dhe dhunës së pashoqe në Shqipëri.  Prof. Repishti përmend me data disa prej ngjarjeve dhe veprimeve fatzeza të udhëhequra nga komunistët kundër  kundërshtarëve të tyre gjatë dekadave, të cilat kanë sjellë tragjedinë shoqërore dhe izolimin e Shqipërisë, pasojat e të cilës ndihen edhe sot.  Dhe, me të drejtë, Profesori ynë i nderuar, ia kujton Kryeministrit Rama dhe të gjithë atyre që mendojnë si ai, ndryshimin thelbësor midis komunistëve që e morën pushtetin me dhunë, në vitin 1944, dhe ngjarjeve të vitit 1990 që e sollën rrëximin e sistemit komunist në Shqipëri:  “Për fatin e madh të popullit tonë, (me 1990) rrugët e sheshet e Shqipërisë nuk u mbuluen me gjak, ashtu siç ngjau me 28 nandor 1944…Na nuk kërkuem varjen në litar të Byrosë Politike”, shkruan Profesor Sami Repishti.

Ky pra është ndryshimi midis komunizmit dhe komunistëve në Shqipëri dhe brezit të shqiptarëve kundërshtarë të komunizmit, denjësisht të përfaqësuar sot nga Profesor Sami Repishti.  Me gjithë vuajtjet e tyre dhe krimet ndaj familjeve të pafajshme shqiptare, siç ishte edhe familja Koleci, vuajtjet dhe mundimet e së cilës pasqyrohen në librin e lartpërmendur “Shame Among the Shameless”, (Turpi në radhët e të paturpshmëve), të posabotuar në anglisht, këtu, në Shtetet e Bashkuara – ish-të përndjekurit e regjimit enverist – me gjithë humbjet e tyre të mëdha,  kurrë nuk kanë kërkuar as nuk kërkojnë hakmarrje, por kanë kërkuar dhe kërkojnë vetëm pajtim për shoqërinë shqiptare, sidomos, nga udhëheqësit më të lartë të vendit. Ata presin pajtim kombëtar midis brezave të shqiptarëve pa dallim ideologjie, feje a krahine, në radhë të parë nga përfaqësuesit e tyre politikë, pasi ata janë përgjegjës për të siguruar unitetin e popullit dhe të kombit, pa dallime.

Në shkrimin e tij, Profesor Repishti i lutet Kryeministrit Rama, por edhe të tjerëve, në emër të viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës, që, me deklaratat e tyre të papërgjegjshme, “të mos lëndohen plagët tona të hapuna” dhe u kërkon atyre: “Mos harroni se nji kalvar i vërtetë 45-vjeçar ashtë përjetue nga nji popullsi disamilionëshe nën tiraninë e murtajës komuniste. Mijëra të pushkatuem pa faj, të arrestuem, të torturuem, të gjykuem e të burgosun pa faj, të shpronësuem pa të drejtë, me plotësue dëshirat satanike të udhëheqësve injorantë e maniakë komunistë, ose me plotësue forcën punëtore të nevojitun për projektet e çmenduna”, ia kujton ai Kryeministrit.

Më në fund, Profesor Repishti ua kujton autoriteteve “ma të nalta që qeverisin vendin tonë” se në vend të justifikimeve dhe lavdërimeve të komunizmit — e si përfundim edhe të krimeve të atij sistemi gjakatar — të pakën të ofrojnë “nji fjalë ngushëllimi, nji përkëdhelje për fëmijët pa prindë, për të vejat pa burrë, për prindët pa djalin e pa vajzën, të zhdukun në qelitë e errëta mesjetare të Sigurimit kriminel… e kampe përqendrimi”, shkruan Prof. Repishti dhe përfundon duke kujtuar kalvarin e familjes sës vet:  “Mijëra të tjerë si unë kemi zemrën e thyeme pa shërim! Babai, viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë, viktimë e terrorit nazist; nana, motra e vëllau minorenë, víktima të regjimit komunist të internuem në Berat e Tepelenë… aty ku motra ime 14-vjeçare u detyrue me tërheqë karrocën e bukës për policët në tatëpjetat e rrugës… në vend të kalit. Unë i arrestuem, i torturuem e i burgosun për dhjetë vjet të gjata, sepse deklarova besnikërinë time për demokracinë liberale perëndimore; shtëpinë e zanun nga të huejt … e të tjera! Dëshiroj të veçoj nji rast: ditën e “lirimit” nga burgu, në mbramje, nana plakë, e shqetësueme, më tha: Nuk kemi të holla me ble bukën! Ishte dita e ime e parë në ‘liri’”, përfundon shkrimin e tij Profesor Sami Repishti, në përgjigje të deklaratës së kohëve të fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama se “Komunizmi dhe komunistët ishin në anën e duhur të historisë.”

Të nderuar udhëheqës të Shqipërisë. dëgjonie të urtin Profesor Sami Repishtin, i cili i ka kaluar 10 vjet në qelitë e errëta të torturës së regjimit komunist në Shqipëri dhe gjamën e mijëra viktimave të komunizmit në Shqipëri, para se të bëni deklarata të tilla, të papërgjegjëshme dhe të pahijshme për autoritetet e një vendi anëtar të Aleancës së NATO-s. Shprehje të tilla nuk ju nderojnë para popullit tuaj, Shqipërisë së shekullit XXI dhe,  jo se jo, para botës! Tri dekada pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, më në fund, kombi shqiptar ka nevojë për një ballafaqim të sinqertë me të kaluarën komuniste, ka nevojë për të vërtetën historike dhe, përfundimisht, vendit i nevojitet pajtimi kombëtar midis shqiptarëve. Mjaft me deklarata që nxisin urrejtje midis shqiptarëve!

1* Sami Repishti, “Pika Loti“, tregime nga burgu, kushtuar “Grues shqiptare, fisnikërisë së kryqëzueme pa faj! Bashkshorteve, nanave, bijave dhe motrave tona, vuejtjet dhe përkrahja e të cilave i dhanë lëvizjes demokratike shqiptare përmasën e saj ma njerëzore” *2. Monika Koleci, “Shame among the Shameless” (Turpi në radhët e të paturpshmëve) , kushtuar të parëve të saj, familjes së saj të madhe, gjyshërve, gjysheve dhe stërgjyshërve e stërgjysheve, të ciclët vuajtën aq shumë nën regjimin komunist

Comment

*